Ekspertët: Paketa e ndihmës 8 miliardë lekë, hapi i duhur
2023-01-30 10:17:24

Edhe pse inflacioni ka nisur një trajektore rënësë, sërish çmimet vijojnë të jenë më të larta për qytetarët. Gjatë vitit që lamë pas, inflacioni mesatar ishte 6.7% dhe më të prekura kanë qënë familjet me të ardhura më të ulta dhe pensionistët.

Pensioni (Foto Albanian Construction portal)

Pensioni (Foto Albanian Construction portal)

Në një intervistë për mediat eksperti i ekonomisë Enton Duro tha se fokusi duhet të jetë tek shtresat në nevojë.

“Impakti më negativ që ka dhënë inflacioni në të gjithë ekonominë shqiptare ka qenë ulja e fuqisë blerëse të familjarit, individit, qytetarit shqiptar. Inflacioni mesatar ka qenë 6.7% dhe kjo tregon që niveli i përgjithshëm i çmimeve është rritur në 6.7%, pra kemi çmime më të rritura në këto nivele. Por kjo s’do të thotë që ka prekur të gjitha familjet apo konsumatorët shqiptarë në të njëjtën formë. Ka familjarë që kanë të ardhura të ulta, sepse jemi shoqëri që kemi nivel të lartë të varfërisë dhe në këtë kuptim edhe pesha me të cilën preket kjo rritje më e lartë e çmimeve ndjehet më shumë tek familjet që kanë të ardhura të ulta. Pritshmëritë janë që inflacioni të ketë një ulje gjatë 2023 dhe ka filluar të ketë një trend ulës, por kjo s’do të thotë që çmimet nuk po rriten. Çmimet po vazhdojnë të rriten por jo me të njëjtin ritëm që rriteshin më parë. Pa dyshim që ky grup  duhet të jetë në vëmendje të politikave publike për të mbështetur familjet në nevojë. Ka pasur disa ndërhyrje që janë bërë të ditura dhe tashmë janë në implementim e sipër”, u shpreh Duro.

Hapat e ndërmarrë nga qeveria vlerësohen pozitive në drejtim të mbajtjes nën kontroll të inflacionit.

“Të dyja mekanizmat, ose ndërhyrja e qeverisë shqiptare duke bërë transferta është përzgjedhur në masë të madhe. Tashmë ne kemi paketën e tretë të rezistencës, e cila filloi në fund të dhjetorit të implementohet. Nga ana tjetër dhe ndërhyrja në çmime. Për sa i përket bordit të transparencës që vendosën çmimet, kemi shumë pak informacion çfarë ka ndodhur, për të frenuar çmimet tek mallrat ushqimorë, nga ana tjetër ka ndodhur ajo që po ndodh tashmë transferta. Paketa e tretë rreth 8 miliardë lekë ishte e fundit që po shpërndahet tek një numër i gjerë qytetarësh, jo vetëm pensionistët, por edhe shtresa në nevojë, apo shtresa vulnerabël që mbështeten me ndihmë ekonomike, apo dhe sektori publik në kuptimin e administratës, institucionet arsimore, që mbështeten nga kjo paketë e tretë”, bëri të ditur eksperti.

Enton Duro  (Foto Monitor)

Enton Duro  (Foto Monitor)

Në kohën kur qytetarët në dhjetor dhe gjatë vitit që shkoi janë përballur me çmime më të larta për të njëjtat produkte, Duro thotë se paketa e mbështetjes ishte e domosdoshme.

“Pa dyshim që ishte e nevojshme për të bërë një paketë të re, për të parë këtë raport të çmimeve. Të gjithë çmimet nuk janë prekur njësoj, çmimet e produkteve ushqimore janë prekur dhe vijojnë të preken me ritme më të larta se inflacioni normal. Nëse do të bëjmë një llogaritje për vitin 2022, çmimet e ushqimeve janë rritur me gati 12%, pra gati 5 pikë  më shumë se inflacioni normal. Familjet shqiptare që kanë nivel të ulët të ardhurash dhe i referohem edhe pensionistëve në këtë rast, kanë nivel të ulët të të ardhurave pasi kanë pensionin, kanë shumë të nevojshëm këtë ndihmesën që ka ardhur me paketën e tretë. Ka qene e nevojshme, ka qene një zgjidhje optimale, për përballjen me inflacionin me kostot e inflacionit, por padyshim që deri diku në amortizimin e kostove të konsumatorit, familjeve në nevojë”, tha Duro.

Si paraqitet situata inflacioniste në Shqipëri, krahasuar me vendet e rajonit bazuar në nivelin e pagave dhe nivelin e jetesës?

“Diferenca që ne kemi krahasuar me vendet e tjera, specifikat që janë vënë në dukje është që kemi mbajtur një çmim të pandryshueshëm të energjisë elektrike, e cila në mënyrë të drejtpërdrejtë apo indirekte nuk ka ndikuar në rritjen e kostos së shportës së konsumit. Ky është pa dyshim një element i dukshëm dhe tashmë është vënë në pah. Elementi i dytë gjatë gjithë vitit 2022, duke qene se inflacioni që ne kemi në tregun tonë ka qenë inflacion i importuar ka ardhur me zbutje deri diku dhe si rezultat i kursit të këmbimit. Një vlerësim i lekut ka amortizuar rritjen më të madhe që mund të vinte nga çmimet. Megjithatë edhe pjesa e tretë, nëse do të shikojmë vendet përreth, duke ndjekur metodologjinë që kanë ndjekur Banka Botërore për sa i përket transfertave që kanë ndodhur në shoqëri. Ne kemi pasur një nivel të ulët të transfertave dhe në këtë aspekt sa më pak para të injektoheshin në ekonomi në momente inflacioniste, aq më pak konkurrueshmëri ka për të rritur çmimet dhe ky mund të jetë edhe një element i tretë, që duhet gjykuar në këtë inflacion më të ulët se sa rajoni. Në këtë kuptim them që janë tre elementë që kanë inciduar në një inflacion më të ulët” theksoi ai

Paketa  e ndihmës(Foto sot.com)

Paketa  e ndihmës(Foto sot.com)

Për mbështetjen e shtresave më në nevojë, sipas ekspertit Duro duhet të japë kontribut edhe pushteti lokal.

“Në kuptimin e impaktit të një formule të përgjithshme, qeveria po përdor transfertat e pensionistëve, tek shtresat në nevojë. Por megjithatë në nivel mikro unë do të doja që një pjesëmarrje të mirë të kishte edhe pushteti lokal. Është ai që di në mënyrë të drejtpërdrejtë problematikat e një qytetari. Mund të ketë specifika padyshim pra formula e gjeneralizuar prek të gjitha masat, por mund të ketë edhe specifika, për pensionistë të cilët padyshim që në nivel të ulët të pensioneve por mund të realizohen të ardhura të tjera, nga qiraja etj të cilët nuk incidohen shumë në fakt në transfertë. Mund të ketë edhe raste të tjera kur pensionistë nuk kanë një pension të mjaftueshëm për të kaluar edhe limitin e varfërisë, një transfertë me 8 mijë apo 10 mijë lekë është e pamjaftueshme për t’u përballur me këtë situata që jemi tashmë, situatë inflacioniste. Ka pasur një rritje të pensioneve në nivelin 9.5 %. Nëse do ndjekim shportën e konsumit ushqimor, e ardhur nga pensionet ne nivelet 16 mije 17 apo 18 mijë lekë të reja, po flasim pa dyshim që në totalin e saj shkojnë vetëm për konsumin ushqimor. Në këtë aspekt unë besoj që disbalanca ekzistojnë. Pra duhet të ketë një vëmendje të shtuar për ato shtresa, të cilat janë në fundin e limitit të të ardhurave për frymë, që ka Shqipëria.”-thotë eksperti i ekonomisë.

Niveli i inflacionit në Shqipëri u shënua në 7.4% për muajin dhjetor, duke regjistruar rënie për të dytin muaj radhazi dhe duke prekur nivelin e qershorit. Por kjo nuk do të thotë se çmimet po bien, por përkundrazi, që ritmi i kësaj rritjeje tani është më i vogël. Ndryshe nga nëntori, vrulli i çmimeve ra lehtë edhe për ushqimet, veçanërisht tek fruta-perimet, vajrat dhe drithërat. Nga ana tjetër, çmimet e mishit, qumështit dhe bulmeteve nuk kanë  njohur ende një kulm.