“Shtëpiakë të dëshpëruar” është një komedi romantike mbi burrin modern. Komedia vjen me regji nga Artan Imami, një nga emrat e vlerësuar të skenës sonë teatrore. Kjo shfaqje është vënë në skenë në Paris në vitin 2011 dhe vijojnë ta shfaqin me sukses dhe vitet e fundit, këtë komedi franceze. “Shtëpiakë të dëshpëruar”, vetëm në Paris është vënë në skenë mbi 1400 herë, duke e ndjekur mbi 475.000 spektatorë. Shifra këto që tregojnë se është ndjekur dhe pëlqyer nga publiku francez. Në Shqipëri kjo shfaqje është vënë në skenë nga tre aktorët, Artan Imami, Gentian Zenelaj dhe Indrit Çobani.
Shtëpiakë të dëshpëruar (Foto instagrami)
Pasi merr një letër-ndarjeje nga e dashura e tij Sofi, Xherom (Aratan Imami), thërret dy miqtë e tij Aleks (Gentian Zenelaj) dhe Stefan (Indrit Çobani), për ta ndihmuar të gjejë një mënyrë për të rifituar Sofinë!… Por asgjë nuk ndodh sipas planeve të tyre. Në materialin e komedisë publikuar nga teatri, thuhet se vepra si strukturë është një “hibrid” modern midis “stand-up comedy” dhe komedisë- klasike. “Tre personazhet, me karakter dhe personalitete të ndryshme trajtojnë e flasin mbi të gjitha temat e marrëdhënieve njerëzore në çift si, tradhtia, ndarja, psikologjia femërore, psikologjia mashkullore, paragjykimet mbi dashurinë, martesën, maskilizmin,”
Për komedinë “Shtëpiakë të dëshpëruar” aktori Gentian Zenelaj është shprehur për median: “Aleksi është në një lidhje shumë të gjatë, e cila është ezauruar me Sharlotën, ku ka dhe një shpërthim në monolog sepse të tre personazhet kanë nga një monolog “Stand -up”, i cili shfaq të pathënat. Në një moment të tre meshkujt zbulojnë disa sekrete të lidhjeve të tyre që janë shumë të forta. Janë meshkuj “frikacakë” sepse nuk kanë guximin që të flasin me partneret e tyre, por këto gjëra i flasin vetëm mes shokëve. Prandaj femrat e shijojnë shumë këtë shfaqje sepse shohin shumë të vërteta në marrëdhëniet që kanë” ka theksuar Zenelaj.
Indrit Çobani,Artan Imami, Gentian Zenelaj (Foto nga instagrami)
Ndërsa regjisori i shfaqjes Artan Imami, ndërsa ishte në kërkim për të vënë në skënë diçka të ngjashme, pasi ishte drejtuar nga “Stand -up”, e rrëmbeu suksesi i kësaj shfaqjeje në Paris, ndaj e vuri në skenë edhe në Shqipëri. Për median regjisori Artan Imami është shprehur:
“Kisha rreth një vit e gjysmë që kërkoja një pjesë që të vinte e thjeshtë, në mënyrë origjinale dhe të plotësonte të gjitha aspiratat që kishim ne, ato artistike por edhe financiare. Ishte një shfaqje argëtuese për publikun dhe erdhi kur unë isha drejtuar nga “stand up”. Duke “peshkuar”, lexova për këtë shfaqje e cila ishte vënë në skenë Francë që në vitin 2011 mbi 1400 herë dhe vazhdonte të shfaqej edhe sot mes Parisit me po aq sukses, e luajtuar nga tre komedianë dhe e parë nga gjysmë milioni njerëz. Një histori e thjeshtë, por shumë efikase që ka shumë humor mbi gjithçka, divorcin, tradhëtinë, ndarjen, dashurinë, të fejuarat, të parafejuarat, dashuria e parë, pra komedia në vetvete të jep mundësinë që ta pasqyrosh me aktualitet” ka përfunduar regjisori Imami.
Indrit Çobani ,Artan Imami, Gentian Zenelaj (Foto nga instagrami)
Në jetën artistike teatrore si regjisor, Artan Imami, me një eksperiencë të gjatë në fushën e teatrit ka vënë në skenë mjaft vepra të tjera teatrore si shfaqjen “Mashtrimi”, “Tango”, “Don Zhuani” e shumë të tjera.
Artan Imami ka kryer studimet e larta në Institutin e Lartë të Arteve, në degën e dramës. Pas mbarimit të studimeve ai u emërua aktor në Teatrin Kombëtar dhe aty luajti role kryesore. Si aktor Artan Imami ka sjellë në skenë personazhe të ndryshme, një ndër rolet që i dha sukses ka qenë Petrucio, në komedinë “Zbutja e kryeneçes” nga Shekspir.
Artan Imami (Foto nga instagrami)
Komedia “Shtëpiakë të dëshpëruar”, pas suksesit të një viti më parë me rekord shikueshmërie në Korçë, Durrës, Fier,Pogradec, Lezhë, tashmë është rikthyer për publikun kryeqytetas, që nga data 30 janar dhe do të vazhdojë të shfaqet edhe përgjatë muajit shkurt në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Publiku ka mundësinë që të shijojë një ”Stand Up” të ndërthurur në një komedi plot batuta e situata, me tre aktorë të dashur për publikun shqiptar si Artan Imami, Gentian Zenelaj dhe Indrit Çobani.
Përgatiti: Sava Lena