Çmimet e naftës rriten, pritet mëkëmbje e kërkesës nga Kina
2023-02-07 20:21:08

VCG

Objekte të përpunimit të naftës në Cangzhou të provincës kineze Hebei, 19 dhjetor 2022. / CFP

Çmimet e naftës u rritën për ditën e dytë radhas të martën, teksa për shkak të tërmetit një terminal i madh eksporti në Turqi ndërpreu punën dhe një fushë naftëmbajtëse në Detin e Veriut u mbyll papritur, ndërsa kërkesa në Kinë, importuesja më e madh në botë, duket se do të rritet.

Çmimet me zbatim të ardhshëm të naftës bruto "Brent"  u rritën 82 centë, ose 1.01 për qind, duke arritur në 81.81 dollarë amerikanë për fuçi, ndërsa të naftës bruto të ndërmjetme të Teksasit Perëndimor u rritën po ashtu 82 centë, ose 1.11 për qind, në vlerën 74.93 dollarë për fuçi.

Funksionimi i terminalit të naftës në Xhejhan të Turqisë ndaloi pas tërmetit të madh që goditi rajonin. Ky terminal mund të eksportojë deri në 1 milion fuçi naftë të papërpunuar në ditë.

VCG

VCG

Terminali Baku-Tbilisi-Xhejhan, i cili eksporton naftën e papërpunuar të Azerbajxhanit në tregjet ndërkombëtare, do të qëndrojë i mbyllur nga 6 deri më 8 shkurt, teksa operatorët vlerësojnë dëmet e tërmetit, tha një agjent turk i transportit detar.

Daniel Hynes, strategjist i lartë në bankën ANZ në Sidnei të Australisë, theksoi në një shënim  mbylljen e Xhejhanit dhe të  fazës së parë të fushës naftëmbajtëse "Johan Sverdrup" në zonën e Norvegjisë të Detit të Veriut si faktorët kryesorë për ngritjen e çmimeve.

"Shenjat e kërkesës më të madhe kanë forcuar sentimentin," shtoi ai.

VCG

VCG

Një pjesë e madhe e këtij sentimenti vjen nga optimizmi për kërkesën e Kinës për lëndë djegëse. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë pret që gjysma e rritjes globale të kërkesës për naftë sivjet të vijë nga Kina, tha të dielën kreu i kësaj agjencie, duke shtuar se kërkesa për karburant avionësh po rritej.

"Goldman Sachs" e ngriti parashikimin e vet lidhur me kërkesën për naftë të Kinës në tremujorin e katërt të këtij viti në 16 milionë fuçi në ditë, 400 mijë më shumë nga vlerësimi i mëparshëm, ndërsa pret që kërkesa e përgjithshme vjetore më 2023 të rritet me 1 milion fuçi në ditë.