Pekini ka hedhur poshtë përsëri pretendimin e vendeve perëndimore se Kina ka krijuar një "kurth borxhi" në Afrikë dhe duhet të mbajë më shumë përgjegjësi për uljen e borxhit të Zambias. Duke folur në një konferencë shtypi të martën në Pekin, zëdhënësja e diplomacisë kineze Mao Ning u shpreh se institucionet financiare shumëpalëshe dhe kreditorët komercialë perëndimorë janë çelësi për të lehtësuar barrën e borxhit afrikan.
Zëdhënëse e diplomacisë kineze Mao Ning(Foto:MPJ)
Duke përmendur shifrat e publikuara nga Ministria e Financave e Zambias, zëdhënësja tha se 24 % e borxhit të jashtëm të këtij vendi u takon institucioneve financiare shumëpalëshe dhe 46 % kreditorëve komercialë, kryesisht atyre perëndimorë, gjë që do të thotë se të dy këto kategori janë kyçi për uljen e barrës të borxhit të Zambias.
Ajo vuri në dukje gjithashtu se projektet e infrastrukturës të financuara nga Kina në Afrikë janë rezultat i bashkëpunimit me leverdi të ndërsjellë, i cili ka nxitur zhvillimin e ekonomisë vendore, ka përmirësuar jetesën e banorëve dhe ka forcuar kapacitetin e vendeve afrikane për zhvillim të pavarur dhe të qëndrueshëm.
Duke marrë si shembull Hidrocentralin e Grykës së Rrjedhës së Poshtme të Lumit Kafue (KGL) në Zambia, i cili u lidh me rrjetin elektrik të vendit vitin e kaluar, Mao tha se KGL-ja, një projekt i madh i financuar nga Kina dhe me një kapacitet të përgjithshëm të agregateve të instaluar prej 750 megavatësh, mund të pakësojë me 663 500 tonë në vit lëshimin e karbonit.
Foto:VCG
"Vëllimi i financimit të projektit është relativisht i madh, por përfitimet e tij ekonomike dhe kontributi financiar për Zambian janë gjithashtu të rëndësishëm," tha Mao. "Ne besojmë se projekte të tilla si KGL-ja përmirësojnë qëndueshmërinë lidhur me pagesën e borxhit të Zambias, jo e kundërta."
Në konferencën e shtypit, një tjetër gazetar përmendi gjithashtu dy projekte të tjera infrastrukturore në Nigeri: Portin e Thellë Detar të Lekki-t dhe fazën e parë të Linjës Blu të metrosë së Lagosit, të cilat janë ndërtuar nga kompani kineze në kuadër të nismës “Një brez, një rrugë” të Kinës dhe nisën funksionimin gjatë festës së Vitit të Ri Kinez.
Presidenti nigerian Muhammadu Buhari mori pjesë në ceremonitë e përurimit të këtyre dy veprave dhe vlerësoi lart rëndësinë dhe rolin pozitiv të tyre në zhvillimin e vendit të tij.
Lidhur me këtë, znj. Mao tha se Porti i Thellë Detar, që mund të trajtojë 1.2 milionë kontejnerë standardë në vit, është porti më i madh i ujërave të thella në Afrikën Perëndimore dhe pritet të sjellë rreth 360 miliardë dollarë përfitime të përgjithshme ekonomike dhe 170 000 vende pune. Ndërsa Linja Blu e metrosë së Lagosit është linja e parë e metrosë në Afrikën Perëndimore, e cila do të lehtësojë shumë presionin e trafikut dhe do të ulë ndotjen e ajrit.
Hidrocentrali i Grykës së Rrjedhës së Poshtme të Lumit Kafue (KGL) në Zambia(Foto:PowerChina)
Funksionimi i këtyre dy projekteve mund të hapë një faqe të re për zhvillimin ekonomik të Nigerisë, duke shënuar një nisje të mirë për bashkëpunimin konkret midis Kinës dhe Afrikës në vitin e ri, komentoi zëdhënësja.
Duke vënë në dukje se kryediplomati kinez Qin Gang vizitoi Afrikën në janar, Mao u shpreh se Kina është gjithmonë e angazhuar për forcimin e miqësisë me Afrikën, duke i trajtuar miqtë e saj afrikanë me sinqeritet e ndershmëri dhe duke bashkëpunuar me Afrikën me efikasitet dhe në mënyrë praktike.
Që nga fillimi i shekullit të 21-të, Kina ka ndërtuar mbi 6 000 kilometra hekurudha, 6000 kilometra rrugë, gati 20 porte dhe mbi 80 objekte të prodhimit të energjisë në Afrikë. Kina ka ndihmuar në ndërtimin e mbi 130 spitaleve e klinikave, mbi 170 shkollave, 45 stadiumeve dhe mbi 500 projekteve bujqësore, përmendi znj. Mao, duke shtuar se projektet infrastrukturore të Kinës kanë luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomiko-shoqëror të Afrikës dhe në përmirësimin e jetesës së banorëve afrikanë.
“Ne besojmë se, mbi bazën e parimeve të sinqeritetit, mirëkuptimit e vullnetit të mirë dhe të vlerave të miqësisë, drejtësisë e interesave të përbashkët, bashkëpunimi kino-afrikan do të ketë më shumë arritje sivjet”, tha zëdhënësja e diplomacisë kineze.