Perëndimi zbaton kufijtë e çmimeve për produktet ruse të naftës
2023-02-06 15:37:55

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Zbatimi i kufijve të mëtejshëm të çmimeve për produktet e naftës ruse në det, i miratuar të shtunën nga Bashkimi Europian (BE) dhe G7-a, filloi të dielën, pavarësisht zotimit të Rusisë për të marrë masa për të mbrojtur interesat e saj, njofton “Xinhua”.

Kufiri i çmimit për produktet e naftës “premium në bruto”, të tilla si nafta, vajguri dhe benzina, është vendosur në 100 dollarë amerikanë për fuçi, ndërsa kufiri për produktet e naftës “me zbritje në bruto”, është vendosur në 45 dollarë për fuçi, njoftoi Komisioni Europian në një njoftim për shtyp.

Ai përfshin një periudhë 55-ditore “wind-down” për produktet e naftës ruse në det të blera mbi kufirin e çmimit, me kusht që të ngarkohet në një anije në portin e ngarkimit përpara datës 5 shkurt 2023 dhe të shkarkohet në portin përfundimtar të destinacionit përpara 1 prill 2023, shtoi komisioni.

Ndërkohë, ndalimi i BE-së në qershor 2022 për importet e produkteve ruse të naftës hyri gjithashtu në fuqi të dielën.

Kremlini paralajmëroi të premten për një zhbalancim të mëtejshëm në tregjet globale të energjisë. “Natyrisht kjo do të çojë në një çekuilibër të mëtejshëm të tregjeve ndërkombëtare të energjisë, por ne po marrim masa për të mbrojtur interesat tona ndaj rreziqeve të lidhura”,- u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.

Në dhjetor 2022, BE vendosi një kufi çmimi prej 60 dollarë amerikanë për fuçi për naftën e papërpunuar ruse të transportit detar, një masë e miratuar nga G7-a.

Sipas kufirit të çmimit, sigurimet, financat dhe shërbimet e tjera për dërgesat e naftës ruse do të ndalohen nëse nafta shitet për më shumë se 60 dollarë amerikanë për fuçi.

Në përgjigje, presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi një dekret më 27 dhjetor 2022, duke shpallur kundërmasa për tavanin e çmimit të naftës ruse.

Sipas dekretit, furnizimi i naftës dhe produkteve të naftës ruse për personat juridikë dhe individë të huaj do të ndalohet nëse në kontrata përcaktohet drejtpërdrejt ose indirekt një kufi çmimi.

Presidenti rus mund të japë leje të posaçme për dërgimin e naftës dhe produkteve të naftës, të ndaluara ndryshe sipas dekretit. (Fatosi)