Pekin: Rritje e qëndrueshme vjet, ekonomia digjitale zë vend më të madh
2023-01-31 16:50:00

VCG

VCG

Pas zbatimit të masave të lehtësuara antiepidemike, ekonomia kineze po futet në një fazë të re me mëkëmbje më të qëndrueshme. Pekini, si kryeqyteti dhe një nga qendrat ekonomike të Kinës, ka publikuar një sërë masash stabilizuese dhe mbështetëse, të cilat kanë siguruar mëkëmbje të qëndrueshme ekonomike.

 

Sipas të dhënave statistikore, në vitin 2022, GDP-ja e Pekinit ka shënuar vlerën mbi 4 trilionë juanë, duke vazhduar mëkëmbjen e qëndrueshme pas shpërthimit të epidemisë. Ndër sektorët kryesorë, vlen të përmendet ekonomia digjitale, e cila ka ruajtur prirjen e mirë të zhvillimit dhe përqindja e saj në GDP është shtuar në 41.6 %.

 

Për gjendjen ekonomike të Pekinit më 2022, zv.drejtoresha e Drejtorisë së Statistikave të Bashkisë së Pekinit Zhu Yannan u shpreh që, vitin e kaluar, zhvillimi ekonomik ka pasur shumë sfida të vështira. Pekini u përball me faktorin e bazës së lartë të GDP-së dhe rritja e madhe ishte vërtet një mision i vështirë. Por, me një sërë masash përballuese, kryeqyteti i Kinës ka ruajtur prirjen e mëkëmbjes dhe GDP-ja u rrit me 0.7 %, duke arritur mbi 4 trilionë juanë vitin e kaluar dhe duke zënë vendet e para ndër të gjitha krahinat e Kinës.

 

Punësimi është një faktor dhe tregues kryesor për gjendjen ekonomike. Vjet, niveli i papunësisë në zonat urbane të Pekinit ishte 4.7 %, duke qenë brenda objektivit të planifikuar. Edhe pse ka pasur luhatje në disa periudha, gjendja e përgjithshme e punësimit në mbarë vitin 2022 ishte e qëndrueshme. Krahas kësaj, edhe çmimi i mallrave ka shënuar një rritje të lehtë dhe treguesi i çmimeve të konsumit më 2022 shënoi rritje me 1.8 % krahasuar me vitin pararendës. Kështu, jetesa bazë e banorëve të Pekinit ishte në gjendje të qëndrueshme.

 

VCG

VCG

Me një bazë të stabilizuar ekonomike, cilësia e zhvillimit të Pekinit ka shënuar rritje të vazhdueshme. Pekini ka epërsi në sektorët e shërbimeve të informacionit, të financave dhe shërbimeve teknologjike. Këta tre sektorë kanë zënë 54.8 % të GDP-së së qytetit. Ekonomia digjitale ishte një sektor në zhvillim të shpejtë, duke shënuar vjet një rritje 4.4 % të vlerës së shtuar dhe duke përbërë 41.6% të GDP-së.

 

Të dhënat tregojnë që vitin e kaluar ekonomia digjitale e Pekinit ka shënuar një vlerë të shtuar prej 1733.02 miliardë juanësh, 4.4 % më shumë se në vitin 2021. Ndërkohë, përqindja e saj në GDP u shtua me 1.2 pikë përqindjeje gjatë së njëjtës periudhë.

 

VCG

VCG

Sektorët thelbësorë të ekonomisë digjitale arritën një vlerë të shtuar 995.83 miliardë juanë, 7.5 % më shumë se një vit më parë, dhe zunë 23.9 % të GDP-së, duke u ngritur me 1.3 pikë përqindjeje.

 

Për arsye të rritjes së dukshme të ekonomisë digjitale, Zhu u shpreh që, pas goditjes pandemike, ndryshimeve në situatën ndërkombëtare dhe presionit në furnizim dhe konsum, ndërmarrjet kanë kuptuar që risitë luajnë rol më të rëndësishëm dhe, me shtimin e investimeve në inovacion dhe sektorin digjital, mund të forcohet më tej konkurrueshmëria në treg dhe mund të përballohen më mirë sfidat e rreziqet. (Jiang Lei)