Reshit Boka është këngëtar i njohur i muzikës popullore qytetare, ku ka më shumë se tre dekada që sjell për publikun shqiptar këtë muzikë. Jeta e tij artistike është e pasur me aktivitete dhe pjesëmarje në evenimente të shumta si në Maratonën e këngës popullore, Hiti i këngës popullore, Sofra e Tiranës, Këngë Moj dhe shumë evente të tjera brenda dhe jashtë vendit. Ai vazhdon të jetë i pranishëm në gëzimet familjare dhe koncerte live për publikun. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) Reshiti tregon për rrugëtimin e tij artistik si dhe projektet muzikore në të ardhmen.
CMG: Ju keni një karrierë të gjatë muzikore, 37 vite në skenë me muzikën pranë publikut. Si kanë qenë fillimet tuaj me muzikën dhe si lindi ky pasion?
Reshit Boka: Janë shumë vite dhe më duket sikur kam para gjashtë muajve që kam filluar me muzikën. Unë rreth vitit 1985 kam nisur të luaj në kitarë dhe më kujtohet që kam blerë një kitarë akustike në atë kohë se kushtet nuk ishin të favorshme dhe ishte shumë e vështirë për të gjetur instrument të mirë. I kam blerë të ndjerit Medi Prodani një kitarë akustike mesatare dhe me atë fillova këtë profesion, me këngët e liqenit, me serenata, muzikën e lehtë dhe atë qytetare shkodrane, që unë i kam në shpirt këto këngë. Ndryshe nga herët e tjera unë doja të prekja disa detaje për shokët dhe miqtë e mi që kanë ndikuar në fillimet e mia të formimit tim si muzikant dhe këngëtar.
Dëshiroj të përshëndes shokun tim të fëmijërisë Kujtim Hoxha, i cili kishte shumë dëshirë të bëhej muzikant, por që jeta e çoi diku tjetër. Gjithashtu Agim Hilaj, një kitarist shumë i mirë i asaj kohe, Ardjan Dama kitarist dhe këngëtar, pra zanafillën e kam me këta dy muzikantë. Pastaj më vonë me një kolegun tim muzikant shumë i mirë Nazmi Fusha, që ka ndikuar në formimin tim si kitarist dhe këngëtar dhe kam punuar shumë me të. Po ashtu Bardh Balla, Xhevahir Lamuça kitaristë dhe shokë fëmijërie e shumë të tjerë që kanë ndikuar në fillimet e karrierës time.
CMG: Në fillimet tuaja keni interpretuar muzikën e lehtë, por kur keni nisur të këndoni këngët popullore?
Reshit Boka: Unë kam filluar me muzikën popullore rreth viteve 88-89 në dekadat e majit. Pastaj pas vitit 1990 kam marrë pjesë në shumë evenimente si te “Sofra e Tiranës” dhe Ansambli Tirana, por kam qenë herë pas here edhe me Ansamblin shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore. Gjithashtu kam marrë pjesë te “Maratona e këngës popullore”, “Hiti i këngës popullore” dhe sot e kësaj dite vazhdoj të jem prezent në shumë evente. Së fundi kam marrë pjesë dhe te “Këngë Moj” që u organizua nga treshja Pandi Laço, Adi Hila dhe Bledi Laço, ku mora pjesë me djalin tim Stivin me një kolazh popullor.
CMG: Ju keni lëvruar më tepër muzikën popullore të Shqipërisë së mesme, këngët e njohura të Muharrem Gurrës, Isuf Myzyrit dhe Mustafa Budinit. Kjo vjen për faktin që jeni me origjinë nga Tirana dhe zëri juaj i përshtatet këtyre këngëve?
Reshit Boka: Unë jam tironas me origjinë me stërgjysh dhe katragjysh padiskutim. Ajo që duhet të ketë një këngëtar është se duhet patjetër të këndojë këngët e trevës së vet, së pari. Pra unë si këngëtar duhet që të jem i formuar me këngët e trevës së Shqipërisë së mesme, që është Elbasani, Kruja, Tirana, Durrësi dhe Kavaja. Unë që të quhem një këngëtar duhet të di të paktën disa këngë nga të gjitha këto qytete që përmenda.
CMG: Janë disa këngë popullore të shtruara, të krijuara nga kompozitorët që përmendëm më lart që nuk janë të lehta për t’i interpretuar, por ju i keni përcjellë bukur këto këngë.
Reshit Boka: Muharrem Gurra, Isuf Myzyri, Mustafa Budini, Aleksi Ndini janë kompozitorë që lindin njëherë në 100 vjet. Këngët e tyre edhe sot që kanë vite që transmetohen, këndohen dhe nuk të sjellin mërzi, pra janë këngë që domosdoshmërisht në çdo koncert ku ne paraqitemi dhe i këndojmë, nuk e mërzisin publikun. Përkundrazi sa herë që dalim dhe këndojmë nëpër koncerte apo gëzime familjare, populli nuk mërzitet nga këto këngë. Pas vitit 1990 nuk ka pasur shumë prurje në krijimtarinë e re popullore. Ka pasur këngë të reja, por ato janë shumë të varfëra dhe shumë pak prej tyre interpretohen gjatë kësaj periudhe. Pra këngët e këtyre kompozitorëve të mëdhenj janë hite, kanë qenë hite dhe do vazhdojnë të mbeten hite të këngës ppullore. Nëse brezat do t’i transmetojnë këto këngë, ato nuk do të vdesin asnjëherë.
CMG: A mendoni se pas viteve 90-të shijet për muzikën kanë ndryshuar, qoftë dhe te muzika popullore?
Reshit Boka: Unë do të thoja që ne jemi një komb që sido që të jenë prurjet dhe sado që kompozitorët të mundohen të krijojnë gjëra të ndryshme, ne jemi shqiptarë, jemi ballkanas dhe nuk mund të dalim dot nga shinat. Duam apo nuk duam ne do rrimë aty ku jemi, në ato ujëra sepse kemi trashëgiminë kulturore, edhe nëse kompozimet të vijnë të ndryshme, ne do të rrimë në bazë.
CMG: Muzikën e kanë trashëguar të dy fëmijët tuaj, Olta Boka një këngëtare e sukseshme si dhe djali Stivi që po ecën me sukses në rrugën e muzikës. Sa keni ndikuar ju në formimin e tyre muzikor?
Reshit Boka: Këto ngjarje që rrjedhin nuk mund të injektohen me detyrim, por vijnë natyrshëm. Olta dhe Stivi e kanë kultivuar muzikën që së vogli dhe janë edukuar me pianon në shtëpi, me kitarën dhe e kanë thyer veshin me tingullin muzikor. Së pari, ata kanë marrë bazat sepse unë qëkur ishin fëmijë i kam aktivizuar në kurse te Suzana Turku, ku Stivi ka qenë i vogël 5 vjeç e gjysmë, Olta ishte rreth 8 vjeç dhe unë kam bërë detyrën time si prind, aq sa mundësi kisha. Kam pasur dhe profesionin e tillë që kisha kohë të merrem me ta, duke i shkuar nga pas, por mund të mundohesh sa të duash si prind dhe mund të arrish deri në një formim, por nuk e kam në dorë unë si baba. Atë e ka në dorë vetë fëmija, e ka në dorë Zoti që të jep një talent të tillë që është më kryesorja, pastaj prindërit mundohen që të japin më të mirën te fëmijët. Faleminderit Zotit sepse ata janë këtu ku janë dhe unë jam shumë i lumtur për gjithçka kanë arritur dhe ju uroj më të mirën e mundshme fëmijëve të mi dhe atyre në mbarë rruzullin tokësor.
CMG: Tashmë ju përbëni një treshe të mirë brezash artistësh, që mund të merrni pjesë bashkë në evente të ndryshme.
Reshit Boka: Ne kemi qenë me Stivin dhe Oltën tek “Sofra e Tiranës” ku jemi përfaqësuar në një mënyrë të mrekullueshme. Gjithashtu kemi qenë së bashku edhe në disa evente të tjera, dhe nuk ka kënaqësi më të madhe që të performosh me dy fëmijët e tu.
CMG: Keni në plan ndonjë bashkëpunim me Oltën apo Stivin për ndonjë këngë të re së bashku?
Reshit Boka: Kam një projekt me Oltën dhe shpresojmë që ta realizojmë më së miri. Nuk po zgjatem me detaje të tjera, por e lemë surprizë. Stivi po vazhdon aktivitetet e tij dhe po ecën mirë deri tani. Shpresojmë që në një të ardhme t’i japim diçka ndryshe publikut.
CMG: A vazhdoni t’i ndiqni si dikur Oltën dhe Stivin në eventet e tyre?
Reshit Boka: Stivi ma bën një vërejtje të tillë, duke më thënë që unë bashkë me bashkëshorten time të shkojmë ta ndjekim, por do ta gjej kohën dhe do të shkoj në aktivitetet e tij.
CMG: Si ndjeheni tani, që vite më përpara kur Olta ishte e vogël thonin është vajza e Reshit Bokës, ndërkohë që e kundërta ndodh tani kur thonë Reshiti babai i Olta Bokës?
Reshit Boka: Jam shumë krenar dhe të dytën do të doja ta përmendja herë pas here. Unë jam babai i dy fëmijëve që janë shumë të talentuar dhe mendoj se janë shumë më lart se sa unë në këtë profesion. Jam i lumtur që ata janë në këtë nivel.
CMG: Kur jeni bashkë të tre në shtëpi bëni muzikë?
Reshit Boka: Padiskutim që bëjmë muzikë sepse nuk kalon dita pa interpretuar, edhe kur vjen Olta te shtëpia jonë, por dhe kur shkojmë ne te ajo.
CMG: Reshit ju vazhdoni të jeni i pranishëm në aktivitete të ndryshme muzikore dhe gëzime familjare ku këndoni live për publikun.
Reshit Boka: Unë vazhdoj të jem në gëzimet familjare dhe koncerte. Desha të nënvizoja dhe bashkëpunimet me kolegët e mi dhe do të përmend Bujar Çiçi, Artiola Toska, Greta Zani, Valbona Halili me të cilët kemi bërë kolazhin e parë shqiptar të këngës popullore që e ka transmetuar TVSH-ja në vitet 1999-2000. Doja ta nënvizoja si detaj këtë sepse sot në Shqipëri është vështirë të bësh dy këngëtarë bashkë. Ne kemi qenë ndër të parët këngëtarë që kemi bashkëpunuar me idenë tonë, pa ndihmën e askujt. Pra ne kemi pasur një frymë të mirë bashkëpunimi.
CMG: Faleminderit për këtë intervistë. Ju uroj shëndet dhe suksese gjithmonë.
Reshit Boka: Shumë faleminderit. Ju uroj mbarësi dhe gjithë të mirat në këtë detyrë të bukur që ju keni.