Lara Colturi (Foto: Sport Ekspres)
Italiania me nënshtetësi shqiptare, Lara Colturi shkruajti historinë e sportit shqiptar, duke u shpallur kampione bote për të reja në ski. Presidenti i Federatës Shqiptare të Skive Elvis Toçi, tregon emocionet e kësaj fitoreje, duke theksuar se Lara Colturi është kampione e lindur.
Lara Colturi, është vajza e kampiones italiane të skive Daniela Ceccarelli, që mori nënshtetësinë shqiptare së bashku me të ëmën, e cila mban edhe postin e trajneres së Kombëtares kuqezi. Ajo shihet si një nga protagonistet e skive në të ardhmen, dhe titulli i sotëm e tregon më së miri.
“Jam ndierë shumë mirë. Është një emocion unik që do e provoj vetëm një herë në jetë të jem kampione për të reja dhe është e mrekullueshme. Prindërit më kanë ndihmuar shumë edhe në detaje gjatë kësaj gare. Për objektivat e radhës do të shohim. Dua që të të ecim hap pas hapi dhe me qetësi,”-u shpreh skiatorja Lara Colturi.
Elvis Toci president i Federatës Shqiptare të Skive (Foto: Federata e Skive)
Ndërsa presidenti i Federatës Shqiptare të Skive, Elvis Toçi tha se:
“Lara na dha një sadisfaksion të paimagjinueshëm. Për herë të dytë në podium dhe këtë herë Akoma më lart. Lara sot tregoi se është kampione bote dhe se Shqipërinë do ta mbajë shumë lart,”
Në një intervistë për Radio Ejani Elvis Toçi flet rreth kësaj arritje të skiatores përfaqësuese të Shqipërisë në Kampionatin Botëror të Skive Alpine për të reja
Lara Colturi në kampionat (Foto: Federata e Skive)
CMG: Cili është komenti juaj rreth kësaj fitoreje?
Elvis Toci: Një kampione e lindur! Ajo ka që në muajin gusht që përgatitet. Mund të jetë nga skiatoret që është stërvitur më shumë gjatë këtij viti. Ka pasur gara në Argjentinë, Kili. Ka një evolucion, shpallja kampion bote nuk erdhi në një ditë. Është falë punës së nënës, babait të saj që janë dy trajnerët që arritën ta sjellin Laurën në parametrat më të lartë botërorë. Dje ishte një emocion i papërshkrueshëm, ku Shqipëria u rendit e para. Pothuajse e gjithë bota që praktikon skitë, e njohu Shqipërinë përmes saj.
CMG: Cilat janë fitoret e saj ndër vite?
Elvis Toci: Përsa i përket rezultateve, rezultatet e Larës janë progresive. Është një nga 100 sportistet më të mira të botës. Ajo është futur në kupën e botës, ku janë vetëm 100 skiatorët më të mirë. Këtu ku jemi është kupa, kampionati botëror rinor. 16-vjeçarja, garoi ne Zvicër me të rinjtë e moshës 21 vjeç, ku dominoi në disiplinën Super G, duke i dhënë kundërshtarëve një diferencë të madhe.
CMG: Si u bëtë pjesë e botës së skive?
Elvis Toci: Në fakt për mua ka qenë rastësi të isha pjesë e botës së skive. Fillimisht u bëra pjesë e një projekti, por më pas u ndala për shumë gjatë. Ky profesion të merr shumë kohë dhe shumë vëmendje, por kur ti dëgjon himnin e flamurit shqiptar të këndohet në evente kaq madhore, pastaj çdo gjë merr tjetër kuptim dhe nuk pendohesh, por përkundrazi ndjen një krenari të madhe.
\
Ekipi shqiptar i skive në kampionat (Foto: Federata e Skive)
CMG: A mund të na tregoni si e priti Lara, fitoren?
Elvis Toci:Asgjë nuk vjen nga rastësia, sepse Lara ka shumë vite që punon me intensitet shumë të lartë. Ajo është e përkushtuar dhe e priste këtë fitore, duke parë edhe dinamikën e punës së saj intensive. Objektivat e saj janë shumë të larta. Është një shembull frymëzimi për të gjithë se vetëm me punë ti mund të arrish maja shumë të larta.
CMG: Kur kanë nisur përgatitjet e saj?
Elvis Toci: Përgatitjet kanë nisur shumë herët. Ajo ka marrë pjesë edhe në kompeticione të tjera, orë të tëra në maja të larta malesh, duke humbur kështu ndoshta edhe argëtimin e moshës së cilës patjetër i takon të argëtohet më tepër, por ajo përkundrazi e ka marrë shumë seriozisht këtë pjesë.
Lara Colturi kampione (Foto: Vox News Albania)
CMG: Çfarë e lidh atë me Shqipërinë?
Elvis Toci: Ajo është vetëm 16-vjeç dhe ka vendosur që karrierën e saj ta bëjë në Shqipëri, ashtu sikur ka zgjedhur çdo shqiptar të zhvillojë karrierën e tij apo saj në vende të ndryshme të botës. Lara ka vendosur të jetë e përkushtuar për të zhvilluar karrierën e saj në Shqipëri. Ajo e do shumë Shqipërinë.
CMG: A hasët ju vështirësi në gjithë këtë kompeticion?
Elvis Toci: Ajo vjen nga dy prindër të talentuar dhe me çmime shumë të larta në nivel botëror. Lara është duke u trajnuar me trajnerë shumë të mire, të cilët janë bashkuar për ta nxjerrë atë sa më mirë. Vështirësi ka qenë patjetër terreni, por mbi të gjitha edhe sepse mosha e saj është vetëm 16-vjeç, e pavarësisht ajo ja doli shumë mirë.
CMG: A keni një mesazh për të gjithë të rinjtë e tjerë?
Elvis Toci: Po, patjetër që kam. Do t’iu rekomandoja që ata të punojnë me po aq forcë dhe dëshirë sa Lara 16-vjeçare. Besoni fort te ëndrrat tuaja!
Intervistoi: Megi Latifi