Eurostat: Inflacioni i Eurozonës, ngadalësim 8.5 për qind në janar
2023-02-03 10:59:40

Eurozona (Foto Xinhua)

Eurozona (Foto Xinhua)

Inflacioni vjetor në Eurozonë parashikohet të bjerë në 8.5 për qind në janar nga 9.2 për qind në dhjetor 2022, sipas një vlerësimi të Eurostatit, zyra statistikore e Bashkimit Europian.

Inflacioni në Eurozonë arriti kulmin në 10.6 për qind tetorin e kaluar dhe që atëherë ka ardhur duke u ulur ngadalë, përcjell “Xinhua”.

Çmimet e energjisë mbeten nxitësi kryesor i normës vjetore të inflacionit të Eurozonës, me një rritje prej 17.2 për qind krahasuar me janarin 2022 (25.5 për qind në dhjetor 2022), e ndjekur nga çmimet e ushqimeve, alkoolit dhe duhanit me një rritje prej 14.1 për qind në baza vjetore në janar (13.8 për qind në dhjetor 2022).

“Rënia nga 9.2 për qind në 8.5 për qind është më e shpejtë nga sa pritej”,- shpjegoi Bert Colijn, ekonomist i lartë për Eurozonën në “ING”. Sipas tij, inflacioni i ushqimeve mbetet i qëndrueshëm në 14.1 për qind, por energjia e uli normën në fillim të vitit. Rënia nga 25.5 për qind në 17.2 për qind reflekton çmime më të ulëta të tregut dhe efekte të rëndësishme negative bazë, tha ai.

Rritja në baza vjetore e çmimeve të energjisë arriti kulmin tetorin e kaluar në 41.5 për qind. Që atëherë, çmimet e energjisë kanë ardhur duke u ulur.

Tavanet e çmimeve për energjinë patën efekt, sipas Colijn, i cili pret që çmimet e energjisë të bien më tej.

Vendet baltike parashikuan normat më të larta të inflacionit për janarin: 21.6 për qind për Letoninë, 18.8 për qind për Estoninë dhe 18.4 për qind për Lituaninë.

Vendet me normën më të ulët të inflacionit vjetor përfshijnë Spanjën dhe Luksemburgun, të dyja me 5.8 për qind, si dhe Francën me 7 për qind. (Irma)