Dhuna me armë në SHBA arrin rekorde në muajin e parë të vitit 2023
2023-01-31 14:51:11

Armet ne Shba (Foto Cgtn)

Armet ne Shba (Foto Cgtn)

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka pasur 44 të shtëna masive gjatë këtij viti, më i keqi i regjistruar qëkur faqja e internetit “Arkivi i Dhunës me Armë” ka nisur gjurmimin e të shtënave, në vitin 2014.

Sipas kësaj faqeje, armët janë rrënjosur thellë në shoqërinë amerikane dhe në debatet politike dhe sociale të vendit. Ka pasur 641 të shtëna masive në SHBA në vitin 2022, numri i dytë më i lartë pas 690 në vitin 2021, përcjell “CGTN”.

Një bazë të dhënash e përpiluar nga “The Associated Press”, “USA Today” dhe “Northeastern University” bëri të ditur se të shtënat e para masive në vend vitin e kaluar ndodhën më 23 janar. Në të njëjtën datë të këtij viti, vendi kishte përjetuar tashmë gjashtë të shtëna masive, me 39 viktima. Ai gjurmon çdo sulm në SHBA që ka marrë të paktën katër jetë njerëzish.

Ndërsa vrasjet masive në SHBA tërheqin shumë vëmendjen, më shumë se gjysma e rreth 45.000 vdekjeve vjetore me armë zjarri në SHBA janë nga vetëvrasja, raportoi “Associated Press”.

Nga vrasjet me armë, shumica dërrmuese lënë vetëm një ose dy persona të vdekur. Shumë prej këtyre vdekjeve nuk marrin shumë vëmendje, përtej autoriteteve dhe njerëzve të prekur nga ngjarja, bëri të ditur agjencia e lajmeve.

Një sondazh i vitit 2022 nga Shkolla e Politikave Publike Harris e Universitetit të Çikagos dhe Qendra “Associated Press-NORC” për Kërkimin e Çështjeve Publike tregon se 71 për qind e amerikanëve të anketuar thonë se ligjet e armëve duhet të jenë më të rrepta. (Irma)