Autoritetet shqiptare shprehin solidaritetin ndaj njerëzve të prekur nga tërmeti në Turqi
2023-02-07 10:07:50

Presidenti shqiptar, Bajram Begaj, shprehu pikëllimin e tij të thellë pas tërmetit shkatërrues që goditi Turqinë dhe Sirinë mëngjesin e së hënës, duke shkaktuar mbi 1000 viktima dhe duke plagosur rreth 6000 të tjerë.

“Unë dhe shqiptarët qëndrojmë pranë njerëzve të prekur dhe familjeve të tyre, që humbën të dashurit e tyre në këtë tragjedi të tmerrshme, duke shprehur ngushëllimet, mendimet dhe lutjet tona të sinqerta”, shkruan presidenti Begaj.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, në një postim në rrjetet sociale, shprehu solidaritetin e shqiptarëve në krah të njerëzve të prekur nga tërmeti. “Lutemi për ju dhe ju jemi pranë në këto ditë të rënda. Solidaritet, kurajë e forcë për të përballuar pasojat e kësaj goditjeje të natyrës”,- shkruan Nikolla.

Edhe ministrja për Europë dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave që humbën jetën nga tërmeti që goditi Turqinë dhe Sirinë mëngjesin e të hënës. Kryediplomatja Xhaçka ka shprehur mbështetjen e Shqipërisë për Turqinë dhe gatishmërinë për t’i ardhur në ndihmë në këto orë të vështira.

“Zemrat dhe lutjet tona shkojnë për viktimat e tërmetit tragjik që goditi Turqinë dhe Sirinë duke shkaktuar shumë viktima. Në këtë orë të vështirë, ne jemi gati të ndihmojmë Turqinë në çdo mënyrë që mundemi”,- u shpreh Xhaçka.

Sipas saj nuk ka informacione për shqiptarë të lënduar ose që mund të kenë humbur jetën në këtë ngjarje. (Fatosi)