Mbi 950 infermierë të punësuar në vitin 2022
2023-01-31 10:22:42

Gjatë një takimi me infermierët e rinj, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu u shpreh se po hartohet një plan i ri i burimeve njerëzore të personelit shëndetësor, për t’iu përgjigjur më mirë nevojave të shërbimit në territor.

Ministrja Ogerta Manastirliu (Foto ministira.gov.al)

Ministrja Ogerta Manastirliu (Foto ministira.gov.al)

Në një takim me infermierët e punësuar nga portali “Infermierë për Shqipërinë”, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka folur për sistemin e ri që po i atashohet të gjithë strukturave shëndetësore.

“Gjatë vitit 2022, nëpërmjet portalit “Infermierë për Shqipërinë” kemi punësuar mbi 950 infermierë e teknikë të shkencave mjekësore që kanë sjellë frymë të re dhe përkujdes të ri në strukturat e kujdesit tonë shëndetësor publik. Nesër del lista e pritjes së infermierëve dhe teknikëve të shkencave mjekësore, të cilët do të shpallen në faqen e portalit. Janë rreth 2 mijë teknikë të shkencave mjekësore, infermierë, fizioterapistë, laborantë, të cilët kanë aplikuar në portalin “Infermierë për Shqipërinë”- tha Manastirliu.

Ministrja e shëndetësisë (Foto facebook)

Ministrja e shëndetësisë (Foto facebook)

Duke folur për mbështetjen e mjekëve dhe infermierëve, Ministrja Manastirliu tha: “Po mbështesim mjekët dhe infermierët çdo vit duke rritur pagat. Edhe për vitin 2023 kemi planifikuar rritjen e pagave  për personelin tonë shëndetësor në 7%, duke filluar që nga muaji korrik”.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale foli gjithashtu për planin e ri të burimeve njerëzore të personelit shëndetësor.

Ministrja e shëndetësisë (Foto facebook)._

Ministrja e shëndetësisë (Foto facebook)

“Për ne i rëndësishëm është aksesi edhe në fshatra, edhe në zona të thella, ndaj me riorganizimin e ri që kemi bërë në strukturat e kujdesit parësor, ne kemi vendosur edhe tipat e qendrave shëndetësore apo ambulancave dhe llojet e shërbimeve që ato ofrojnë. Do të kemi mundësi që, nëpërmjet planit të ri të burimeve njerëzore që jemi duke hartuar, të përfshijmë edhe instrumente dhe mekanizma, por edhe programe për të incentivuar të gjithë ata infermierë apo mjekë për të punuar në zona të thella”- tha Manastirliu.