Guvernatori Sejko: Banka e Shqipërisë nuk do ta ndryshojë normën bazë të interesit
2023-02-03 11:12:19

Guvernatori Gent Sejko (Foto Rtsh)

Guvernatori Gent Sejko (Foto Rtsh)

Banka e Shqipërisë nuk e ka ndryshuar normën e interesit dhe këtë e argumenton me faktin se ekonomia vijoi të rritet edhe gjatë gjysmës së dytë të vitit 2022.

Guvernatori Gent Sejko deklaroi në një konferencë shtypi për mediet se norma bazë e interesit do të jetë 2.75%. Sipas tij, deri në fillim të vitit 2024 pritet ulja e inflacionit drejt objektivit të synuar prej 3%, përcjell “RTSH”.

“Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së vendosi mos të ndryshojë qëndrimin e politikës monetare. Ky vendim faktorizon reduktimin e inflacionit brenda dhe jashtë vendit në muajin nëntor, si dhe na mundëson një rivlerësim të shpejtësisë së normalizimit të qëndrimit të politikës monetare, në funksion të respektimit të objektivit të stabilitetit të çmimeve dhe të ruajtjes së ritmeve pozitive të rritjes ekonomike”,- bëri të ditur guvernatori Sejko.

Me përjashtim të çmimit të energjisë elektrike, sipas Sejkos, norma e inflacionit të thuajse të gjithë artikujve të shportës mbetet në nivele të larta historike dhe shfaq shenja të qarta ndikimi nga goditja e huaj. “Analiza e informacionit të disponuar sugjeron se aktiviteti ekonomik ka vijuar të rritet në gjysmën e dytë të vitit. Megjithatë, në ngjashmëri me tremujorin e dytë 2022, ritmi i rritjes ekonomike ka shfaqur shenja ngadalësimi, si pasojë e pasigurive për të ardhmen, e rritjes së kostove të prodhimit dhe e reduktimit të kërkesës së huaj. Këto pasoja janë shfaqur në formën e shtrenjtimit të faturës së importeve, si dhe të një ecurie më të ngadaltë të investimeve private e publike”, tha Sejko.

Sipas guvernatorit të BSH-së, bazat e rritjes ekonomike të vendit janë relativisht të shëndetshme. Në analizat e bëra nga Banka e Shqipërisë, Sejko tha se se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet dhe presionet inflacioniste do të vijnë në reduktim gjatë dy viteve të ardhshme.

“Projeksionet e skenarit bazë sugjerojnë se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet dhe presionet inflacioniste do të vijnë në reduktim gjatë dy viteve të ardhshme. Inflacioni pritet të shënojë një pikë kthese gjatë tremujorit të katërt 2022, të reduktohet progresivisht gjatë vitit 2023 dhe të kthehet në objektiv në tremujorin e dytë 2024. Ky parashikim bazohet në reduktimin e pritur të inflacionit në ambientin botëror, në reduktimin progresiv të efekteve të raundit të dytë në vend, si dhe në ruajtjen e normave pozitive të rritjes ekonomike gjatë periudhës në vijim. Rritja ekonomike pritet të mbetet e moderuar edhe në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm dhe të konvergojë gradualisht drejt normave të saj historike në periudhën në vijim, duke ofruar një raport më të balancuar midis kërkesës dhe ofertës në vend”, tha Sejko. (Irma)