Janari ka sjellë për lexuesit shqiptarë autorë vendës dhe të huaj, që nga libri i shumë diskutuar i Ben Blushit, deri tek romanet fiction, që gjithmonë kanë një publik që i pret.
“41 sekrete” nga Ben Blushi
Ky libër përmbledh 41 histori njerëzish të ndryshëm, shkruar nga Ben Blushi në formën e rrëfimeve dhe sekreteve të jetës së tyre. Përveç rrëfimeve, Ben Blushi ka fotografuar të gjitha personazhet e tij, duke harmonizuar fotografinë bardhezi me përshkrimin dhe dialogun artistik që ka zhvilluar me secilin prej tyre. Personazhet variojnë nga njerëz të familjes së tij te miqtë; shkrimtarë si Ismail Kadare, aktorë si Robert Ndrenika, Monika Lubonja e Viktor Zhusti, piktorë, klerikë, fotografë, këngëtarë si Dren Abazi e Bojken Lako, sportistë; afganë, ukrainas, si dhe pinjollë të familjeve të shquara si nipin e Ismail Qemalit, nipin e Faik Konicës apo vajzat e Lasgush Poradecit dhe Vangjush Mios. Sekretet mbyllen me një rrëfim të sinqertë se si të bëhesh mysliman në Kavajë. Libri është botuar Botimet pegi dhe kushton 1200 lekë.
Dekadën e fundit në Shqipëri është rritur përkthimi i autorëve aziatikë, kryesisht kinezë dhe japonezë. Edhe në botimet e muajit janar vërehen tituj të rinj nga autorë të mirënjohur aziatikë, që tashmë nuk do të jenë të panjohur për tregun shqiptar të librit.
“Dita e shtatë” nga Yu Hua
“Dita e shtatë” – një udhëtim në ferrin e kohëve moderne, ku na udhëheq Yang Fei, heroi kryesor i romanit, që vdes papritmas në moshën dyzetenjëvjeçare. Duke mos pasur truall për varr, atij i duhet të endet pa pushim në botën e përtejme, pa një qëllim të caktuar. Gjatë harkut kohor të shtatë ditëve (koha që iu desh Zotit të krijonte botën), heroi ynë takon shpirtrat e njerëzve që ka humbur në jetë dhe kupton se bota e përtejme ngërthen të gjitha fatkeqësitë e epokës moderne. Teksa Yang Fei u rikthehet çasteve kryesore të jetës së vet, ne do të njihemi me disa personazhe të jashtëzakonshme: babanë birësues, ish-bashkëshorten e tij që ka vrarë veten, fqinjët që kanë vdekur në gërmadhat e shtëpive që ua shembën, e me plot personazhe të tjera. Rrugëtimi i personazhit kryesor ravijëzon hartën e këtij kombi të madh: absurditetet, dhimbjet dhe shpirtin e tij. Botues është Albas dhe kushton 1 000 lekë.
“Lepurushi i mallkuar” nga Bora Chung
Shkrimtarja dhe aktivistja koreanojugore Bora Chung befasoi botën letrare gjatë vitit 2022 me këtë përmbledhje tregimesh që sfidon kategorizimin, duke mjegulluar vijën ndarëse mes realizmit magjik, horrorit dhe fantashkencës. Nga një shkrimtare e pabotuar më parë në Shqipëri, “Lepurushi i mallkuar” është unik dhe plot imagjinatë, përzien horrorin, fantashkencën, përrallat dhe trillimin spekulativ, në tregime që sfidojnë kategorizimin. Njëherë provokues e njëherë të neveritshëm, përbindëshat këtu marrin format e krijesave me gëzof të pyllit dhe rreziku fshihet në cepat e papritura të godinave të zakonshme. Por në këtë përmbledhje të paharrueshme, universi absurd dhe përndjekës i Chung-ut mund të jetë i yni, duke hedhur dritë mbi të këqijate shoqërisë bashkëkohore. Libri është botuar nga Onufri dhe kushton 1 000 lekë.
“Gjinj dhe vezë” nga Mieko Kawakami
Ky libër tregon historinë e tre grave, shkruar nga një shkrimtare që vlerësohet si romancierja bashkëkohore më e rëndësishme e Japonisë, Fituese e Çmimit Akutagawa.
Kawakami ka sfiduar çdo paragjykim për rrëfimin dhe stilin e prozës, ka përzierë satirën me thellësinë përfshirëse emocionale dhe sot është një nga shkrimtaret më të rëndësishme e të shitura të Japonisë. Ajo u shfaq në skenën kulturore fillimisht si muzikante, më pas si poete dhe blogere e njohur, ndërsa tani është romanciere, fituese e disa çmimeve. Në libër tregohet historia e tre grave: tridhjetëvjeçares Natsu, motrës së saj më të madhe, Makiko, dhe vajzës së Makiko-s, Midoriko. Makiko ka udhëtuar për në Tokio, në kërkim të një operacioni. Ajo shoqërohet nga Midoriko, e cila së fundmi është bërë më e heshtur dhe e ka të vështirë të shprehë presionet e paqarta dhe të papërballueshme që lidhen me rritjen. Heshtja e saj shërben si katalizator për secilën grua që t’u bëjë ballë frikërave dhe shqetësimeve që ka. Dhjetë vite më vonë, në një tjetër ditë të nxehtë vere, Natsu, gjatë një udhëtimi drejt vendlindjes, lufton me identitetin e saj të paqartë, ndërsa përballet me ankthin që po plaket e vetmuar dhe pa fëmijë. Libri është botuar nga Onufri dhe kushton 1500 lekë
“Zonja e fundit Perrish” nga Liv Constantine
Me miliona kopje të shitura brenda pak kohësh, ky libër është ndër prurjet e fundit për këtë fillim viti. Me kthesa tronditëse dhe sekrete të errëta që do t'u mbajnë të hamendësoni deri në fund, Zonja e fundit Parrish është një thriller i freskët dhe krejtësisht kompleks, i shkruar nga një talent si Liv Constantine. Amber Petërsoni është lodhur duke qenë askush: një vajzë e padukshme, e cila shkrihet mes turmës. Ajo meriton më shumë: një jetë mes luksit, xhevahireve dhe kënaqësive. Dafne Perrishi është vajza e artë e Bishop Harborit, Konektikat. Me një pamje prej modeleje, vilën e ëndrrave dhe burrin milioner, ajo ka gjithçka që dëshiron Amberi. Amberi vdes nga zilia... ama e ka një plan. Sa hap e mbyll sytë, ajo bëhet shoqja e ngushtë e Dafnes dhe nuk ia ndan sytë Xheksonit, bashkëshortit të saj. Vetëm se një sekret nga e kaluara mund t’i shkatërrojë gjithçka dhe, nëse zbulohet, plani i mirëmenduar i Amberit do të bëhet copë e çikë... Ky libër është botim i Living dhe kushton 1200 lekë.