Ekipi kinez i shpëtimit nga tërmetet mbërrin në Turqi
2023-02-08 14:11:47

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Ekipi i shpëtimit prej 82 anëtarësh  i dërguar nga qeveria kineze ka arritur në Turqi për të ndihmuar në operacionin e shpëtimit pas tërmeteve të mëdha të rëna në këtë vend.

Ekipi përbëhet nga 50 anëtarë të trupave të zjarrfikësve dhe shpëtimit të Pekinit, si edhe nga pjesëtarë të Shërbimit Kombëtar të Mbështetjes për Reagimin ndaj Tërmeteve dhe Spitalit të Përgjithshëm të Urgjencës të Pekinit. Grupi u dërgua nga Ministria e Menaxhimit të Emergjencave e Kinës me kërkesën e qeverisë turke.

"Ne kemi sjellë 13 tonë pajisje shpëtimi, duke përfshirë pajisje për prerjen e shufrave të betonit dhe çelikut, pajisje kërkimi e zbulimi dhe katër qen shpëtimi, që mund të na ndihmojnë efektivisht në kryerjen e misionit," i tha drejtuesi i ekipit Bi Hongyi agjencisë së lajmeve "Xinhua".

Numri i vdekjeve nga fatkeqësia i ka kaluar 7 000, ndërsa dhjetëra mijë veta kanë mbetur të pastrehë  në Turqi dhe Sirinë fqinje në kushtet e dimrit të ftohtë.