Sokratis Kolagki ka lindur në Greqi dhe që në moshë të vogël ka qënë i apasionuar pas futbollit. Prindërit e tij emigruan nga vendlindja e tyre Saranda në shtetin grek në vitin 1993 për një jetë më të mirë. Sokratis kur ishte 14 vjeç u largua nga Greqia bashkë me familjen për t’u vendosur në Angli, ku jetojnë sot. Ai ka luajtur futboll me akademitë e ekipeve greke, me Cadiz në Spanjë dhe tani luan me ekipet angleze. Dëshira e tij është që një ditë t’i bashkohet skuadrës së kombëtares së Shqipërië. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ai tregon për karrierën e tij futbollistike si dhe ëndrrat që ka për të ardhmen në lidhje me futbollin.
CMG: Ju keni lindur në Greqi, por kur kanë emigruar prindërit tuaj në shtetin grek?
Sokratis Kolagki: Prindërit e mi kanë emigruar në vitin 1993, ku në fillim shkoi babai në Greqi dhe pas dy viteve shkoi dhe mamaja ime. Si shumë njerëz në atë kohë edhe prindërit e mi emigruan për një jetë më të mirë. Ndërsa unë kam lindur në vitin 2000 në Greqi.
CMG: Deri në cilën moshë keni jetuar në Greqi dhe pse u larguat për në Angli?
Sokratis Kolagki: Unë u linda dhe jetova në Greqi deri në moshën 14 vjeç, pastaj në janar të vitit 2015 bashkë me familjen u larguam për në Angli. Arsyeja e largimit ishte sepse motra ime studionte në Angli dhe ne si familje erdhëm më afër saj. Në sezonin 2015-2016 firmosa kontratën me akademinë e ekipit anglez Port Vale, që në atë sezon luanin në kategorinë e tretë të Anglisë, League One.
CMG: Si ka qenë jeta juaj në moshën e adoleshencës deri 14 vjeç në Greqi?
Sokratis Kolagki: Ishte shumë bukur sepse kisha shokët e mi atje dhe prindërit. Jeta në Greqi ishte shumë e bukur.
CMG: Kur ka nisur pasioni për futbollin?
Sokratis Kolagki: Pasioni për futbollin ka filluar në moshë shumë të vogël, kam qenë katër ose pesë vjeç. Arsyeja më e madhe për futbollin është se babai im luante futboll para se të ikte në Greqi dhe unë isha gjithmonë me të nëpër fusha, luaja me babain dhe e shikoja kur luante futboll. Kështu fillova dhe unë futbollin.
CMG: Cili është pozicioni që mbani në fushë?
Sokratis Kolagki: Unë jam sulmues sepse çdo lojtar ka rolin e tij dhe sulmuesi është një rol shumë i vështirë sepse duhet të shënosh gola, por dhe mesfushori apo mbrojtësi janë role shumë të vështira në fushë.
CMG: Me cilat nga ekipet greke keni luajtur kur jetonit në Greqi?
Sokratis Kolagki: Kur isha në Greqi luaja me akademitë e ekipit Enosi Ermionidias FC, isha dhe me ekipet e akademisë në Korinthos. Unë kam luajtur futboll me shumë akademi në Greqi.
CMG: Me cilat ekipe jeni aktivizuar në Angli?
Sokratis Kolagki: Kur erdha për herë të parë në Angli isha me akademitë e ekipit Port Vale, ku në atë sezon luanim në kampionatin e Ligës së parë. Isha një vit me Port Vale, pastaj u transferova tek akademitë e Stoke City-t që luanin në Premiere League. Aty qëndrova një vit me këtë skuadër dhe pastaj shkova në Spanjë një vit. Aktualisht luaj me ekipin e parë të Dorking Wanderers në kampionatin e Ligës kombëtare.
CMG: Si është jeta juaj futbollistike tani në Angli?
Sokratis Kolagki: Në Angli futbolli është shumë i madh dhe këtu jeta e futbollistit është shumë e thjeshtë, stërvitje dhe palestër. Këto janë gjërat që bëj dhe jo ndonjë gjë të veçantë.
CMG: Si ishte eksperienca juaj njëvjeçare në Spanjë?
Sokratis Kolagki: Ishte një eksperiencë shumë e bukur. Kur shkova në Spanjë isha 17 vjeç dhe ishte vërtetë shumë bukur, ku luajta atje një vit me akademitë e ekipit të Cadiz. Futbolli në Angli është më teknik, por dhe në Spanjë mësova shumë gjëra.
CMG: Futbollin shqiptar e ndiqni?
Sokratis Kolagki: Për momentin nuk dua t’i ndjek, jo se nuk më pëlqen kampionati shqiptar i futbollit, por kam qenë i dëmtuar sepse bëra operacion në gju dhe mundohem mos të shikoj shumë futboll, sepse dua që të luaj.
CMG: Sa kohë keni që jeni dëmtuar dhe nuk luani futboll?
Sokratis Kolagki: Unë kam bërë operacion në gju në gusht dhe tani jam duke bërë rehabilitim. Bisedova me doktorin e ekipit dhe me trajnerët dhe janë shumë të kënaqur deri tani. Besoj se këtë muaj do të futem në stërvitje me ekipin.
CMG: Besoj se do të riktheheni më i fortë në fushë pas rikuperimit?
Sokratis Kolagki: Patjetër 100 për qind sepse kam pesë muaj që jam në palestër dhe përgatitem çdo ditë. Mezi pres që të kthehem në fushë.
CMG: Ju ka munguar fusha e blertë dhe shokët e ekipit gjatë kësaj periudhe që keni qenë i dëmtuar?
Sokratis Kolagki: Me shokët e ekipit flisja gjithmonë në Whatsapp dhe Instagram, por më mungojnë shokët si dhe të luaj ndeshje me ekipin. Më mungon të jem në stërvitje çdo ditë me shokët e ekipit.
CMG: E vizitoni shpesh Shqipërinë?
Sokratis Kolagki: Shqipëria më mungon shumë. Kam tre vjet pa e vizituar, por shpresoj që muajin tjetër do të kem kohë të lirë për ta vizituar Shqipërinë.
CMG: Çfarë ju pëlqen më shumë nga Saranda, vendlindja e prindërve tuaj?
Sokratis Kolagki: Në fakt në Sarandë më pëlqejnë të gjitha sepse është një vend shumë i bukur në verë dhe dimër. Atje kam familjen, gjyshërit e mi dhe shumë familjarë të tjerë.
CMG: Kush ju ka mbështetur më shumë në rrugën tuaj sportive?
Sokratis Kolagki: Familja ime gjithmonë më mbështet dhe janë në çdo lëvizje që unë bëj në karrierën time, por më kanë mbështetur shumë edhe shokët e mi, prindërit dhe motra si dhe trajnerët. Pra të gjithë më kanë mbështetur në rrugën time sportive.
CMG: Përveç futbollit, a keni të tjera pasione në jetë?
Sokratis Kolagki: Përveç futbollit më pëlqen shumë të udhëtoj, të shkoj vende të reja dhe të mësoj për kulturën e vendeve të tjera.
CMG: Në cilat vende keni udhëtuar?
Sokratis Kolagki: Kam qenë në Spanjë, Itali, Brazil, Irlandë dhe Turqi, jo shumë vende.
CMG: Si e shikoni të ardhmen tuaj në lidhje me futbollin?
Sokratis Kolagki: Mua nuk më pëlqen të bëj shumë plane të mëdha, por për momentin jam në palestër çdo ditë ku bëj rehabilitimin. Shpresoj që do të kthehem në një formë shumë të mirë dhe më i fortë se sa isha para dëmtimit.
CMG: Do kishe dëshirë të luaje me Kombëtaren e Shqipërisë?
Sokratis Kolagki: Patjetër, e kam ëndërr të luaj me bluzën kuq e zi një ditë. Unë në vitin 2018 isha në një kamp trajnimi me kombëtaren shqiptare në Romë të Italisë dhe kam shumë dashuri për kombëtaren e Shqipërisë.
CMG: E ndjek ekpin kombëtar në çdo ndëshje që luan?
Sokratis Kolagki: Patjetër që e ndjek.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.
Sokratis Kolagki: Faleminderit shumë për këtë intervistë dhe shpresoj të takohemi kur të vij në Shqipëri.
Intervistoi: Gazmend Agaj