Këngëtarja Alisa Opari Luzi ka lindur në Hollandë nga dy prindër shqiptarë. Ajo nisi të merrej me muzikë që në moshë të vogël, duke u ushtruar si në këndim ashtu dhe në aktrim e kërcim. Në vitin 2018 Alisa përfundoi studimet për Musical Performer në Akademinë “Frank Sanders”, në Amsterdam. Në vitin 2019 interpretoi rolin e princeshës në musikalin “Aladin”, i cili bëri turin e tij artistik në Hollandë dhe Belgjikë. Karrierën e saj muzikore si këngëtare në tregun shqiptar ajo e ka nisur në festivalin “Jeho” dhe më pas ka publikuar vit pas viti disa këngë të tjera të shoqëruara me videoklipe. Në mars të vitit 2020 Alisa publikoi videoklipin e këngës "Shivers", me tekst nga Alisa Opari Luzi, orkestrim nga Enis Mullaj, me të cilën mori pjesë në “Jeho” 2020. Një vit më pas ajo mori pjesë në festivalin Kënga Magjike 2022 me këngën “True love”. Në programin “Muzika shqip” Alisa na tregon për projektin më të ri muzikor, i cili ka vetëm pak ditë që ka dalë dhe mban titullin “Lemza”. Kjo është një ndër këngët më të njohura shqiptare, e interpretuar më parë nga këngëtarja e madhe Artistja e Popullit Vaçe Zela, të cilën tani e sjell në versionin remix, këngëtarja Alisa Opari Luzi.
CMG: Alisa, ti ke lindur në Holandë nga prindër shqiptarë, por e viziton dy herë në vit Shqipërinë…
Alisa Opari Luzi: Sa më shumë që vij, aq më mirë. Këtu në Shqipëri kaloj shumë bukur, por edhe më ndihmon që ta përmirësoj më shumë gjuhën shqipe.
CMG: Ndërsa ke nisur të bësh karrierë muzikore në Holandë, kush të sugjeroi që të bësh karrierë në Shqipëri?
Alisa Opari Luzi: Të them të drejtën ka qenë dëshira ime sepse më pëlqen shumë bashkëpunimi me shqiptarë, më shumë se në Holandë. Gjithashtu ka qenë edhe mësuesja ime e kantos Alma Strazimiri që më ka sugjeruar dhe më ka ndihmuar njëkohësisht, të cilën e falenderoj shumë. Ajo më prezantoi me kompozitorin Enis Mullaj.
CMG: Sa kohë ke që punon me mësuesen Alma Strazimiri?
Alisa Opari Luzi: Kam gati dy vjet që punoj me të online.
CMG: Prej sa vitesh merresh me art, me muzikë?
Alisa Opari Luzi: Unë kam mbaruar shkollën e mesme për aktrim dhe shkollën e lartë për Muzikal në Amsterdam. Pra janë rreth 6 vite studime.
CMG: Ti ke marrë pjesë në shumë spektakle në Holandë, na trego për këto pjesëmarrje?
Alisa Opari Luzi: Spektakli më i madh që kam marrë pjesë ka qenë muzikali “Aladin". Gjithashtu kur kam qenë me studime, kemi luajtur në shumë shfaqje në teatrot më të mëdhenj të Holandës.
CMG: Çfarë kanë vlerësuar më shumë tek ti, mësuesit në Holandë?
Alisa Opari Luzi: Ata më kanë vlerësuar që jam shumë e sinqertë e natyrale, pra jam vetvetja dhe nuk kam ndryshuar asnjëherë.
CMG:Kur ke dëgjuar për herë të parë muzikë shqiptare?
Alisa Opari Luzi: Unë jam rritur me këngët popullore shqiptare, ndërsa nga muzika e lehtë më kanë pëlqyer këngët e Flori Mumajesit. Më pëlqen shumë si kompozitor Flori, por edhe zëri i Elvana Gjatës më pëlqen shumë dhe këngët që bëjnë ata më pëlqejnë sepse i bëjnë me shumë zemër.
CMG: Ke dëshirë të bashkëpunosh me Flori Mumajesin?
Alisa Opari Luzi: Po, kam shumë dëshirë dhe jam e hapur për bashkëpunime.
CMG: Ti ke patur shumë komente për klipin “Ama”. Çfarë kujton nga xhirimet e kësaj kënge?
Alisa Opari Luzi: Videoklipin e kësaj kënge e kemi xhiruar në Durrës dhe nuk do ta harroj dot. Ka qenë një eksperiencë e veçantë. Ishim në qendër të Durrësit dhe unë kisha veshur me një palë sutjena dhe xhaketë sipër ndërsa isha duke shëtitur nëpër qytet me biçikletë si në Holandë, e veshur me taka të larta duke dëgjuar muzikë me një boks.
CMG: Pse në Hollandë me taka i jepni biçikletës?
Alisa Opari Luzi: Jo aty jo (qesh) bëra një kombinim mes Shqipërisë dhe Holandës. Por nuk mund ta harroj kurrë mënyrën se si më kanë parë njerëzit, sikur isha e çmendur (qesh). Unë i shijova ato momente sepse ishte një ditë e bukur me diell dhe deti gjithashtu.
CMG: Si e pritën këtë videoklip ndjekësit në Shqipëri dhe në Holandë?
Alisa Opari Luzi: E pritën shumë mirë, kam patur komente jo vetëm nga Shqipëria, por nga vende të ndryshme të botës, madje edhe nga Afrika ndoshta nga lloji i muzikës. Gjithashtu kisha komente edhe nga Gjermania, Italia etj. Ishte një këngë e lehtë vere dhe u pëlqye.
CMG: Por ti ke realizuar këngë edhe në gjuhën angleze. Si janë pritur ato?
Alisa Opari Luzi: Unë kam bashkëpunuar me Enis Mullaj dhe Eriona Rushitin.
CMG: Ti more pjesë në edicionin e fundit të Festivalit "Kënga Magjike" me këngën "True Love", por kënga ishte në shqip. Si ishte për ty kjo eksperiencë në këtë festival me një audiencë kaq të madhe?
Alisa Opari Luzi: Enisi e kishte bërë këngën që në maj dhe kishte një frymëzim shumë të madh dhe në mendje kishte që ta këndoja unë këtë këngë. E dëgjoi më pas Eriona dhe e pëlqeu. Më pas çdo gjë u kurua me detaje, ndërsa për paraqitjen time skenike u kujdes Joni Peçi. Gjatë festivalit kam takuar artistë të rinj për të cilët kam shumë respekt.
CMG: Ti këtë herë e kalove vitin e ri në Shqipëri, jo vetëm për të festuar, por edhe për disa punë të tjera...
Alisa Opari Luzi: Kam qenë me disa familjarë, me shokë e shoqe, kemi kaluar shumë bukur. Përveç festimeve unë këtë herë erdha me makinë dhe përgjatë gjithë rrugës kemi xhiruar momente të bukura në Kroaci, në Shqipëri, të cilat unë i solla në videoklipin tim të ri. “Lemza” është kënga e njohur shqiptare e kënduar nga Artistja e Popullit Vaçe Zela. Kjo këngë me tekst nga Haxhi Rama, muzikë nga Agim Krajka, ka ardhur tashmë në versionin remiks nga Enis Mullaj dhe Ulis Krajka.
CMG: Alisa na trego se çfarë të pret tjetër përgjatë vitit 2023 në Holandë?
Alisa Opari Luzi: Unë në Holandë merrem më shumë me aktrim, kërcim dhe kanto, pra jap mësimdhënie për mosha të ndryshme dhe nga vende të ndryshme, si në shtet ashtu edhe në mënyrë private. Mua më pëlqen shumë ky kombinimi i qetësisë në Holandë si dhe puna aty me fëmijët që i dua shumë, por më pëlqen edhe ritmi që ka jeta këtu në Shqipëri.
CMG: Unë të uroj shumë suksese dhe të të realizohen gjithçka që ti dëshiron!
Alisa Opari Luzi: Shumë faleminderit.
Intervistoi: Sava Lena