Shqipëria nis ekipin e kërkim-shpëtimit në Turqi
2023-02-08 10:20:09

Pas tërmetit shkatërrimtar në kufirin mes Turqisë dhe Sirisë që shkaktoi mijëra viktima, të plagosur dhe dëme shumë të mëdha, qeveria shqiptare i është përgjigjur thirrjes për ndihmë. Në Turqi ka mbërritur tashmë një mision ndihme nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, në përbërje të të cilit janë 53 vetë personel mjekësor, specialistë të kërkim-shpëtimit si dhe 7 mjete, që do të marrin pjesë në operacionet e kërkim-shpëtimit, bën të ditur “RTSH”.

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, shprehu mirënjohjen në emër të kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë shqiptare për të gjithë personelin që do të angazhohet në këtë operacion.

Sipas ministrit Peleshi, ky është një kontribut që i kthehet Turqisë, e cila e ka ndihmuar Shqipërinë vazhdimisht pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.

“Turqia është një vend mik shumë i rëndësishëm për ne, që na ka mbështetur vazhdimisht. Kështu që në një farë mënyre ky është kthim i kontributit. Por, edhe nëse një fatkeqësi do t’i ndodhë një vendi tjetër, Shqipëria jonë e vogël do të tregojë se është gjithmonë e gatshme që kapacitetet e veta t’i vendosë në dispozicion, sepse në emergjencë apo solidaritet ne jemi tashmë pjesë edhe e Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, ku nuk jemi vetëm për të marrë, por edhe për të dhënë”,- u shpreh ministri Peleshi në ceremoninë e përcjelljes së ekipit shqiptar. (Elona)