BE-ja aktivizon ndihmën emergjente për Turqinë
2023-02-08 10:46:59

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Komisioni Europian ka njoftuar se me kërkesë të Turqisë, pas tërmetit të rëndë që goditi vendin, ka aktivizuar mekanizmat emergjentë të unionit për mbrojtje civile. Eurokomisioneri për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenareçiq, tha përmes një deklarate se Bashkimi Europian ka angazhuar menjëherë ekipet për kërkim dhe gjetjen e personave që mund të jenë nën gërmadhat e ndërtesave të rrënuara, përcjell “RTSH”.

Sipas njoftimit, 27 ekipe u mobilizuan menjëherë në Bullgari, Kroaci, Çeki, Francë, Greqi, Hungari, Maltë, Holandë, Poloni dhe Rumani për t’u dalë në ndihmë shërbimeve turke. Edhe Italia, Spanja dhe Sllovakia i kanë vënë në dispozicion ekipet e tyre për Turqinë. Qendra koordinuese e BE-së për reagime emergjente ka vendosur kontakte me autoritetet e Turqisë dhe sipas nevojës do t’i koordinojnë veprimet.

Edhe sistemi satelitor i BE-së, “Copernicus”, është aktivizuar dhe po ndihmon në identifikimin e pozicioneve të goditura.

Në komunikatën e BE-së thuhet se Unioni shpreh gatishmërinë që t’i ofrojë ndihmë edhe pjesëve të Sirisë të cilat janë goditur nga tërmeti. (Elona)