Dekorimet me rastin e Vitit të Ri Kinez në Singapor/ foto nga VCG
Qysh nga 6 shkurti, Kina filloi turizmin pilot në grup jashtë vendit të shtetasve kinezë. 20 vende përfshihen në këtë plan pilot, si Tajlanda, Maldivet, Singapori, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti, Kenia, Rusia, Zvicra, Zelanda e Re, Argjentina etj.
Në fakt, në kuadrin e Festës së Pranverës, shumë shtetas kinezë bënë turizëm jashtë vendit në mënyrë indivituale dhe qeveritë e shumë vendeve organizuan aktivitete të larmishme për pritjen e tyre. Në Maldive makinat zjarrfikëse lëshuan ujë në të dy anët e aeroplanit, duke pritur turistët kinezë me një "portë ujore". Në Kamboxhia, Filipine dhe Tajlandë, zyrtarët qeveritarë shkuan në aeroport për të pritur turistët kinezë dhe u dhanë atyre dhurata modeste.
Sipas të dhënave nga platforma e turizmit në internet “Ctrip”, gjatë pushimeve të Festës së Pranverës të këtij viti, numri i rezervimeve për bileta jashtë vendit u shtua mbi katër herë në krahasim me vitin pararendës, ndërsa shumë vende të Azisë Juglindore me klimë të ngrohtë, si Bangkoku, Singapori, Kuala-Lumpuri, Çiangmai, Manila, ishulli Bali etj. ishin destinacionet më të pëlqyera jashtë vendit nga turistët kinezë.
Funksionarët tajlandez pritën kontingjentin e parë të turistëve kinezë në aeroportin e Bankokut, më 1 janar 2023/ foto nga VCG
Chen Linan, drejtori i marrëdhënieve me publikun i “Ctrip”-it, tha se kësaj here destinacioni i parë i turistëve kinezë jashtë vendit ishte Tajlanda, ndërsa kontigjenti i parë i tyre përbëhej kryesisht nga ata në moshën 30 vjeçe, së bashku me fëmijët ose prindërit e tyre.
Sipas Chen-it, rimëkëmbja e tregut të turizmit jashtë vendit do të jetë një proces gradual. Potenciali i këtij tregu ka mundësi të çlirohet më shumë gjatë pushimeve të 1 Majit dhe pushimeve të verës. “Nga njëra anë, turistët do të kenë shumë kohë të lirë dhe, nga ana tjetër, moti i ngrohtë do ta bëjë turizmin më të përshtashëm,” u shpreh ai.
Krahas vendeve të Azisë Juglindore, që ndodhen afër Kinës, edhe Kenia në Afrikën e largët po ndien "ngrohtësinë" e tregut të turizmit të kinezëve jashtë vendit. Menaxherja e përgjithshme e kompanisë turistike “Longren” i tha gazetarit të Grupit Mediatik të Kinës se ajo tashmë po merret me pritjen e disa grupeve turistike kineze, me kohëzgjatje të madhe dhe me shumë anëtarë. “Prirja është shumë e mirë. Tërë janarin isha aq e zënë, sa që nuk pata kohë për pushimet e Festës së Pranverës. Tani në kompaninë time ka mungesë punonjësish dhe duhet të rekrutoj punonjës të rinj sa më shpejt,” theksoi ajo. (Wang Lei/ Artan)
Tajlanda pritet të presë mbi 300 mijë turistë kinezë në tremujorin e parë të vitit 2023/ foto nga VCG