FMN-ja ngre parashikimin për rritjen globale më 2023 pas rihapjes së Kinës
2023-01-31 20:52:57

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) parashikoi të hënën se ekonomia kineze do të rritet me 5.2 % në vitin 2023, 0.8 % më shumë se parashikimi i bërë në tetor të vitit 2022.

"Rritja pritet të përshpejtohet me rihapjen e plotë të Kinës në vitin 2023," deklaroi FMN-ja në raportin e sapopublikuar “Parashikimi i ekonomisë botërore”.

Sipas FMN-së, rritja globale këtë vit do të bjerë në 2.9 %, nga 3.4% që ishte vitin e kaluar, por përsëri më e lartë se 2.7 % e parashikuar më parë.

FMN-ja tha gjithashtu se e ka ngritur parashikimin e rritjes për shkak të kërkesës "befasisht të qëndrueshme" në ShBA dhe në Europë, të uljes së kostos së energjisë dhe të rihapjes së ekonomisë kineze pas heqjes së kufizimeve të rrepta ndaj COVID-19.

Kryeekonomisti i FMN-së Pierre-Olivier Gourinchas u shpreh se rreziqet e recesionit janë vënë nën kontroll dhe bankat qendrore të vendeve të ndryshme kanë pasur përparime në kontrollin e inflacionit, por duhet bërë më shumë për të ulur çmimet, ndërsa përshkallëzimi i mëtejshëm i konfliktit Rusi-Ukrainë mund të sjellë probleme të reja.

Ai e pranoi faktin se rihapja e Kinës do të ushtrojë trysni rritjeje mbi çmimet e mallrave, por shtoi që "në përgjithësi, mendoj se rihapja e Kinës është në favor të ekonomisë botërore". (Fani)