Të investosh në Tiranë, mundësitë që ofron kryeqyteti
2023-02-03 15:20:20

Projektet e investimeve në kryeqytet (Foto bashkia Tiranë)

Projektet e investimeve në kryeqytet (Foto bashkia Tiranë)

Thuajse një e treta e gjithë popullsisë së Shqipërisë është e përqendruar në kryeqytet, si rrjedhojë edhe ekonomia. Tirana ka një fluks të vazhdueshëm të banorëve të rinj. Duke qenë se kërkesa është e pashtershme, si nga biznesi për zyra, ashtu edhe nga individët, po rritet numri i investitorëve që blejnë për të rihedhur në tregun e qirave. Rritja e kërkesës për shtëpi është konfirmuar nga të gjithë aktorët e tregut, si dhe është reflektuar edhe nga çmimet e banesave, të cilat në zona të caktuara kanë shënuar rritje. Për mundësitë që ofron kryeqyteti shqiptar Tirana ndan opinionet për Grupin Mediatik të Kinës eskpertja e ekonomomisë Ada Hoxholli

CMG: Përse të investosh në Tiranë?

Ada Hoxholli: Edhe pse kanë kaluar 30 vjet nga hapja e ekonomisë dhe liberalizimit të tregut, duket se Shqipëria ka ende burime që duhen shfrytëzuar. Në këto vite, interesimi i bizneseve të huaja dhe vendase, ka qenë tepër i lartë.  Fuqia punëtore këtu cilësohet si produktive dhe e arsimuar. Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë është një qytet që ka pasur ndryshime me hapa të mëdha. Ajo ka dhe një moshë mesatare popullësie 37 vjeç.

Ekonomia e Tiranës si zonë metropolitane përfiton në mënyrë të konsiderueshme nga përqendrimi i universiteteve dhe shkollat e të gjitha niveleve dhe llojeve në vend dhe institutet e shumta kërkimore dhe shkencore, duke përfshirë Akademinë e Shkencave.

Tirana ka rreth 180 institucione arsimore, ndër të cilat fakultetet e Mjekësisë, Drejtësisë, Shkencave Ekonomike, Shkencave Inxhinierike, Shkencave Sociale. Përqindja e të rinjve të arsimuar rritet dita ditës.

Tirana aktualisht strehon deri në 100,000 studentë në nivele universitare dhe pasuniversitare, duke fituar jo vetëm mundësinë e një popullate të re nga e gjithë Shqipëria dhe shtetet fqinje, por edhe një forcë relativisht të mirëarsimuar punëtore, duke qënë se një pjesë e studentëve vendosin për të qëndruar më pas në Tiranë.

Investimi në Tiranë (Foto atsh.al)

Investimi në Tiranë (Foto atsh.al)

CMG: Nëse do të përmendim dhe pozicionin gjeografik të qytetit, sa i vjen në ndihmë ekonomisë dhe zhvillimit të investimeve?

Ada Hoxholli: Vendndodhja e favorshme e Shqipërisë, në qendër të udhëkryqit natyror të korridoreve të transportit të Evropës e vendos vendin në një pozicion unik gjeografik dhe një portë për Europën Juglindore.

Tirana është një nga shpërndarësit më të rëndësishëm të Ballkanit Jugor. Autostrada Tiranë-Durrës ka lidhur dy zona të mëdha urbane të vendit, ka ndërtuar potencial ekonomik, ka tërhequr investime shtesë dhe ka kontribuar në mënyrë të konsiderueshme në zhvillimin e përgjithshëm të rajonit, si dhe të gjithë vendit. Në korridorin Tiranë- Durrës prodhohet më shumë se gjysma e Produktit të Brendshëm Bruto total të vendit. Rreth 25,000 njerëz udhëtojnë drejt Tiranës dhe 1400 njerëz drejt Durrësit, të cilët duhet të lëvizin nga një qytet në tjetrin për shkak të punësimit në pjesë të ndryshme të rajonit në baza ditore. Shqipëria aktualisht ka porte detare në katër qytetet kryesore Durrës, Vlorë, Sarandë dhe Shëngjin  me plane për zgjerim të vazhdueshëm.

CMG: Çfarë nxitjesh ofrohen për investimet e huaja direkte ?

Ada Hoxholli: Shqipëria ofron një mundësi unike ekonomike për zhvillimin e industrive moderne, një vend tërheqës dhe të qëndrueshëm për të jetuar. Investimi i portofolit të Investimeve të Huaja Direkte në Tiranë është zhvilluar gjatë dekadës së fundit. Kompanitë në zgjerim, që kanë vendosur të hyjnë në tregun shqiptar janë duke zëvendësuar investitorët individualë.

Nisma të ndryshme janë marrë si:

- Përjashtime nga detyrime të rëndësishme doganore dhe TVSH në lidhje me mallrat, lëndët e para dhe makineritë për zhvilluesit, përdoruesit dhe operatorët e TEDA-s

- Nxitje tatimore dhe përjashtime nga taksat e pasurive të paluajtshme, për të minimizuar kostot e fillimit

- Lehtësi fiskale për të nxitur rritjen e punësimit

CMG: Cilat janë marrëveshjet mes Shqipërisë dhe vendeve të tjera që rregullojnë taksat apo legjislacionin për zhvillimin e investimeve?

Ada Hoxholli: Përsa i përket marrëveshjeve vlen të përmendet:

Marrëveshja e Stabilizim Asocimit. Si një arritje e rëndësishme drejt integrimit në BE, Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit përfshin krijimin e një zone të tregtisë së lirë ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së në një hark kohor 10-vjeçar. MSA-ja është ratifikuar në prill 2009.

Marrëveshja e Evropës Qendrore për Tregti të Lirë (CEFTA)

Më 19 dhjetor 2006 të gjitha marrëveshjet dypalëshe tregtare të Shqipërisë me vendet e rajonit u transformuan në një marrëveshje shumëpalëshe, Marrëveshja e Evropës Qendrore për Tregti të Lirë (CEFTA 2006), që  përfshin tetë vende: Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Kosovën, Moldavinë, Kroacinë, Serbinë dhe Bosnje -Hercegovinën.

Ky proces i rëndësishëm i vendeve në tranzicion lidhet me hapjen ndaj flukseve të kapitalit dhe investimeve të huaja, proces i cili ndihmoi në krijimin e linjave të reja tregtare për industri të veçanta dhe më tej në rritjen e vëllimit tregtar në rajon.

Shqipëria ka gjithashtu një Marrëveshje të Tregtisë së Lirë me Turqinë, të nënshkruar në 2006, e cila ka hyrë në fuqi në maj 2008. Nëpërmjet kësaj marrëveshje dy vendeve u krijohen mundësi për rritjen e shkëmbimeve tregtare. Tarifa doganore bazë që do të zbatohet dhe që do t’i nënshtrohet reduktimeve të më vonshme, të parashikuara në këtë marrëveshje, duhet të jetë tarifa e parimit të kombit më të favorizuar.

Blerja e aparatamenteve (atsh.al)

Blerja e aparatamenteve (atsh.al)

CMG: Turizmi vjen si ndihmë për investitorët e huaj, në çfarë shkalle është zhvilluar ai në Tiranë?

Ada Hoxholli: Turizmi është një pikë ë fortë e qytetit të Tiranës për shkak të larmishmërise që ofrohet. Do të doja të ndalesha në disa drejtime:

Turizmi kulturor

Tirana ka në territorin e saj një numër të konsiderueshëm të monumenteve kulturore, si; Kalaja e Tiranës, Mozaiku i Tiranës, Kalaja e Tujanit, Ura e Brarit, Kalaja e Petrelës, Shpella e Pëllumbasit etj.

Ndërkohë, në Tiranë mund të gjenden monumente të tjera historike dhe ndërtesa për t'u vizituar, si Kulla e Sahatit, Xhamia e Et'hem Beut, Muzeu Historik Kombëtar, Muzeu Arkeologjik, Galeria Kombëtare e Arteve etj.

Turizmi i Aventurës

Ky lloj turizmi po zhvillohet shumë në Tiranë. Krijimi i shtigjeve turistike dhe infrastrukturës për shëtitje dhe çiklizëm është duke u përqëndruar kryesisht në pasuritë natyrore dhe kulturore të territorit të Bashkisë së Tiranës.

Turizmi konferencave

Tirana është vendi i përsosur për konferenca, seminare, simpoziume, panaire, etj Pallati i Kongreseve është struktura më e madhe në Tiranë dhe në vend, që ndodhet në qendër të qytetit pranë tre hoteleve më të mëdha, institucioneve qeveritare dhe institucioneve të tjera kulturore, tregtare dhe sportive.

Turizmi dental

Ky lloj turizmi po lulëzon kohët e fundit në Tiranë, për shkak të kostove të ulëta të shërbimeve dentare në krahasim me vendet e tjera si Evropë, SHBA, Kanada, Australi etj. Prandaj të huajt vijnë në Shqipëri për këtë qëllim.

Agroturizmi dhe Turizmi i Kuzhinës

Panairet me produkte vendore që mbahen nga Bashkia motivojnë dhe inkurajojnë fermerët për prodhimin dhe tregtimin e produkteve “Made in Tirana”, duke tërhequr në këto tregje jo vetëm qytetarë, por edhe shumë turistë të huaj dhe duke dhënë zhvillim në zonën përreth. Në Tiranë dhe në brendësi ka shumë restorante dhe vendpushime, të cilat kanë një menu të pasur jo vetëm me gatime tradicionale, por edhe me kuzhinë ndërkombëtare.

Ada Hoxholli në Intervistë për CMG

Ada Hoxholli në Intervistë për CMG

CMG: Kina është një investitor i madh në Shqipëri. Në cilat fusha shtrihen investimet e saj dhe si kanë ndikuar në ekonominë e vendit?

Ada Hoxholli: Dy vitet e fundit, interesi i kompanive kineze për të investuar në Shqipëri është rritur ndjeshëm. Nisur nga ky trend, Shqipëria mund të kthehet në qendrën e investimeve kineze në Ballkanin Perëndimor.

Interesi i kompanive kineze është i orientuar te sektorët strategjikë të vendit, ndërsa kanë rritur njëkohësisht nivelin e tregtisë ndërkombëtare.

Përgjatë vitit të kaluar, mbi 90 firma të tilla kanë kërkuar në vendin tonë mundësi investimi, partneritet tregtar apo rrugë të tjera bashkëpunimi. Në fokusin e tyre kanë qenë projektet në fushën e energjisë, infrastrukturës, zonat industriale, minierat dhe atë të përpunimit.

Aktualisht në Shqipëri janë të pranishme rreth 150 sipërmarrje kineze, ndër to kompania “Bankers Petroleum”.

Interes të madh kinezët po shfaqin edhe në nënshkrimin e kontratave afatgjata me kompanitë shqiptare që operojnë në fushën e nxjerrjes së kromit. Ata duket se janë edhe blerësit më të mëdhenj të këtij minerali.

Vëllimi tregtar mes Shqipërisë dhe Kinës është rritur ndjeshëm vitet e fundit dhe Pekini tani konsiderohet partneri i tretë më i madh i Shqipërisë përsa i takon shkëmbimeve tregtare, mbi 10% të të cilave e zë tregtia me Kinën. Nga ana tjetër, edhe tregu kinez duket se përbën një mundësi të mirë për biznes, sidomos për eksportuesit shqiptarë.

CMG: Në cilat sektorë priren të investojnë të huajt ne vendin tonë?

Ada Hoxholli: Investimet e huaja në sektorin e aktiviteteve profesionale dhe teknike vijuan rritjen gjatë vitit 2022. Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, stoku i investimeve të huaja në këtë sektor në fund të 9-mujorit 2022 arriti në vlerën rekord prej 635 milionë eurosh. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, stoku i investimeve në këto aktivitete është rritur me 12.4%.

Fillimisht, investimet e huaja ishin të lidhura me shërbimet call center, që konsistonin në zhvendosjen në Shqipëri të shërbimit për klientin të kompanive të huaja ose në zhvillimin e fushatave të marketingut për llogari të këtyre kompanive. Gradualisht shërbimet profesionale dhe teknike për bizneset e huaja kanë prekur një spektër më të gjerë aktivitetesh. Në dekadën e fundit një lulëzim kanë njohur shërbimet e marketingut për investime në bursa online apo në produkte të tjera financiare.