BSH: Inflacioni do të kthehet në objektiv në gjysmën e pare të 2024
2023-02-06 14:43:13

Gent Sejko (Foto BSH)

Gent Sejko (Foto BSH)

Në mbledhjen më të fundit Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.75%. Teksa komunikoi vendimin, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko bëri një përmbledhje të situatës aktuale ekonomike dhe të treguesve makroekonomikë.


“Inflacioni shënoi rënie në muajt nëntor e dhjetor, aktiviteti ekonomik vijoi të rritet në gjysmën e dytë të vitit, ndërsa efekti i normalizimit të qëndrimit të politikës monetare po shfaqet më i plotë në tregjet financiare. Këto tendenca pritet të vazhdojnë edhe gjatë tremujorëve të ardhshëm. Në veçanti, përditësimi i parashikimeve rikonfirmon pritjet tona se inflacioni do të kthehet në objektiv brenda gjysmës së parë të vitit 2024. Sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar qëndrimin e politikës monetare.”-thote Guvernatori.


Megjithatë, Këshilli Mbikëqyrës konstaton se presionet inflacioniste vijojnë të mbeten të larta dhe normalizimi i mëtejshëm i qëndrimit të politikës monetare në të ardhmen është i nevojshëm për të garantuar kthimin e inflacionit në objektiv.


“Inflacioni i çmimeve të konsumit erdhi në rënie gjatë dy muajve të fundit të vitit 2022. Pasi kulmoi në nivelin 8.3% në muajin tetor, norma e inflacionit zbriti në 7.4% në fund të vitit. Në aspektin e shportës, rënia e inflacionit pasqyroi rënien e çmimeve të naftës dhe të disa artikujve ushqimorë, të diktuara nga ecuria e ngjashme e këtyre çmimeve në tregun ndërkombëtar. Nga ana tjetër, normat e inflacionit të shërbimeve dhe të artikujve të tjerë mbeten në nivele të larta, të krahasueshme me ato të muajve paraardhës”, theksoi ai


Sipas Bankës së Shqipërisë, në aspektin makroekonomik, rënia e inflacionit pasqyroi reduktimin e inflacionit të importuar, ndërkohë që presionet e brendshme inflacioniste mbeten të larta. Aktiviteti ekonomik në vend vijoi të rritet edhe gjatë gjysmës së dytë të vitit 2022.


Rritja ekonomike logo(Foto BSH)

Rritja ekonomike logo(Foto BSH)

“ Rritja ekonomike u përshpejtua në 4% në tremujorin e tretë, pas ngadalësimit të përkohshëm në tremujorin paraardhës. Në këndvështrim sektorial, rritja ekonomike u mbështet nga zgjerimi i aktivitetit në sektorët e ndërtimeve dhe të shërbimeve, ndërkohë që aktiviteti industrial u tkurr dhe prodhimi bujqësor ishte pothuajse i pandryshuar. Në këndvështrimin e kërkesës, rritja ekonomike u ushqye nga rritja e konsumit familjar dhe e investimeve private, ndërkohë që sektori publik dhe shkëmbimet tregtare me jashtë neto patën efekt frenues.”, bëri të ditur Sejko


Sipas Bankës së Shqipërisë, rritja ekonomike është shoqëruar me rritje të punësimit dhe të pagave. 


“Punësimi u rrit me 4.2%, shkalla e papunësisë zbriti në minimumin e ri historik prej 10.6% dhe paga mesatare në sektorin privat u rrit me 12.3% në tremujorin e tretë. Ecuria pozitive e tregut të punës krijon premisa për qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike në të ardhmen, por sinjalizon edhe për rritje të shpejtë të kostove të prodhimit dhe presione mbi çmimet e konsumit.”- thotë Guvernatori i BSH.


Tregjet financiare sipas Bankës Qëndrore kanë funksionuar normalisht. 


“Ecuria e yield-eve të letrave me vlerë të qeverisë ka shfaqur shenja korrektimi dhe normalizimi. Normat e interesit të depozitave dhe kredive bankare kanë ardhur në rritje, si pasojë e normalizimit të politikës monetare në vend dhe në botë, por niveli i tyre mbetet ende stimulues për rritjen e konsumit dhe të investimeve. Për rrjedhojë, ndonëse në ngadalësim, kredia për sektorin privat ka vijuar të shfaqë flukse pozitive mujore dhe rritje pozitive vjetore, duke mbuluar nevojat e bizneseve dhe familjeve për mjete financiare. Paralelisht me to, kursi i këmbimit ka shfaqur tendenca forcimi kundrejt monedhave kryesore ndërkombëtare, si pasojë e të ardhurave të larta valutore dhe e primeve të kontrolluara të rrezikut.”


Tregu (Foto Gazeta Express)

Tregu (Foto Gazeta Express)

Përditësimi i parashikimeve sugjeron se inflacioni do të bjerë gradualisht gjatë vitit 2023 dhe do të kthehet në objektiv në gjysmën e parë të vitit 2024.Parashikimet e Bankës së Shqipërisë thonë se  rritja ekonomike e vendit pritet të mbetet në territor pozitiv, e ushqyer nga bilancet e shëndetshme të sektorit privat, nga dinamikat pozitive të tregut të punës, nga reduktimi i pasigurisë dhe nga një ambient financiar ende akomodues. Këshilli Mbikqyrës vendosi gjithashtu të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 3.75% dhe të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 1.75%.