Industria e përpunimit të qumështit po humb terren
2023-02-01 15:31:56

Prodhimi i bulmetit (Foto Ballkanweb)

Prodhimi i bulmetit (Foto Ballkanweb)

Industria e përpunimit të qumështit nuk pati një vit të mirë gjatë 2022 dhe e njëjta situatë e vështirë vijon aktualisht.

Kostot e larta vijojnë të detyrojnë sektorin të mbajë çmime më të shtrenjta në treg, por  kjo ka bërë që konsumatori të refuzojë produktet shqiptare të bulmetit dhe konsumi ka rënë për produkte të caktuara deri në 25%. Një një intervistë për mediat Donjaldo Hoxha nga Shoqata “Industria e Përpunimit të Qumështit” bën një analizë të situatës.

“Për fat të keq ka qenë një vit shumë i vështirë për sektorin e qumështit, duke përfshirë sektorin e prodhimit dhe sektorin e përpunimit që më pas haset tek konsumatori final. Kostot janë shtuar në të dy këta sektorë dhe kjo ka bërë që shumë prej kompanive të rishohin çmimet e tyre dhe të dalin me çmime të reja në treg, të cilat kanë qenë të larta në krahasim me çmimet e mëparshme që tregu ka patur për këto produkte dhe janë ndjerë nga konsumatori. Nëse do bëjmë një analizë të shkurtër të asaj që ka ndodhur gjatë këtij viti për blegtorinë dhe sektorin e qumështit, do të ndalemi tek disa elementë kryesorë. Elementi i parë është fakti që blegtoria dhe fermat blegtorale, bazën ushqimore kryesisht e importojnë për fat të keq, pra ka shumë që e prodhojnë brenda vendit. Duke qenë importues të bazës ushqimore, kostot e shtuara për këto produkte reflektojnë në mënyrë direkte në çmimin e qumështit, lëndë e parë që e blejnë nga këto ferma dhe blegtorë”, u shpreh Hoxha

Donjaldo Hoxha (Foto Klan TV)

Donjaldo Hoxha (Foto Klan TV)

Një kosto shtesë kanë qenë edhe karburantet.

“Gjithashtu dhe çmimi i shtuar i naftës, ka bërë që kostot për të mbajtur kafshë nga blegtorët të jenë shumë më të larta se më parë. Kjo ka bërë që çmimi i qumështit si lëndë e parë kur blihet nga fermat të jetë gati 40-50% më i lartë, se më parë. Kjo kosto e lëndës së parë, e shtuar gjithashtu me faktin që për fabrikat është shtuar çmimi i energjisë elektrike, është shtuar çmimi i gazit, kemi çmim të ri dhe për fat të keq nga 1 korriku ka edhe një akcizë shtesë prej 6 lekë për litër për gazin, dhe njëkohësisht kemi edhe çmimet e rritura për lëndët paketuese, sepse edhe industria e paketimit, e impaktuar nga energjia elektrike ka nxjerrë çmimet e reja. Të gjitha këto kosto të shtuara, industria ka bërë maksimumin për ti amortizuar por ka qenë e pa mundur për ti mbajtur të gjitha vetë dhe janë reflektuar me çmime të reja për konsumatorin final. Këto çmime kanë qenë të ndryshuara si në mars si në qershor , dhe ndryshimet e fundit kanë ndodhur në shtator. Më pas tregu ka pasur një stabilitet në lidhje me këto çmime”, tha ai

Edhe pse prodhuesit e përpunuesit e qumështit janë munduar të mos e reflektojnë rritjen e çmimit tek konsumatori final, sëish kjo ka qenë e pamundur. Por kjo situatë ka bërë që të jenë të konkurruar nga cmimet e produkteve të importit.

“Aktualisht për muaj të tërë sektori i përpunimit të qumështit u mundu për të amortizuar kostot brenda kostove të veta në mënyrë që të mos reflektoheshin tek konsumatori final. Por rritja e çmimit të qumështit si lëndë e parë, njëkohësisht kostot e shtuara të energjisë elektrike dhe gazit e bënë të pamundur mbajtjen e çmimeve të pandryshuara. Kjo ishte dhe arsyeja pse këto çmime janë të reja në treg, por për fat të keq sektori ndodhet në një situatë presioni nga të dy krahët. Pra kemi një çmim shumë të lartë të lëndës së parë, qumështit dhe nga krahu tjetër kemi një rënie të fuqisë blerëse dhe një presion të përditshëm nga produktet e importit. Sepse normalisht me çmimet e reja kemi rënie të fuqisë blerëse me 15-20% për produktet e caktuara, në sektorin e përpunimit të qumështit dhe gjithashtu me keqardhje do të deklaroj që kemi një shtim të produkteve të importit në këtë sektor. Pra në muajt e fundit kompanitë vendase janë duke humbur terren në marketet dhe supermarkete kundrejt produkteve të importit që po vijnë me çmime më të lira sesa çmimet e produkteve vendase. Aktualisht në ato produkte që janë të përditshme, kosi dhe qumështi është një rënie që varion nga 10-15% kurse në produktet e tjera rënia vijon nga 15-25%.”- u shpreh Hoxha.

Eksperti Hoxha i bën thirrje qeverisë për ndërhyrje.

“Situata e sektorit të përpunimit është jashtëzakonisht e vështirë dhe janë të vështirë muajt në vijim. Kemi një presion të jashtëzakonshëm për kostot që kanë shtuar blegtorët, sepse janë kosto reale të prekshme. Kjo bën që çmimi i lëndës së parë të jetë më i lartë. Kemi çmim energjie që është shumë herë më i lartë se sa ka qenë. Kemi çmimin e gazit të lartë dhe njëkohësisht akcizat shtohen dhe nga krahu tjetër kemi dhe një konkurrencë të vazhdueshme nga produktet e importit. Prandaj aktualisht nëse mund të ketë ndërhyrje në elementë të ndryshëm të këtij zinxhiri që ne folëm, pra ndihmë si për blegtorin, lehtësira dhe heqja e këtyre akcizave të shtetit të paktën mbi lëndët djegëse që ne përdorim në sektorin e përpunimit dhe njëkohësisht favorizime fiskale të nevojshme për të bërë të mundur përballimin e kësaj krize, ku ne ndodhemi aktualisht. Më pas në momentin që do të kemi një stabilizim të situatës, pra blegtorët do të kenë një qëndrueshmëri dhe njëkohësisht sektori i përpunimit të qumështit do të ketë mundësi të operojë me situata më të favorshme, patjetër të ulemi për të parë politikat e duhura të zhvillimit. Por ndërhyrjet duhet të jenë të menjëhershme për të bërë të mundur që ky sektor të mos shkojë drejt situatave më të këqija dhe situatave kur nuk do të ketë më kthim pas”, tha eksperti

Industria e qumeshtit (Foto Albanews)

Industria e qumeshtit (Foto Albanews)

Përfaqësuesi i Shoqatës Industria e Përpunimit të Qumështit thotë se ky sektor është një hap drejt falimentimit.

“Aktualisht çdo përpunues i qumështit është i prekur nga këto vështirësi që ne po flasim. Çdo përpunues ka një çmim më të lartë të lëndës së parë të qumështit. Çdo përpunues e ndjen çmimin e shtuar të energjisë elektrike dhe të gazit, dhe për fat të keq për ata përpunues të formalizuar të cilët punojnë në përputhje të plotë me licencën përkatëse dhe me kriteret përkatëse që kanë inspektoratet shtetërore, hasen përditë dhe me informalitetin, që është një gangrenë që po gërryen nga brenda këtë sektor dhe mund ta themi me plot gojën që do të jetë nëse nuk do të luftohet do të jetë elementi që do ta falimentojë këtë sektor”, tha ai

Problem eshtë edhe konkurrenca e pandershme.

“Informaliteti është i shtrirë në disa faza. Fillon nga ajo që ne e quajmë qumështi i rrugës që e shohim gjerësisht në gjitha tregjet blegtorale të qyteteve më të mëdha dhe të kryeqytetit tonë dhe njëkohësisht vazhdon me shitjen e qumështit në furrat e bukës apo pastiçeri dhe vazhdon me baxhot informate apo që janë të paregjistruara ose janë të palicencuara ose nuk deklarojnë sasinë reale të produktit lëndë të parë që ata përpunojnë. Janë këta elementë që bëjnë që të cenohet siguria ushqimore bëjnë që të rrezikohet stabiliteti i të gjithë sektorit dhe vë në vështirësi jetëgjatësinë e këtij sektori”, nënvizoi për mediat eksperti Hoxha