Porti turistik Durrës, Vengu: Sektori privat ka gjithë barrën financiare
2023-02-08 15:01:43

Nënshkrimi i marreveshjes(Foto Albanian post)

Nënshkrimi i marreveshjes(Foto Albanian post)

U nënshkrua zyrtarisht  marrëveshja për zhvillimin e projektit “Durrës Yacht & Marina”, investimi më i madh i huaj në historinë e vendit, me vlerë rreth 2 miliardë euro. Autoritetet shqiptare kanë nënshkruar kontratën me kompaninë “Eagle Hills Real Estate Development” dhe Investitori i Emirateve të Bashkuara Arabe, Muhamed Alabbar, deklaroi pas nënshkrimit se palët kanë punuar fort që kjo të ndodhte.

Detajet e këtij projekti janë zbuluar nga vetë drejtori i Portit të Durrësit, Pirro Vengu edhe më herët në intervista për mediat. Ai ka theksuar se qeveria shqiptare ka vetëm përfitime nga ky projekekt gjigant.

“Gjithë investimi i marinës turistike, ballinës ujore siç quhet Durrësi është në fakt një investim në formën e një partneriteti ku shteti është bashkë aksioner. Qeveria shqiptare përmes Autoritetit Portual zotëron 33% të aksioneve, të zhvillimit të përbashkët dhe pjesa tjetër është në zotërim të investitorit privat, të zotit Alabar, i cili përmes grupit të kompanive të tij është partneri privat në këtë proces. Kemi ndërmarrë një negociatë, pothuajse njëvjeçare, ka qenë një negociatë e vështirë, e mundimshme por besoj se kemi arritur në një rezultat ku kemi një kontratë të mirëpërcaktuar për sa i përket detyrimeve për të investuar, barrën financiare të projektit dhe kemi arritur të sigurojmë edhe disa përfitime shumë konkrete për shtetin shqiptar dhe kjo është e nevojshme t’i shpjegojmë dhe të ndalemi pak. E para, duhet të kuptojmë që ne nuk transferojmë të gjithë pronësinë e truallit aktual të portit të Durrësit. Shteti shqiptar përmes Autoritetit Portual mbetet gjithmonë pronar i asaj që është gjëja më e kushtueshme në portin e Durrësit, infrastruktura, baseni, kalatat, deri në një thellësi të caktuar, do jenë një infrastrukturë, që mbetet pronë e shtetit nuk tjetërsohet, ajo rehabilitohet, adaptohet në formën e një marine moderne dhe për jahtet kroceret, edhe pasagjerët. “- shprehet Vengu.

Pirro Vengu (Foto Boldnews.al)

Pirro Vengu (Foto Boldnews.al)

E gjithë barra financiare, sipas drejtorit Vengu i mbetet kompanisë private.

“Partneri privat ka detyrimin që të ketë të gjithë barrën financiare të projektit. Pra shteti shqiptar nuk hedh asnjë qindarkë në këtë proces. Shteti ka dividentë nga i gjithë aktiviteti, i cili vlerësohet të jetë në mënyrë të drejtpërdrejtë dividenti 280 milionë euro të ardhura vetëm nga disidenti për shtetin shqiptar nga tërësia e këtij projekti që pritet të zgjasë në tonalitetin e vet, pasi është një shtrirje shumë e madhe për sa i përket fazave të zhvillimit, që pritet të zgjasë 15 deri në 20 vite maksimumi. Faza e parë është faza ku nuk preket fare aktiviteti portual ekzistues. Kjo ka qenë një pikë e rëndësishme në negociatat, që të mos pengohet puna e portit aktual dhe deri sa aktiviteti tregtar të jetë gati dhe ne të jemi në kushtet e një autoriteti me dy porte ku kemi një port turistik, nga njëra anë dhe një port tregtar nga ana tjetër.”- tha Vengu.

Nga projekti i portit të ri turistik në Durrës  shteti Shqiptar sipas Vengut do të përfitojë të ardhura në masë që 1 miliardë e 69 milionë euro plus dividentin.

 

“Shpesh herë është përmendur dhe keqkuptuar tematika për sa i përket iniciativave fiskale që janë dhënë për këtë proces. Në fakt qeveria nuk ka falur as TVSH as detyrimet e tjera fiskale. Ne i kemi konsideruar që të ardhurat që zakonisht për ndërtime të tilla, siç është taksa për ndërtimin e njësive të banimit, apo taksa për kontribut social. Këto taksa në vlerën e tyre janë konsideruar si kontribut i shtetit shqiptar, jo si përjashtime, nga të gjitha tatimet kontributet sociale, shoqërore që pritet të lëvrojë ky projekt, shteti shqiptar do të përfitojë të ardhura në masë që 1 miliardë e 69 milionë euro, dhe nëse i shtojmë dhe 280 milionë euro dividentë, besoj e keni parasysh që është një vlerë e konsiderueshme e përfitimit të shteti shqiptar” bëri të ditur ai

 

Porti Durres (Foto Construction week online)

Porti Durres (Foto Construction week online)

Zyrtari shqiptar u shpreh se porti ekzistues nuk do të prishet, por do të ridimensionohet.Vengu tha se prej një viti, ka nisur puna për detajimin inxhinierik për portin e ri tregtar.

“Tani në fazën ku fillojnë detyrimet që burojnë nga kontrata e përbashkët. Detyrime për sa i përket derdhjes së kapitalit të përbashkët, detyrime për sa i përket marrjes së lejes zhvillimore, lejes ndërtimore. Një projekt që do vijojë të zbatojë të gjitha detyrimet që janë sanksionuar në ligjin për ndërtimin në Shqipëri. Pra do ketë një leje zhvillimore, një leje ndërtimore, dhe tani këto faza janë të sanksionuara në kontratë sesi zhvillohen. Pritet që në muajt në vijim të fillojë aktiviteti për ndërtimin siç e thatë dhe ju apo tulla e pare”, theksoi ai

 

Faza e parë  e projektit është parashikuar të zgjasë tre vjet.

 

“Faza e parë në zonën lindore të aktivitetit të përpunimit të mallrave parashikon edhe rezidenca banimi, edhe njësi shërbimesh, turistike dhe hotele. Pra ky është komponenti dhe tre komponentë janë në të gjitha fazat e projektit dhe në fazat e mëtejshme, do ketë hotele me 4 dhe 5 yje. Do ketë rezidenca banimi, do ketë plazh me aktivitet publik dhe njësi shërbimesh tregtare, elitare për sa i përket të paktën mënyrës se si zoti Alabar, apo kompanitë e tij kanë bërë njësi të ngjashme.”-theksoi Vengu