Porti Lianyungang i Kinës Lindore/ foto nga VCG
Në vitin 2023, Kina do të stabilizojë tregun e eksportit, do të zgjerojë importin dhe do të përpiqet të stabilizojë zinxhirin e furnizimit të tregtisë globale, duke shfrytëzuar epërsinë e vendit me treg super të madh, bëri të ditur një zyrtar i Ministrisë së Tregtisë të Kinës gjatë një konference shtypi ditët e fundit nga Zyra e Informacionit e Këshillit të Shtetit të Kinës.
Vitin e kaluar, vëllimi i përgjithshëm i tregtisë së jashtme të Kinës i kaloi 40 trilionë juanët për herë të parë, duke përballuar shumë goditje të paparashikuara. Lidhur me këtë, drejtori i Drejtorisë së Tregtisë së Jashtme të Ministrisë së Tregtisë Li Xingqian vuri në dukje se, krahas zgjerimit të përmasës së tregtisë së jashtme, edhe struktura e saj ka pasur përmirësim të vazhdueshëm. Produktet me teknologji të larta, me vlerë të shtuar të lartë dhe me transformim të gjelbër, si automjetet elektrike, produktet fotovoltaike, bateritë e litiumit etj., janë bërë pika e re e rritjes së eksportit. Ndërkohë, mënyrat e reja të tregtisë së jashtme, si biznesi ndërkufitar, mënyra e tregtisë me prokurim në treg etj., kanë pasur zhvillimin e vrullshëm, duke realizuar një vëllim të përgjithshëm import-eksporti prej mbi 3 trilionë juanësh.
Duke folur për situatën e sivjetshme, Li theksoi se aktualisht janë shtuar rreziqet e recesionit të ekonomisë botërore dhe është ngadalësuar dukshëm rritja e kërkesës së jashtme. Edhe zinxhiri ndërkombëtar i furnizimit është në ristrukturim e sipër. Prandaj, tregtia e jashtme e Kinës ndodhet përpara një mjedisi shumë serioz. Për përballimin e kësaj gjendjeje, “në vitin 2023, nga njëra anë, do të vazhdojmë të përmirësojmë strukturën e tregtisë së jashtme e të ruajmë përmasën e saj dhe, nga ana tjetër, do të nxisim vazhdimisht hapjen e nivelit të lartë dhe do të lehtësojmë e thjeshtojmë procedurat e tregtisë së jashtme,” vuri në dukje Li.
Një punëtore në një fabrikë të tekstileve në provincën Shandong punoi gjatë Festës së Pranverës për porositën e tregtisë së jashtme/ foto nga VCG
Kina do të nxitë dhe rifillimin e gjithanshëm të ekspozitave në terren, si Ekspozita Ndërkombëtare e Importit e Kinës, Panairi i Import-Eksportit i Guangzhou-t etj., që të zgjerojë më tej importimin e mallrave cilësore të vendeve të ndryshme. Njëkohësisht, Kina do ta nxitë dhe eksportet e ndërmarrjeve të vogla e të mesme dhe të mikrondërmarrjeve, duke shfrytëzuar mënyrën digjitale, theksoi Li.
Sipas të dhënave statistikore, në vitin 2022, investimet e huaja në Kinë u shtuan vazhdimisht dhe vlera e përgjithshme e tyre i kaloi 1.2 trilionë juanët, duke shënuar rekord dhe duke pasur një rritje prej 8 për qind në krahasim me vitin pararendës. Përmasa e tërheqjes së investimeve të huaja nga Kina u radhit përsëri në vendet e para të botës. Faktet tregojnë edhe një herë se Kina është ende destinacion tërheqës për investimet e huaja. Lidhur me këtë, drejtorja e Drejtorisë së Administrimit të Investimeve të Huaja në Ministrinë e Tregtisë të Kinës Meng Huating tha se gjendja e përgjithshme e ekonomisë kineze me qëndresë të fortë, potencial të madh e gjallëri të plotë, si dhe prirja e mirë afatgjatë e saj, nuk kanë ndryshuar. Tregu kolosal i Kinës vijon të ketë një "forcë tërheqëse magnetike" për investimet e huaja.
Kohët e fundit, shumë institucione ndërkombëtare kanë publikuar parashikime më optimiste për rritjen e ekonomisë kineze. “Rritja ekonomike nënkupton raste për investime,” theksoi Meng-u. Sipas një sondazhi kohët e fundit, pjesa dërrmuese e kompanive me investime të huaja në Kinë shprehën optimizëm për perspektivën e ekonomisë kineze këtë vit. Kina, me popullsi prej mbi 1.4 miliardë banorësh, është tregu numër dy i konsumit në botë dhe ka potencial të madh tregu. “Falë këtij tregu super të madh, sistemit të përsosur industrial, burimeve të pasura të krahëve të punës dhe mjedisit të përmirësuar të biznesit, investitorët e huaj kanë ende shumë dëshirë për të investuar në Kinë,” u shpreh Meng Huating-u. (Wang Lei/ Artan)
Një punëtor në një fabrikë të prodhimit të rrethit të çeliktë të biçikletave në provincën Zhejiang punoi për porositën e tregtisë së jashtme/ foto nga VCG