Ngarkimi i automjeteve për eksport në portin Liangyungang të Kinës Lindore, më 31 janar 2023/ foto nga VCG
Sipas raportit të publikuar të hënën nga Federata e Logjistikës dhe e Blerjeve e Kinës, treguesi i menaxherëve të blerjes (PMI) i sektorit global të manifakturës në janar përfundoi prirjen për shtatë vjet me radhë të uljes në krahasim me muajin pararendës. Lidhur me këtë, një ekspert është i mendimit që shpejtimi i rimëkëmbjes së manifakturës kineze dha kontribut të madh për rimbëkëmbjen e ekonomisë globale.
Në janar PMI-ja e manifakturës globale ishte 49.2 për qind, me një rritje prej 0.6 pikë përqindjeje në krahasim me dhjetorin e vjetshëm. Përfundimi i prirjes së uljes së PMI-së të manifakturës globale tregon se është zbutur prirja e uljes së vazhdueshme të ekonomisë globale qysh prej gjysmës së dytë të vitit 2022.
Zhang Monan, bashkëpunëtor i vjetër i Qendrës së Shkëmbimeve Ekonomike Ndërkombëtare të Kinës, tha se falë rimëkëmbjes së fortë të ekonomisë kineze, PMI-ja e sektorit kinez të manifakturës pati rritje në janar dhe u bë forcë e rëndësishme nxitëse për frenimin e uljes së ekonomisë globale.
“Gjendja e ekonomisë kineze pati mëkëmbje të dukshme. Në janar, PMI-ja e manifakturës kineze u kthye në nivelin 50.1 për qind, me një rritje prej 3.1 pikë përqindjeje. Nga njëra anë, kjo ka ardhur nga mëkëmbja e madhe e ekonomisë kineze dhe e konsumit në vend, gjë që ka krijuar një kërkesë të madhe të jashtme për prodhimin global. Nga ana tjetër, si qendra më e madhe e manifakturës në botë, rifillimi i gjithanshëm i ekonomisë kineze, dhe veçanërisht i prodhimit, është në ndihmë të stabilizimit dhe qarkullimit të lirshëm të zinxhirit global të prodhimit dhe të atij të furnizimit.”
Një punëtore kontrolloi llambat LED në linjën e prodhimit në një fabrikë të provincës Jiangxi të Kinës Jugore, më 31 janar 2023/ foto nga VCG
Nga këndvështrimi i rajoneve, në janar PMI-ja e manifakturës së Amerikave ishte nën 50 për qind, duke vazhduar prirjen e uljes. PMI-ja e manifakturës në Evropë pati pak rritje, por mbeti përsëri nën 50 për qind, e Azisë u ngrit mbi 50 për qind, ndërsa e Afrikës ishte pak më e ulët se treguesi i muajit të kaluar, por ende rreth 51 për qind.
Për këto shifra, Zhang Monan vuri në dukje se PMI-ja e manifakturës globale ka mbetur përsëri nën 50 për qind, gjë që tregon se ekonomia globale ka nevojë për një forcë më të madhe për frenimin e uljes dhe për stabilizim. Njëkohësisht, duhet të vihet në dukje se pandemia e COVID-19 ushtron ende ndikim ndaj ekonomisë globale dhe mungesa e kërkesës është ende problemi i përgjithshëm për vendet e ndryshme të botës. Shumë vende e kanë të vështirë të ruajnë ekuilibrin ndërmjet zbutjes së inflacionit dhe nxitjes së rimëkëmbjes ekonomike.
“Nga prirja e përgjithshme e ekonomisë globale në vitin 2023, del se ndodhemi ende përpara pasigurive të mëdha. Megjithëse pritet të zbutet situata e ngritjes së vrullshme të çmimit të burimeve dhe e kaosit në zinxhirin e furnizimit, nga ana e përgjithshme, nuk është përmirësuar në mënyrë thelbësore presioni i inflacionit. Përpara këtyre pasigurive e sfidave të ndërlikuara, ekonomia globale duhet të forcojë bashkërendimin e politikave makroekonomike dhe të kundërshtojë me vendosmëri unilateralizmin e proteksionizmin,” theksoi Zhang.
Në një fabrikë në provincës Jiangsu të Kinës Lindore, reparti për prodhimin e kornizës së automjeteve, më 31 janar 2023/ foto nga VCG
Ndërkohë, Zhang Jianping, drejtori i Qendrës Studimore për Ekonominë Rajonale pranë Ministrisë së Tregtisë të Kinës, theksoi se vetëm me përpjekjet e përbashkëta të vendeve të ndryshme të botës për kërkimin e të përbashkëtave duke lënë mënjanë mosmarrëveshjet, për shtimin e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar dhe për forcimin e qëndresës ekonomike, ekonomia globale do të ketë mundësi të kthehet në orbitën e qëndrueshme.
“Në vitin 2023, organizatat ndërkombëtare, qoftë FMN-ja apo OKB-ja, kanë ulur parashikimin e rritjes ekonomike të vendeve të zhvilluara. Parashikimi i Bankës Botërore për rritjen e ekonomisë së ShBA-së është vetëm 0.5 për qind, ndërsa asaj të Evropës zero. Forca kryesore i rritjes së ekonomisë botërore vjen nga vendet në zhvillim, të përfaqësuara nga Kina. Zinxhiri global i furnizimit dhe ai i vlerës duhet të forcojnë bashkëpunimin. Vendet e ndryshme duhet të shfrytëzojnë epërsitë e tyre ndërmjet bashkëpunimit ndërkombëtar, që të përballojnë bashkërisht presionin e madh të uljes së ekonomisë sivjet,” theksoi eksperti kinez. (Wang Lei/ Artan)