Foto nga cyol.com
Fluksi i udhëtimit 40-ditor për Festën e Pranverës, e njohur si “chunyun” në kinezisht, është zakonisht një periudhë me kërkesa tepër të larta transporti, pasi shumë njerëz rrugëtojnë anembanë vendit për t'iu ribashkuar familjeve me rastin e Vitit të Ri Hënor, ose Festës së Pranverës, e cila këtë vit ishte në 22 janar.
Udhëtimi i këtij viti për Sun Yanhong ka një rëndësi të veçantë. Ky është shërbimi i saj i parë për Festën e Pranverës si drejtuese e grupit të punonjësve në tren, por edhe i fundit, përpara se babai i saj Sun Peixiang të tërhiqet për të dalë në pension.
Sun Yanhong dhe babai i saj, Sun Peixiang, janë një nga 50 çiftet “hekurudhorë të dy brezave" në seksionin e transportit të pasagjerëve në Qingdao. Në tren, Sun Yanhong është drejtuesja e grupit të punonjësve, mes të cilëve edhe babai i saj. "Unë e dëgjoj atë në tren, por ajo më dëgjon mua kur kthehemi në shtëpi," – tregon me shaka Sun Peixiang.
Sun Yanhong dhe Sun Peixiang ishin përgjegjës për 8 trena gjatë fluksit të udhëtimit të Festës së Pranverës. U deshën 3 ditë për të përmbushur një itenerar të plotë udhëtimi, ndërsa ata qëndruan në tren për 59 orë rresht, duke udhëtuar pothuajse gjysmën e provincës Shandong të Kinës Lindore.
Sapo treni niset, Sun Yanhong duhet të inspektojë 13 vagonë, të tërheqë dorezat e dyerve dhe të kontrollojë gjendjen e pajisjeve... Babai i saj, Sun Peixiang përgjigjet për dy vagonë të veçantë, duke qenë përgjegjës për rregullimin e bagazheve të pasagjerëve, pastrimin etj. "Vetëm duke bërë një punë të mirë gjatë pastrimit, mund të garantohet siguria e pasagjerit të ardhshëm." Sun Peixiang thotë se sa më i kujdesshëm të jetë ai, aq më të sigurtë do të jenë edhe pasagjerët.
Sun Peixiang, 59 vjeç, do të dalë në pension në mars të këtij viti. Ai ka punuar në hekurudhë qysh në moshën 17-vjeçare. Duke folur për fluksin e udhëtimeve të Festës së Pranverës, ajo që i bën më shumë përshtypje është se "në natën e Vitit të Ri Kinez, pasagjerët që nuk janë takuar kurrë në tren do të ftohen ta gëzojnë së bashku këtë festë, të bëjnë Jiaozi (ushqimi tradicional kinez) ku pasagjerët dhe punonjësit të ndihen sikur janë një familje." - thotë Sun Peixiang.
Megjithatë, vajza e tij ka një përshtypje krejtësisht të ndryshme për Festën e Pranverës të të atit. “Babai im ka punuar për më shumë se 40 vjet dhe vetëm 5 herë e festoi me ne në familje Vitin e Ri Kinez”, - tregon Sun Yanhong duke buzëqeshur. Në kujtesën time, babai rrallëherë kishte mundësi të ndiqte aktivitetet e mia të ndryshme, pa folur për periudhën e fluksit të udhëtimeve të Festës së Pranverës. Ajo u rrit duke dëgjuar eksperiencat e babait të saj duke kaluar nëpër përmbytje, bllokime rrugësh, vonesa prej stuhive, tajfunëve etj. Sun Yanhong nuk kishte se si të vendoste ndryshe, përveçse t’i kushtohej hekurudhës.
Foto nga cyol.com
Në janar 2008, 21-vjeçarja Sun Yanhong nisi të shërbente për kompaninë China Railway Jinan, gjë që e bëri atë të kuptonte më thellë vështirësitë e babait të saj. "Babai im më thoshte gjithmonë se kur u shërbejmë pasagjerëve, duhet të jemi më të kujdesshëm, - thotë Sun Yanhong - nga rregullimi i gjërave në tren deri te kontrolli i biletave, nga drejtimi i pasagjerëve në vagonë deri te bagazhet e tyre, nga pastrimi deri te përkujdesja ndaj udhëtarëve me prioritet të veçantë...”. Madje edhe në shtëpi, babai i mëson asaj shumë sekrete të punës.
Në qershor 2022, Sun Yanhong u bë zëvendësdrejtuese e grupit të punonjësve të trenit të linjës nga qyteti Qingdao në Qarkun Cao. Kur ajo shërbeu për herë të parë në këtë detyrë, gjysma e punonjësve të saj ishin mbi 50 vjeç, sikurse edhe i ati. E përballur me qindra pasagjerë dhe një udhëtim vajtje-ardhje prej rreth një mijë kilometrash, Sun Yanhong ndjeu se barra mbi supet e saj ishte veçanërisht e rëndë.
Babai i saj e këshillonte vazhdimisht: "Duhet të vëzhgosh mirë gjatë punës dhe të kërkosh këshilla nga punonjësit e vjetër dhe me përvojë, veçanërisht kur ka emergjenca duhet të përdorësh njohuritë e tua për t'iu përgjigjur çdo të papriture". Një herë, pak pasi treni u largua nga stacioni Juxian, një pasagjer i moshës së mesme në vagonin 12 ndjeu një shtrëngim të fortë dhe mbylli sytë. Sun Yanhong njoftoi spikerin që të kërkonte menjëherë stafin mjekësor, ndërsa nxitoi te i sëmuri. Pasi mësoi se pasagjeri vuante nga një sëmundje, Sun Yanhong mori shpejt masa urgjente derisa mbërriti ndihma e parë shëndetësore. Me anë të mjekimit, pasagjerit iu lehtësua gjendja.
Më 28 tetor 2022, tenda kryesore e stacionit Qingdao ishte në ndërtim e sipër dhe një nga trenat u pezullua. Duke qenë se kishte nevojë për personel, Sun Yanhong, i kërkoi drejtuesve që të punonte më shumë dhe babë e bijë u gjendën në të njëjtin tren për të punuar. Sun Yanhong e vlerëson shumë mundësinë për të hipur në të njëjtin tren me të atin. Kur të jetë në vështirësi ajo gjithmonë do t'i kërkojë një këshillë atij. Përvoja e babait i dha asaj shumë kurajo dhe besim për të pranuar pozicionin e ri dhe për të shërbyer për herë të parë gjatë shtegtimit të madh njerëzor për Festën e Pranverës.
"Kur zgjodha hekurudhën, familja ime ishte shumë e lumtur. Të tjerë thoshin se puna në tren ishte e vështirë dhe se do të qëndroja larg shtëpisë shumë kohë, por familja jonë ka një dashuri të thellë për hekurudhën. Shinat e saj kanë zënë rrënjë tashmë në zemrën time dhe s’mund të hiqen prej saj." -përfundon Sun Yanhong. (Çang Çuo)