Veliaj: 2023-shi do të jetë viti i studentëve për Tiranën
2023-02-06 12:07:48

“Viti 2023, përveçse është viti i Qytetit Europian të Sportit, do të njihet edhe si viti i studentëve për Tiranën dhe investimet e bëra”, citon “RTSH” kryebashkiakun Erion Veliaj.

Duke inspektuar punimet për ndërtimin e tre godinave të reja studentore në “Qytetin Studenti”, Veliaj tha se ky është kantieri i fundit që do të transformojë rrënjësisht jetesën e studentëve në kryeqytetin shqiptar.

“Pas ndërtimeve në Universitetin Bujqësor të Tiranës në Kamzë dhe Fakultetin e Inxhinierisë, 2023-shi është viti kur plotësohet edhe Qytetin Studenti”,- tha Veliaj.

Ai zbuloi planin e Bashkisë së Tiranës për ta kthyer Qytetin Studenti në një kampus universitar dinjitoz.

“Shumë shpejt do të prezantojmë konceptet e reja për Fakultetin e Drejtësisë, Fakultetin Ekonomik, Shkencat Sociale, pra godinat e reja që do të vendosen këtu. Për sa kohë që studentët nuk kanë nevojë të futen në trafikun e Tiranës, por do të dalin nga konvikti për të shkuar në fakultet, besoj se do të jetë vërtet një formulë fituese për Tiranën”,- deklaroi Veliaj. (Fatosi)