Gjuha është tipari dallues më themelor i kombit, një simbol i tij, ashtu si dhe flamuri. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 14 (pika 1) thotë: “Gjuha zyrtare në Republikën e Shqipërisë është shqipja” dhe quan detyrë të shtetit “mbrojtjen e trashëgimisë kombëtare, kulturore dhe kujdesin e veçantë për gjuhën shqipe” (neni 59, pika 1g). Si mund të mbrohet gjuha shqipe nga huazimet apo fjalët e huaja të panevojshme? A duhet të përfshihet më tepër mësimi i gjuhës shqipe në programin mësimor? Për këtë temë flet në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës gjuhëtarja e mirënjohur, prof.dr Mimoza Karagjozi Kore, pedagoge pranë Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Tiranës, autore e disa studimeve për gjuhën shqipe.
Prof.dr.Mimoza Karagjozi Kore në intervistë për CMG
CMG: Kohët e fundit po debatohet shumë në media për rrezikun e deformimit të gjuhës shqipe. Vlerësimi juaj për përdorimin aktual të gjuhës zyrtare shqipe
Prof.dr. Mimoza Karagjozi Kore: Çeshtjet e gjuhës shqipe, gjuhës sonë amtare janë gjithmonë çeshtje me të cilat duhet të merremi, të mos bjerë kujdesi ndaj saj. Jo vetëm ne gjuhëtarët, por dhe masa e gjerë janë shumë të interesuar për zhvillimin dhe se ku po shkon gjuha shqipe.
Për çdo komb gjuha është mjet identitar, por për ne shqiptarët mund të them që është mjeti i vetëm që na bashkon sepse jemi në Ballkan të ndarë në shtetet ku jetojnë shqiptarë, por kemi tashmë dhe një diasporë që po zmadhohet dita-ditës. Ndaj çeshtja e gjuhës shqipe është një problem shumë domethënës dhe përbën pikën e dobët të kombit tone. Një arbëresh i shquar thoshte “nëse prishet gjuha është prishur vetë kombi”.
Mendoj se në momentin aktual ka një të mirë që gjuha shqipe sot flitet si gjuhë zyrtare brenda kufijve shtetërorë të Shqipërisë, flitet nga 1.8 milionë kosovarë, ku është gjuhë zyrtare, ndërkohë që ka disa vjet që është miratuar ligji për gjuhët në Maqedoninë e Veriut, ku pas maqedonishtes, gjuhë e dytë zyrtare është gjuha shqipe.
Shqipja në trojet ku jetojnë shqiptarët i ka forcuar pozitat e saj. Nga ana tjetër gjuha shqipe ka një lloj specifike që është ndër më të vjetrat e Europës dhe si e tillë për ne gjuhëtarët, historianët dhe popullin shqiptar, ajo bart edhe momente ku janë materializuar faktet historike, ngjarje të ndryshme. Duke qenë e vetme në familjen e gjuhëve indoeuropiane, kjo i jep gjuhës shqipe një specifikë që nuk e kanë gjuhët e tjera. Gjuha shqipe nuk ngjan me gjuhët e tjera dhe kjo qenie unike ka tërhequr dhe kërshërinë e gjuhëtarëve, albanologëve të huaj. Kjo duhet të na bëjë jo vetëm krenarë, por të na shtojë dhe përgjegjësinë për ta ruajtur, për ta përçuar ndër breza gjuhën shqipe.
Lidhur me debatet rreth gjuhës, nga viti 2010 e këtej ato po shuhen, të paktën për gjuhën standarde që është një varietet, ashtu sikurse ekzistojnë dialektet. Gjuha standarde është gjuhë e shtetit, por duhet të jetë gjuhë e medies dhe e shkollave.
CMG: Ky problem është quajtur si emergjencë për faktin se administrata shtetërore në disa raste nuk e ka përdorur korrekt gjuhën shqipe, kryesisht në shkresa të ndryshme. Një nga propozimet është testimi i punonjësve të administrates shetërore për gjuhën shqipe zyrtare në momentin e rekrutimit për një punë. Mendoni se kjo do të nxiste përmirësimin e gjuhës zyrtare në administratë?
Prof.dr Mimoza Karagjozi Kore: Ata që punojnë në administratë vijnë nga krahina të ndryshme me të folme të ndryshme, por detyra e tyre është të zbatojnë misionin që ka gjuha standarde. Ky mision është që të përçojë në shkresë atë që duhet të thuhet njësoj për të gjithë, në mënyrë që të kuptohet njësoj prej të gjithëve. Janë vënë re shkelje, por ata që punojnë në administratë janë testuar për gjuhën shqipe. Unë vetë në disa raste kam qenë pjesë e komisioneve të testimit, por kjo me kalimin e kohës është anashkaluar. Qeveria ka theksuar vendosjen e redaktorëve nëpër institucione, por nuk është zbatuar si duhet. Mendoj se punonjësit e administratës që shkruajnë shkresa me gabime duhet të vihen para përgjegjësisë. Gjithashtu punonjësit para se të bëhen pjesë e administratës shtetërore t’i nënshtrohen testimit të njohurive të gjuhës shqipe. Kjo do të ishte më e mira. Kjo dukuri nuk është e pangjarë, sepse gjermanët për shembull e testojnë gjuhën zyrtare dhe nëse nuk je niveli C1 nuk mund të punosh në administratë.
Prof. Xhevat Lloshi gjuhëtar
Prof Rami-Memushaj
CMG: Gjuhëtarë të njohur si prof. Xhevat Lloshi dhe prof. Rami Memushaj në media të ndryshme kanë folur ashpër për atë që e cilësojnë “bastardim” i gjuhës nga administrata. Prof. Memushaj ka propozuar që shteti të miratojë një ligj për mbrojtjen e gjuhës shqipe. Nëse drejtshkrimi i shqipes është një kod, a do të duhet të ketë ndëshkime për mosrespektimin e tij?
Prof. dr Mimoza Karagjozi Kore: Po mendoj se po, por duhet të ekzistojë ligji që punonjësi të ndëshkohet. Prof. Rami Memushaj ka të drejtë sepse dhe në Kushtetutën e Shqipërisë është sanksionuar ruajtja e gjuhës shqipe zyrtare, por gjithësesi duhet një ligj për mbrojtjen e gjuhës, që të hartohet nga gjuhëtarët dhe me të kur themi të ndëshkohen duhet të kemi parasysh se shqipja është një gjuhë e kodifikuar dhe e normëzuar. Në këto 50 vjet shqipja standarde tregon se i ka plotësuar më së miri funksionet e saj.
Profesorët kanë kapur rastet sporadike, por në përgjithësi ata që shkruajnë, shkrimtarët, përkthyesit, apo njerëzit e shkencës dhe të dijes shkruajnë mirë dhe e kanë lëvruar shumë mirë gjuhën shqipe. Prandaj jemi sot në ato stade që me gjithë potencialin që ka shqipja mund të përkthejmë dhe kryevepra të letërsisë botërore.
Nga ana tjetër bie kultura gjuhësore te disa përdorues të saj. Në këto dekada ka pasur vëmendje shumë të theksuar mësimi i gjuhëve të huaja, duke u anashkaluar gjuha shqipe. Ka të rinj që mundohen të flasin mirë gjuhën shqipe sepse e kuptojnë që përdorimi i drejtë i saj u krijon një tjetër prestigj në shoqëri dhe te punëdhënësi. Kështu që vihet re një lloj kujdesi ndaj gjuhës, por nga ana tjetër nuk është gabim që të rinjtë në përgjithësi shkruajnë me shkurtime, si “flm” apo “klm”
CMG: A ka ndikuar teknologjia në një lloj deformimi të gjuhës?
Prof. dr.Mimoza Karagjozi Kore: Teknologjia ka ndikuar, por ka krijuar një lloj zhargoni teknologjik. Gjuha në fakt është dhe një mjet me të cilin njerëzit, bazuar në të ashtuquajturin “ligj i ekonomisë në gjuhë”, në pak kohë komunikim duan të japin sa më shumë informacione. Brenda një grupi të caktuar përdoruesit e fjalëve me shkurtime përdorin këtë zhargon, por ky nuk duhet përdorur në medie, apo kur shkruan në gazetë.
Sipas mendimit tim gjuhën shqipe sot e dëmton televizioni, i cili në disa emisione që zgjasin me orë nuk paraqet njerëz që nuk janë modele të mira të përdorimit të gjuhës shqipe. Të mos harrojnë se sa ndikim ka televizioni tek të rinjtë.
Drejtshkrimi i Gjuhës shqipe
CMG: Një tjetër dukuri është përdorimi i panevojshëm i fjalëve të huaja, kryesisht i fjalëve nga anglishtja nga një kategori njerëzish
Prof. dr. Mimoza Karagjozi Kore: Ky është një problem global sot, por me huazimet që marrim do t’i kthejmë përsëri. Kjo ndodhi me turqizmat, ku sot shumë fjalë të turqishtes janë kthyer në arkaizma dhe janë fosilizuar në epokën në të cilën studiohen apo përdoren nëpër romane. Anglishtja sot është në përdorim global jo vetëm për gjuhë të vogla si shqipja, ndaj së pari duhet të përdorim fjalën shqipe, por duke e ditur dhe fjalën e huaj sepse kështu krijohet një sinonimi e bukur.
CMG: Studimi i gjuhës shqipe gjykoni se duhet të ishte i detyrueshëm deri në fund të shkollës së mesme?
Prof. dr. Mimoza Karagjozi Kore: Patjetër. Ky është një shqetësim që unë e vë re edhe në përgjigjet e studentëve, të cilët një mendim nuk e mbarojnë të plotë. Në emisione televizive vë re se ngatërrojnë rregjistrat gjuhësorë, sepse e fillojnë me gjuhën standarde fjalinë dhe kapërcejnë në një ligjërim të shkujdesur. Shkolla e mesme duhet të merret me këtë, duke parë se si shkruajnë nxënësit, si e hartojnë fjalinë. Në shkollë e mesme nxënësit duke qenë edhe më të vetëdijshëm duhet të kuptojnë që edhe dialekti nuk është armiku i standardit, por është pasuri e gjuhës sonë. Dialekti mund të praktikohet në familje, me shoqërinë dhe të ruhet si i tillë, por në shkollë duhet përdorur gjuha standarde. Shkolla në këtë drejtim duhet të luajë një rol të jashtëzakonshëm. Shqipja sot është një gjuhë e hapur, dinamike, me një leksik shumë të pasur. Mendoj se më mirë të marrim një fjalë nga dialekti se sa nga një gjuhë e huaj, por që ta dijë këtë nxënësi duhet të njohë dhe dialektet. Dialektet e ushqejnë gjuhën. Një dukuri tjetër e pasurimit të gjuhës është dhe nëpërmjet leximit dhe më vjen keq që brezi i ri i sotëm është tërhequr nga leximi, pavarësisht se janë të informuar nëpërmjet medies dhe teknologjisë, që në shumë raste e marrin me gabime.
CMG: Në fund të bisedës sonë duhet të përmendim dhe të huajt, albanologë, të cilët e flasin dhe e shkruajnë mjaft mirë gjuhën shqipe. Ndër ta janë dhe miqtë tanë kinezë që kanë studiuar gjuhën shqipe në Universitetin e Pekinit, por dhe në Universitetin e Tiranës ku specializohen.
Prof. dr. Mimoza Karagjozi Kore: Janë studentë shumë të mirë.
Intervistoi Eda Merepeza