Strategjia e re e Kinës kundër COVID-19 nxit rimëkëmbjen ekonomike globale
2023-01-30 10:03:31

Foto: Turistët në qytetin Xi’an, provinca Shaanxi në Kinën Veriperëndimore, 30 dhjetor 2022. /Xinhua

Me rregullimin e politikave kundër COVID-19 në Kinë, ekspertët shprehen optimistë për perspektivën e saj ekonomike, duke vënë në dukje se elasticiteti ekonomik dhe kërkesa e madhe e brendshme do të nxitin një rimëkëmbje të qëndrueshme.

Ekonomia kineze e ka ruajtur rritjen edhe gjatë vitit të kaluar. Ndërkohë tregtia totale e mallrave të vendit arriti një nivel historik në vitin 2022, duke shënuar 42.07 trilion juanë (rreth 6.28 trilion dollarë), 7.7 për qind më shumë se një vit më parë, tregojnë të dhënat nga Administrata e Përgjithshme e Doganave (GAC) e Kinës.

Vlera totale e tregtisë së mallrave të Kinës u rendit në vendin e parë në botë për të gjashtin vit radhazi dhe tejkaloi 40 trilion juanë për herë të parë në vitin 2022, me një rritje prej 10.5 për qind në eksporte dhe 4.3 për qind tek importet.

"Nuk ishte e lehtë për Kinën që të arrinte një rezultat të tillë vitin e kaluar, kur vendet në mbarë globin përballeshin me recesionin, pasi konflikti i Ukrainës goditi ekonomitë e lënduara tashmë prej pandemisë," - thotë Bai Rangrang, profesor i asociuar në departamentin e Ekonomisë së Aplikuar në Shkollën e Menaxhimit pranë universitetit Fudan në Shangai.

Të dhënat zyrtare tregojnë gjithashtu se Kina zë 14.7 për qind të tregut global të eksporteve, duke u radhitur e para në botë për 14 vite me radhë. "Përveç rolit të rëndësishëm që luan Kina në tregtinë globale, eksportet e saj gjithashtu kontribuojnë shumë në rritjen e PBB-së . Në një farë mase, ajo mbuloi hendekun në rënien e konsumit familjar dhe investimeve të biznesit vitin e kaluar," - vazhdon Bai, duke vënë në dukje se një faktor i rëndësishëm pas kësaj është se Kina është hapur më tej ndaj botës.

 

Foto: Terminali ndërkombëtar i kontejnerëve Yangpu në Zonën e Zhvillimit Ekonomik Yangpu, provinca Hainan e Kinës Jugore, 5 nëntor 2022. /Xinhua

Vetëm importi dhe eksporti i produkteve mekanike dhe elektrike nga Kina arritën në 20.66 trilion juanë (rreth 3.05 trilion dollarë), duke zënë 49.1 për qind të tregtisë totale të mallrave. Sipas GAC-it, eksporti i baterive të litiumit dhe ai i automobilave u rritën përkatësisht me 86,7 për qind dhe 82,2 për qind. "Këto produkte kanë rëndësi kyçe në zinxhirët specialë industrialë," - shpjegon Bai, duke shtuar se pa eksportin e këtyre produkteve në përmasa të mëdha, disa industri në ShBA, Japoni dhe vende të tjera evropiane do të gjendeshin para shumë vështirësive në prodhim dhe presioneve më të mëdha të inflacionit.

Krahas rregullimeve të vazhdueshme ndaj reagimit kundër pandemisë, konsumi dhe aktivitetet ekonomike po rikuperohen gradualisht në Kinë. Bai shprehet optimist për perspektivën ekonomike të Kinës në vitin 2023 nga këndvështrimi i ciklit ekonomik dhe politikave të qeverisë. "Kina ka zbatuar një sërë masash të reja për të aktivizuar vitalitetin e subjekteve ekonomike, për të nxitur ndërtimin e një tregu të unifikuar kombëtar dhe për të forcuar ekonominë e platformës," - vë në dukje Bai.

Presidenti i Forumit Ekonomik Botëror Borge Brende shprehu gjithashtu qëndrimin optimist për ekonominë kineze, duke thënë se përmirësimi reagimeve ndaj COVID-19 të Kinës do të kontribuojë në rritjen globale. “Kina luan një rol të rëndësishëm në bashkimin e palëve kryesore të interesit, duke i mëshuar rëndësisë së vazhdimit të tregtimit mes njëra-tjetrës, diçka që unë mendoj se është shumë e rëndësishme.” - thotë ai.

 

Foto: Stacioni i trenit në qytetin Nankin, provinca Jiangsu e Kinës Lindore, 6 janar 2023. /VCG

Politikat e optimizuara reaguese kundër virusit përfshijnë uljen e menaxhimit të COVID-19 si një sëmundje infektive nga kategoria A në B, heqjen e karantinës për udhëtimet ndërkombëtare etj. Parashikohet që më shumë se 2.1 miliardë udhëtime pasagjerësh të kryhen gjatë sezonit të Festës së Pranverës, koha më e rëndësishme për ribashkimin familjar sipas kulturës tradicionale kineze. Numrat e përgjithshëm të udhëtimeve ajrore, hekurudhore dhe rrugore pritet të dyfishohen në krahasim me vitin e kaluar, duke arritur në 70.3 për qind të vëllimit gjatë së njëjtës periudhë të vitit 2019, ose para shpërthimit të pandemisë. Njerëzit që vizitojnë familjet dhe miqtë priten të përbëjnë 55 për qind të fluksit total të pasagjerëve të këtij viti. Ndërsa kërkuesit e punës dhe ata që planifikojnë udhëtime turistike e udhëtime biznesi zënë përkatësisht rreth 24 dhe 10 për qind, sipas të dhënave të publikuara nga ministria e Transportit. 

Gjatë kthimit masiv për në vendlindje, pasagjerëve u sugjerohet të mbajnë maska dhe t'i kushtojnë vëmendje higjienës gjatë udhëtimit. Ata gjithashtu inkurajohen që t’i planifikojnë udhëtimet jashtë pikut të lëvizjeve për të minimizuar rrezikun e infeksionit.