Ermira Selimi dhe nisma për hapjen e bibliotekës shqipe në Manastir
2023-02-07 09:44:56


Gjatë fillimit të shekullit të 19-të Manastiri ka qenë një nga vatrat kryesore të klubeve intelektuale shqiptare, të cilat përpiqeshin për përhapjen e arsimit shqip kudo ku kishte shqiptarë.

Alfabeti me të cilin ne sot shkruajmë gjuhën shqipe të njësuar doli nga Kongresi i Manastirit, i cili u mbajt në vitin 1909. Sot Manastiri, apo Bitola konsiderohet si një nga pjesët me potencial të madh ekonomik pas kryeqytetit Shkup, pasi është qendër e industrisë së materialeve të ndërtimit,  industrisë metal-përpunuese, tekstile, të lëkurës, ushqimore etj.

Për shqiptarët Manastiri lidhet ngushtë me një nga ngjarjet më të rëndësishme të unifikimit si komb. Aktualisht ky qytet simbol dhe vatër intelektuale e shqiptarsië nuk ka një bibliotekë shqip.

Emira Selimi është një e re shqiptare nga qyteti i Manastirit (Bitola) në Maqedoninë e Veriut. Studentja e shkencave politike ka kryer një hulumtim për shqiptarët ortodoksë që jetonin në qytet. Ata e flasin shqipen me shumë pengesa pasi mungon literatura shqipe, prandaj Emira ndërmori nismën për hapjen e bibliotekës së pare shqipe, një nga vatrat më të rëndësishme të kulturës shqiptare në qytetin e Manastirit.

Në një intervistë për Radio Ejani Ermira Selimi flet për këtë nismë.

CMG: Ermira, si ka qenë fëmijëria juaj?

Ermira Selimi: Fëmijëria ime ka qenë e vështirë, shumë sfiudese. Më është dashur të përballem me mentalitete të ndryshme, të cilat më kanë kushtuar stres mua apo edhe familjes sime. Ndërsa koha kalon kam kuptuar që gjithçka kam lënë pas përveç kujtimeve jo të mira që kam nga fëmijëria pasi përjetimet mbeten. Megjithëse mendoj që më kanë bërë më të fortë dhe kjo që jam sot.
CMG: Në sytë e tu si vjen Shqipëria?

Emira Selimi: Shqipërinë e dua shumë. Gjithmonë ne që jetojmë jashtë kufirit e kemi një mall të veçantë për shtetin amë, e duam dhe mundohemi ta mbrojmë në të gjitha format. Shqipërinë e kemi të shenjtë. Unë jam një nga ato vajza që e vizitoj shumë shpesh, pikërisht sepse lidhja ime emocionale me këtë vend është e madhe. Mendoj që në Shqipëri ka njerez të bukur që e duan shumë njëri-tjetrin dhe që e vlerësojnë.

CMG: Po gjuha shqipe sa e rëndësishme është për ju?

Emira Selimi: Gjuha shqipe është gjuha më e pasur në botë, andaj dhe nuk ja vlenë të fliten gjuhë të tjera para saj. Është një gjuhë, e cila mban një histori të madhe ndër vete. Njerëz të mëdhenj kanë punuar për të dhe detyrimi ynë është ta mbrojmë fort dhe t’i japim rëndësinë e duhur. Nuk është thjesht se çfarë na pëlqen apo nuk na pëlqen, por është çështje vlerash kombëtare. Çdo brez duhet të punojë fort me aq mundësi sa ka që të arrijë të paktën deri në gjysmë të rrugës që paraardhësit tanë kanë bërë.

CMG: Cila është ëndrra juaj më e madhe?

Ermira Seilimi: Ëndrra ime më e madhe është që Shqipëria të bashkohet. Shqiptarët ta duan njëri- tjetrin dhe mos e xhelozojnë. Na duhet shumë punë dhe në të rinjtë mund të bëjmë revolucione. Nuk duhet të nënshtrohen të rinjtë, por duhet të punojnë.  Nuk ka asgjë të pamundur na duhet thjesht të jemi besimplotë.

CMG: Si lindi ideja për një bibliotekë në Manastir?

Ermira Selimi: Ideja lindi kur fillova të hulumtoj për shqiptarët ortodoksë, konkretisht familjen Qiriazi. Më pas kisha kuriozitet për shqiptarët  që kanë mbetur atje dhe ne kishim informacion se aty kanë mbetur 5% shqiptarë.  Shqiptarët atje e flasin shqipen me shumë pengesa, kjo si pasojë e literaturës shqiptare të munguar. Shqiptarët kishin vetëm një shkollë fillore ku mësonin Goce Dellçev, tani edhe ajo po boshatiset nga shqiptarët. Shqiptarët  atje do kenë literaturë shqipe dhe nuk do e humbin gjuhën. Ata do përfshihen në aktivitete. Kjo bibliotekë do shërbejë edhe si shkollë e vogël e historisë .

CMG: A keni ju një shifër konkrete të librave të mbledhur?

Ermira Selimi: Nuk ka shifër të saktë të librave, pasi numri i tyre rritet çdo ditë e më shumë. Të gjithë ne të rinjtë duhet të punojmë fortë për kombin dhe të ardhmën tonë. Të rinjët munden!

CMG: Ju vini shpesh në Shqipëri, e doni shumë Tiranën?

Emira Selimi: Shumë e dua dhe shumë më mungon. Andaj dhe e vizitoj shumë shpesh. Mundohem çdo muaj të vij në Shqipëri, ndjehem e qetë dhe e lumtur këtu.

Manastiri (Bitola) është qytet i hershëm mesjetar i ngërthyer në arteriet më të rëndësishme të Ballkanit mesjetar.  Në këtë qytet janë të njohura karvanët tregtarë, të cilët ekspozonin mallrat dhe produktet nga Lindja dhe Perëndimi. Është qyteti i dytë më i madh në Maqedoninë e Veriut, i cili ndodhet në pjesën jugore të vendit.

Ai është qyteti në të cilin është krijuar alfabeti shqip. Qyteti është një qendër administrative, kulturore, industriale, komerciale, dhe edukative.

Në këtë qytet janë takuar shpeshherë përfaqësuesit patriotë shqiptarë si Çerçiz Topulli, Bajo Topulli, Mihal Grameno, Ahmet Njazi, Bej Resnja etj. Manastiri ka qenë kryeqendër gravituese e Vilajetit të Manastirit, i cili përfshinte një sipërfaqe prej 22.000 km katrorë, ku bënin pjesë edhe tokat shqiptare të Iliridës deri në Elbasan. Në afërsi të Manastirit ndodhet edhe qyteti më i ruajtur që ka mbijetuar nga periudha antike – Heraklea. Ai është themeluar nga Filipi i II-të i Maqedonisë në shekullin e IV p.e.s.

Intervistoi: Megi Latifi