Zëdhënësja: Sivjet do të çlirohen plotësisht gjallëria dhe potenciali i ekonomisë kineze
2023-02-01 17:16:16

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Këtë vit ekonomia kineze do të shpërfaqë plotësisht gjallërinë dhe potencialin e saj, duke vazhduar t'i japë ekonomisë botërore besim e energji. Kështu u shpreh të mërkurën në një konferencë shtypi zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Mao Ning lidhur me një pyetje për rritjen e ekonomisë kineze.

Ditët e fundit, OKB-ja publikoi raportin "Situata dhe perspektiva e ekonomisë botërore në vitin 2023", ku parashikohet që, në sfondin e uljes në 1.9 % të rritjes së ekonomisë botërore, këtë vit ekonomia kineze do të rritet 4.8 %. Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar nxori ditët e fundit raportin "Perspektiva ekonomike botërore", ku e ngriti parashikimin për rritjen ekonomike të Kinës sivjet në 5.2 %.

Lidhur me këtë, Mao Ning shprehu besimin e plotë për perspektivën e ekonomisë kineze.

"I kam vërejtur raportet përkatëse, si edhe ngritjen e parashikimit për rritjen e ekonomisë kineze këtë vit nga institucionet ndërkombëtare të investimeve, si 'Morgan Stanley', 'Goldman Sachs', HSBC, 'J.P.Morgan' etj. Gjatë mbledhjes vjetore të Forumit të Davosit për vitin 2023, pjesëmarrësit ishin gjerësisht të mendimit se rregullimi nga Kina i politikës parandaluese e kontrolluese të pandemisë do të ulë mundësinë e recesionit të ekonomisë globale dhe rihapja e Kinës do të jetë në të mirë të rritjes së ekonomisë globale. Edhe sekretarja e përgjithshme e Organizatës Botërore të Tregtisë Ngozi Okonjo-Iweala u shpreh që Kina është motori i rritjes botërore," theksoi zëdhënësja e diplomacisë kineze. (Fani)