Epoka digjitale në të cilën jemi duke jetuar i ka shtyrë fëmijët të jenë më pranë dëshirave dhe mundësive për t’i realizuar ato. Grejsi Lita, është vetëm 12 vjeç dhe po shënon suksese të mëdha për moshën e saj. Kur ishte ende një 5 vjeçare Grejsi u ngjit për herë të parë në skenë si një modele. Modelingu vijon të jetë një pasion i saj, duke u ngjitur shumë herë në skenë dhe duke marrë çmime të shumta. Një tjetër fushë tek e cila ajo ka lënë gjurmë është muzika. Disa nga këngët e Grejsit janë: “Nëna”, “Lulëkuqet”, “Fluturoj mbi tokën time”etj. Grejsi tregon se ka një marrëdhënie shumë të ngushtë edhe me qenushen e saj, “Coco”dhe thotë se kafshët janë si miqtë. 12 vjeçarja Grejsi Lita është përherë në kërkim të gjërave të reja, një ndër to dhe skicimi. Ajo skicon mjaft bukur rroba për fëmijë. Grejsi flet për jetën e saj, duke na treguar elementë motivues për të gjithë fëmijët e tjerë.
Grejsi Lita ( burimi foto personale)
CMG: Grejsi, çfarë kujton sot si suksese të para të tuat ?
Grejsi Lita: Prindërit e mi zbuluan që në moshën 4-vjeçare që unë kisha prirje në rrugën e bukur të artit dhe më futën në kursin e modelingu te “Albania Fashion Kids”, por dhe në kurse në Qendrën Kombëtare të Kulturës për fëmijë në këngë, aktrim, skulpturë, pikturë. Edhe sot që jam në moshën 12 vjeçare i vazhdoj të njejtat kurse dhe jam vlerësuar me shumë çmime brenda dhe jashtë Shqipërisë. Emocioni im i parë ishte më 23 tetor 2016 në sfilaten time, më pas vazhdova eksperiencat dhe aktivitete të ndërthurura mes sfilatës dhe këngës. Kam marrë pjesë edhe në shumë festivale. Në vitin 2017 mora pjesë në 70 vjetorin e Pionerit në Pallatin e Kongreseve.. Po këtë vit në qershor kam dhënë shfaqjen e parë në Teatrin e Kukullave “Ngjyrat e Ylberit”. Në vitin 2018 kam qenë pjesë e shumë aktiviteteve të QKKF vlerësuar me diploma dhe në muajin mars mora pjesë në aktrim në shfaqjen “Gryka e ujkut”, ku roli im ishte Lepurushi. Në vitin 2019 më 10 qershor mora pjesë në Javën e Modës në Budapest, ndërsa më 6 Korrik në konkursin Miss&Mister Children Albania, ku u vlerësova me çmimin “Princesha e vitit 2019”. Po atë vit në muajin shtator realizova këngën time të parë kushtuar modës “Modës i përkas “.
Grejsi Lita ( Burimi foto personale)
CMG: Çfarë marëdhënie ke ti me librin ?
Grejsi Lita: Une kam një marëdhënie shumë të ngushtë me librin dhe më pëlqen të lexoj. Në shtëpi kam një bibliotekë të madhe me shume libra që më pëlqejnë shumë. Një libër që kam lexuar se fundmi është "Aria hidh dhe prit " shumë i bukur dhe i veçantë për bashkëmoshatarët e mi.
CMG: Cila është këshilla jote për bashkëmoshatarët ?
Grejsi Lita: Mendoj që këshilla më e fortë është që të duam shumë prindërit pasi janë ata që na sjellin në jetë dhe na duan më shumë se të tjerët. Janë shumë afër nesh dhe na mbështesin në çdo hap .
CMG: Cila është rutina ditore e Grejsit ?
Grejsi Lita: Dita ime është si e gjithë fëmijëve të tjerë, por mami më ka mësuar më një rregull ditor. Shkoj në shkollë duke kryer detyrimet e mia, kthehem në shtëpi për të bërë detyrat dhe për të ngrënë drekë dhe zgjedh që të shkoj në një kurs argëtues pasdite .
Grejsi Lita ( Burimi foto personale)
CMG: Si arrin të ndjekësh disa kurse njëkohësisht?
Grejsi Lita: Sepse mua më pëlqen ta bëj këtë gjë dhe kush ka dëshirë si unë mund t'ia arrijë . Por kurset nuk janë në të njëjtën ditë. Unë i kam ndarë ato në ditë të ndryshme të javës që të kem mundësi edhe t’i ndjek .
CMG: A këndon ndonjëherë vetëm në dhomën tënde të gjumit ?
Grejsi Lita: Po unë këndoj shpesh edhe në dhomën time. Më duket sikur më qetëson muzika dhe është zgjidhje për të gjithë të tjerët .
Unë kam shumë këngë të bukura dhe një ndër to është "Modës i përkas" dhe kam që në moshën 5-vjeçare që merrem me modelling. ndaj u dedikova një këngë gjithë pjesëmarrjeve të mia .
CMG: Grejsi, ti ke dhe një vëlla më të madh, si është marëdhënia juaj?
Grejsi Lita: Unë vëllain e kam me të madh, por përpiqem që të gjej një komunikim me të sepse edhe unë kam raste që e teproj dhe mund të kemi ndonjë konflikt të vogël. Unë e përshëndes shumë atë pasi jeton në Itali tani dhe më ka marrë shumë malli.
Grejsi Lita ne intersvite ( burimi top albania)
CMG: Ti ke dhe një qenushe në shtëpi. Pse mendon që kafshët janë kaq të mira për t’u mbajtur në shtëpi?
Grejsi Lita: Cocolina është 3 vjeç dhe unë e dua shumë. Ajo ka ardhur në familjen tone, duke na i shtuar lumturinë e jetës. Unë i dua shumë kafshët .
Ajo ka shumë rroba sepse unë dhe mami i blejmë shumë veshje.
CMG: Grejsi pse të pëlqen kostumografia?
Grejsi Lita: Në Qendrën Kulturore për Fëmijë në Tiranë herë pas here hapen kurse të reja, të cilat na ftojnë të bëhemi pjesë dhe unë aty zbulova që mund të skicoj shumë bukur veshje dhe rroba të ndryshme .
Për momentin po merrem me veshje popullore shqiptare. por gjithmonë veshje të vogla të përshtatshme për kukulla deri sa të arrij tek veshjet për fëmijë .
Intervistoi:Megi Latifi