Rigjallërimi i ekonomisë kineze mirëpritet brenda e jashtë vendit
2023-01-31 16:46:50

Gjatë pushimeve njëjavore të Festës së Pranverës, tregu kinez i konsumit pati një nisje të mbarë në fillimin e Vitit të Ri Kinez. Në qendrat tregtare të qyteteve dhe pikat turistike anembanë vendit, u çlirua kërkesa e brendshme për ushqime, akomodim, udhëtime, turizëm, blerje dhe argëtim. Analistët vunë në dukje se nga rigjallërimi i fuqishëm i ekonomisë kineze, edhe bota pritet të përfitojë më shumë.

Foto:VCG

Konsumatorë në qendër tregtare gjatë Festës së Pranverës, provincë Hai'nan(Foto:VCG)

Gjatë pushimeve që përfunduan të premten e kaluar, shumë kamionë me fruta të importuara nga vendet e Azisë Juglindore kaluan çdo ditë nga Zona e Tregtisë së Lirë të Integruar të qytetit Pingxiang në Rajonin Autonom Guangxi-Zhuang të Kinës Jugore. Frutat e freskëta tropikale nga Vietnami dhe Tajlanda hynë nga këtu në tregun kinez pas kontrollit dhe karantinës doganore. Sipas një tregtari me mbiemrin Ma, vetëm kompania e tij dërgoi çdo ditë mbi 20 kontejnerë me fruta, si durianë, pitaja, palma buke, longanë etj., gjatë pushimeve të festës.

Ndërsa biznesmeni afgan Mihad, që merret me eksportin e arrave, u tha gazetarëve të CMG-së se ai mendonte që sivjet tregu kinez do të ofronte mundësi të mira, pasi konsumatorët kinezë i parapëlqejnë produktet, si farat e pishave, të importuara nga Afganistani.

Kjo është Festa e parë e Pranverës që kur Kina hyri në fazën e re të kontrollit të COVID-19. Të dhënat statistikore mbresëlënëse kanë pasqyruar fuqinë e konsumit të banorëve kinezë: gjatë pushimeve të festës, vëllimi i shitjes së firmave kryesore të ushqimeve dhe të tregtisë me pakicë në mbarë vendin u rrit 6.8 %, me lulëzimin edhe të konsumit për argëtim.

Festivali i fenerëve në qytetin Nanning, Rajon Autonom Guangxi-Zhuang(Foto:VCG)

Festivali i fenerëve në qytetin Nanning, Rajon Autonom Guangxi-Zhuang(Foto:VCG)

Ndërkohë, të ardhurat e agjencive turistike dhe shërbimeve përkatëse u rritën 1.3 herë. Numri i udhëtimeve  brenda vendit kapi shifrën më shumë se 308 milionë, duke realizuar mbi 375.8 miliardë juanë të ardhura, me një rritje përkatësisht 23.1 % dhe 30 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vjetshme. Gjithashtu, numri i udhëtarëve që hynë në Kinë ose dolën nga Kina u shtua 120.5 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Siç mësohet nga të dhënat e platformave përkatëse, rezervimet për udhëtime turistike jashtë vendit u rritën 640 %. Për të pritur ardhjen e turistëve kinezë, Ministria e Turizmit dhe autoritetet e provincës Bali të Indonezisë zhvilluan ceremoni mirëseardhjeje në aeroport.

 Në të njëjtën kohë, edhe tregu i filmit u rigjallërua. Të ardhurat e përgjithshme nga shitja e biletave të kinemave i kaluan 6.75 miliardë juanët, 11.89 % më shumë se gjatë pushimeve të vitit të kaluar.

Resort i skive në qytetin Yinchuan gjatë Festës së Pranverës(Foto:VCG)

Resort i skive në qytetin Yinchuan gjatë Festës së Pranverës(Foto:VCG)

Lidhur me të gjitha këto, gazeta jugkoreane “Aju Business Daily” komentoi se gjallëria e rishfaqur ekonomike gjatë Festës së Pranverës në sektorët e turizmit dhe argëtimit ka shtuar pritshmëritë e botës për rezultatet e ekonomisë kineze në tremujorin e parë të këtij viti. "Bloomberg"-u raportoi se të dhënat ekonomike të Festës së Pranverës e bindën tregun ndërkombëtar se rritja e ekonomisë kineze në përgjithësi do të jetë më e mirë sesa parashikimi. Ndërsa, sipas raportit të publikuar ditët e fundit nga OKB-ja “Situata dhe perspektiva e ekonomisë botërore në vitin 2023”, ekonomia kineze do të rritet 4.8 % këtë vit. Gjiganti bankar zviceran UBS vuri në dukje në një raport të ditëve të fundit se, si një motor i rritjes globale, zhvillimi i ekonomisë kineze do të favorizojë jo vetëm ndërmarrjet e banorët kinezë, por edhe shumë vende në zhvillim dhe të zhvilluara të botës.