Tërmeti i fortë në Turqi shkakton mbi 3 mijë viktima e mijëra të plagosur
2023-02-07 10:17:52

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Mbi 3 mijë persona humbën jetën dhe mbi 6000 të tjerë u plagosën pasi dy tërmete të forta goditën Turqinë herët të hënën dhe dëmtuan më shumë se 1700 ndërtesa, thanë burime zyrtare turke, njofton “Xinhua”.

Një tërmet me magnitudë 7.4 goditi rrethin Pazarcik të provincës jugore Kahramanmaras në orën 04:17, pasuar nga një tjetër tërmet me magnitudë 6.4, i cili goditi provincën jugore Gaziantep në orën 04:26, bëri të ditur Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave të vendit.

Tërmeti kishte një thellësi prej 7 km.

Sipas autoriteteve, dhjetëra tërmete të njëpasnjëshme janë regjistruar me një magnitudë maksimale prej 6.6 ballë.

Dëme u raportuan në të paktën 10 provinca në Turqinë jugore dhe juglindore.

Transmetuesi “NTV” tregoi dhjetëra ndërtesa të shembura në disa provinca dhe njerëz të grumbulluar nëpër rrugë, me punonjësit që kryenin operacionet e kërkim-shpëtimit.

“Ne dërguam të gjitha ekipet tona të kërkimit dhe shpëtimit në zonat e tërmetit. Kemi vendosur alarmin më të lartë, atë të nivelit të katërt. Ky është një alarm që përfshin ndihmën ndërkombëtare”, u tha gazetarëve ministri i Brendshëm turk, Suleyman Soylu.

Tërmeti erdhi pasi rajoni ishte përfshirë nga një stuhi dëbore që pritet të vazhdojë deri të enjten.

Tërmeti i së hënës besohet të jetë më i forti në Turqi që nga ai i vitit 1939, me magnitudë 7.9 në provincën lindore Erzincan të, i cili vrau rreth 33.000 njerëz. (Fatosi)