Eugent Mumajesi prej dy dekadash jep mësim lëndën e Folklorit muzikor, në Liceun Artistik "Jordan Misja", por edhe në Universitetin e Tiranës si pedagog i jashtëm. Ai interpreton edhe në disa instrumenta muzikore, fizarmonikë, piano, por edhe luan në netët live në tastjerë. Projekti "Këngët e vendit tim", i frymëzuar nga puna shumëvjeçare në Liceun Artistik, e nisur më parë nga profesor Ramadan Sokoli dhe e studiuar prej vitesh nga Eugent Mumajesi, arriti që të realizohej me sukses me një orkestër të madhe prej 70 artistësh të rinj, shoqëruar nga mësuesit e tyre. Në intervistë për Radio Ejani ai tregon gjithçka rreth projektit “Këngët e vendit tim”, si dhe planet në vazhdim.
Eugent Mumajesi në koncertin Këngët e vendit tim
CMG: Vitin e kaluar ti solle bashkë me kolegët dhe nxënësit në sallën "Tonin Harapi" koncertin "Këngët e vendit tim". Na trego për këtë eksperiencë?
Eugent Mumajesi: Projekti "Këngët e vendit tim" ishte një ide që nisi në lëndën e Folklorit, duke ecur edhe në gjurmët e të gjithë profesorëve që kanë dhënë lëndën e Folklorit në Liceut Artistik “Jordan Misja”, ndër vite si profesor Ramadan Sokoli, etj. Unë e nisa këtë punë në fillim të viteve 2000 dhe me kalimin e kohës ky projekt filloi në merrte formën e vet. Gjatë periudhës së pandemisë bëra një provë për ta sjellë si koncert, por vitin që lamë pas në kuadër të aktiviteteve që u organizuan gjatë vitit 2022 kur Tirana ishte Kryeqyteti Europian i Rinisë, u realizua ky projekt, i cili i kaloi pritshmëritë pasi grupi u bë mjaft i madh dhe projekti zuri një vend shumë të rëndësishëm.
CMG: Mbaj mend kur 20 vite më parë kur nise punën në Radio Tirana, ti sapo ishe diplomuar dhe kujtoj pasionin tënd të madh për muzikën e mirë shqiptare. Ky projekt ka lindur në ato momente kur ti i shkruaje këto këngë në partitura.
Eugent Mumajesi: Është e vërtetë. Unë vetë e kam një traditë familjare sepse babai im ka punuar në bandën e ushtrisë si muzikant në instrumentin e kornos, xhaxhai im gjithashtu një nga muzikantët e vjetër të viteve '30 -'50 Muharrem Mumajesi. Ai ka luajtur në instrumentin e mandolës, është nga orkestrinat e para, janë regjistrime dhe arkiva që sot tregojnë se kjo lloj kulture është përcjellë dhe unë jam rritur me këtë dashuri për muzikën. Fakti që mu dha mundësia për të dhënë lëndën e Folklorit në Liceun Artistik, ishte një rast i mirë për t’u shfrytëzuar dhe për të treguar kujdes maksimal, përgjegjësi të plotë që këtë lëndë ta japë me dinjitetin e duhur dhe me aq mundësi sa kam t’i përkushtohem kësaj pune.
Nuk duhet të harrojmë se muzika shqiptare mbështetjen më të madhe e ka tek muzika popullore. Një pjesë e mirë e kompozitorëve shqiptarë si Tish Daija, Çesk Zadeja, Thoma Gaqi profesori im i kompozicionit, i ndjeri Kozma Laro, dhe të gjithë pedagogët, Gjon Simoni, Gjon Kapedani, e shumë të tjerë që kam pasur nderin dhe fatin të isha student i tyre. Këta artistë kanë bërë vazhdimisht përpunimin e këtyre këngëve në muzikën klasike.
Eugent Mumajesi në koncertin Këngët e vendit tim (Foto personale)
CMG: Sa i përket projektit "Këngët e vendit tim", ka qenë një punë kolosale mbi dy dekada për t’u shkruar këngët në partiture.
Eugent Mumajesi: Përvoja ime në këto 20 vite në Liceun Artistik më ka bërë të hulumtoj shumë. Një ndër problematikat është se një pjesë e partiturave të këngëve të muzikës popullore nuk ishin shkruar ashtu siç duhej sepse një pjesë e tyre ishin hequr për arsye të ndryshme. Madje është edhe libri i prof.Ramadan Sokolit, i cili ka shembuj pafund, por për të shmagur këto pjesët ideologjike, profesori shembujt i ka vendosur me numra dhe një pjesë të vogël e ka shkruar me emra këngësh, të paktën kështu e gjykoj unë sot në këndvështrimin e një studiuesi të mëvonshëm. Ai ka përdorur numra për të hequr një pjesë të tekstit, e për të mos humbur ajo që është melodi e bukur. Një pjesë e shembujve janë të shkruara dhe të notizuara nga një punë që është bërë në Institutin e Folklorit, që është një nga institucionet më të vjetra në Shqipëri. Unë kam parë botime të vitit 1957 dhe botuesit e parë janë Muharrem Gurra, Abdulla Grimci, Ramadan Sokoli janë muzikantët e parë që kanë hedhur nota, ekspeditat e para në trevat e ndryshme nëpër Shqipëri, duke mbledhur materiale, duke i regjistruar dhe këto regjistrime duke i noterizuar, për t’u bërë më pas pjesë e shtëpisë së botimit që i përkiste asaj kohe. Pastaj këto erdhën deri në ditët tona, ku lindin dhe probleme, sidomos kur bëhet fjalë për mësimdhënie, pasi duhet të përshtateshin edhe me temat sepse shumë gjëra ishin lënë pa thënë, pra duhet të ishin përshtatur edhe nga ana profesionale.
CMG: Në koncertin “Këngët e vendit tim”, sa pjesë kanë qenë të shkruara nga ty?
Eugent Mumajesi: Ishin shumë materiale prej të cilave unë zgjodha 35 këngë të ndryshme. Një pjesë të këtyre këngëve unë i kam marrë nga librat e gatshëm që i ka shkruar profesor Ramadan Sokoli, Muharrem Gurra, Tish Daija, Çesk Zadeja, të cilët kanë punuar të cilët kanë punuar pranë institutit të Folklorit vitet e para, ndërsa pjesën më të madhe të këngëve më është dashur ta rishkruaja sepse në disa materiale nuk gjeja saktësinë e duhur.
CMG: I ke qëndruar korrekt këtyre materialeve, apo ke bërë ndryshime në orkestrim?
Eugent Mumajesi: Unë zakonisht kur shkruaj pjesët përdor një taktikë, të cilën e kam lexuar në një libër gjerman që quhet, “Taktika e dialektit”. Dialekti në vetvete është kryqëzimi i një lartësie dhe gjatësie të caktuar, pra një pikë ku takohen të dyja bashkë. Sa i takon këngëve të koncertit, unë kam marrë përgjithësisht këngët e qyteteve, pra pikat kryesore të disa qyteteve, Korça, Berati, Vlora, Elbasani, Tirana, Durrësi, Shkodra, Kuksi, Tropoja, Përmeti, Gjakova, Arbëreshe, pra janë të gjitha zhanret e muzikës popullore. Kisha në plan që të merrja dhe një grup polifonik, por për disa arsye nuk arrita t’i kisha prezent gjatë datës së koncertit.
Eugent Mumajesi në koncertin Këngët e vendit tim
CMG: “Këngët e vendit tim” erdhën shumë ndryshe, me një orkestër të madhe prej 70 artistësh, mësuesish dhe nxënësish si një okestër e madhe simfonike. Si u përcollën këto materiale në publik?
Eugent Mumajesi: Projekti pati ndryshime. Një vit më parë koncerti kishte më pak nxënës, më pak studentë, por në momentin që projekti u atashua dhe hymë në një lloj kompeticioni, në mënyrë që të bëhej diçka më profesionale. Pranë orkestrës u afruan pedagogët e violinës, të cilët i falenderoj shumë, shpresoj mos harroj asnjë, mësuese Arlinda, gjithashtu drejtoria e cila e shkollës “Jordan Misja” që ka dhënë një mbështetje të jashtëzakonshme gjatë periudhës së provave. Projekti u idea në fillim me një orkestër deri në 12 persona, unë gjithsesi e kisha menduar që të ishin deri në 20, por në momentin final kur orkestra arriti të shkonte deri në 70 persona, ishte një punë kolosale. Mu desh të shkruaja çdo gjë nga e para, partiturat u bën deri diku si parte simfonike, por gjërat e bukura kërkojnë shumë punë dhe me pak mund arrita që të nxjerr në fund diçka të bukur. Jam kujdesur për çdo detaj në këtë koncert, madje në fund kisha një surprizë për muzikantët që do luanin, të cilët i vesha të gjithë si orkestër me kostume popullore,kjo ishte surpriza e fundit ditën që u ngjitëm në skenë. Mu desh të rrija gjithë natën të shkruaja partiturat, e ndërsa në mëngjes filloja mësimin deri në orën 13.00, e pas kësaj ore nisja provat që na zgjasnin deri në orën 20.00 të mbrëmjes, për një javë rresht.
CMG: Ke arritur që të realizosh gjithçka vetë si drejtues i këtij projekti, të dirigjosh, të interpretosh, të bëje partiturat, të realizoje provat me nxënësit, të menaxhoje gjithçka deri në kurimin e veshjes së gjithë orkestrës me kostume popullore, për një paraqitje sa më dinjitozë. Të ushqesh të rinjtë me muzikë të mirë, është gjëja më ideale, por si e pritën të rinjtë këtë event?
Eugent Mumajesi: Gjatë procesit mësimor unë i pyes gjithmonë nxënësit se nga janë me origjinë, për të kuptuar më shumë kulturën muzikore nga ata vijnë, e se çfarë kënge mund të këndojë nxënësi sepse ka lidhje treva me karakterin. Gjatë zhvillimit të këtij aktiviteti, një pjesë e mirë e nxënësve, përfshirë edhe mësuesit vetë kur luanin pjesët me karakter polifonik, kishte momente që ata habiteshin se si mund ta luanin në një orkestër simfonike. Disa hezituan se nuk e dinin si mund të tingëllonte, më pas duke luajtur dashur pa dashur u bën protagonist në këtë pjesë solistike. Ajo që ishte për tu vlerësuar në këtë projekt sa i takon kulturës popullore, nxënësit partiturat i luajtën me nota, kjo është shumë e rëndësishme për muzikën tonë sepse duhet të dokumentohet gjithçka, muzika në rastin konkret, ashtu si dokumentohet letërsia, historia dhe çdo fushë tjetër e artit.
Nxënësit që luajën muzikën me nota, filluan të kuptonin se kush ishte roli i tyre, por këtë gjë më shumë ndjenë studentët e kantos, përveç instrumentistëve, se ata kanë edhe fjalën gjatë interpretimit, arrijnë të kuptojnë dallimin që ka një krahinë me një tjetër. Në art nuk është se gjërat janë të ndara me thikë, por diçka bioe në sy. Për shembull, nëse një muzikë polifonike është me iso, një këngë nga berati ka një lloj modaliteti tjetër, po ashtu një shkodrane, etj. Në koncert arrita të futja instrumentin e çiftelisë ku u luajt vallja e Rrugovës dhe një motiv nga veriu që u interpretua me çifteli, por nuk munda që të kisha shumë instrumenta, kjo për shkak të pamundësisë së kohës për prova. Ai moment pati shumë impakt kur çiftelia ju bashkangjit orkestrës klasike, e cila interpretoi këto pjesë. Por edhe teksti i këngëve bënte shumë çudi tek brezi i ri, i cili e përjetoi në formë të habitshme, “si ka mundësi që këto këngë i kemi ne”.
Eugent Mumajesi në intervistë për CMG
CMG: Ky koncert nuk do të mbetet me kaq?
Eugent Mumajesi: Pas realizimit të këtij koncerti mora vesh se koncertet që u bënë vitin që shkoi, do të zhvillohen sërish gjatë këtij viti dhe jemi në pritje për t’u konfirmuar. Presim që koncerti “Këngët e vendit tim” të zhvillohet në një ambjent më të madh se salla “Tonin Harrapi” se përveçse ishim 70 artistë pjesëmarrës, mësues dhe studentë, kishte edhe një interes shumë të madh nga publiku, madje një pjesë e tyre po rrinin në këmbë gjatë gjithë kohës.
CMG: Si e sheh ti si pedagog interesin e të rinjve drejt muzikës shqiptare?
Eugent Mumajesi: Interesi i të rinjve është zbehur disi. Ajo çfarë ndodh është se, në momentin që ka aktivitete artistike, interesi i të rinjve zgjohet. Për shembull, mund të jenë shumë të rinj të interesuar, por kur ata stimulohen nga ana monetare, pavarësisht se këtë herë nuk ishte ndonjë buxhet shumë i madh për çdo nxënës, por gjithsesi ata gëzoheshin me idenë që ishin pjesë e një aktitviteti dhe ishte një gëzim idea që ata do të merrnin diçka, pra u stimuluan.
CMG: Uroj të keni koncerte pafund, ta përçoni këtë projekt edhe në qytete të tjera të vendit, por edhe të tjera në vazhdimësi.
Intervistoi: Sava Lena