Rama: Certifikimi i produkteve, vlerë e shtuar e markës “Made in Albania”
2023-01-30 15:46:04

Produktet Made in Albania (Foto Atsh)

Produktet Made in Albania (Foto Atsh)

Prodhuesit e ekselencës tradicionale tashmë i kanë produktet të mbrojtura e të certifikuara, si vlerë e shtuar e markës “Made in Albania”.  

Ndërsa ndau në rrjetet sociale dëshmitë e ekspertëve të ushqimit dhe vetë prodhuesve mbi përfitimet që sjell certifikimi i produkteve, kryeministri Edi Rama deklaroi se vitet e fundit në Shqipëri produktet tradicionale kanë marrë një vlerë të veçantë.  

Sipas tij, zhvillimi i agroturizimit ka ndikuar në zhvillimin dhe promovimin e produkteve tradicionale përmes një lidhje natyrore mes agroturizmit, fermave turistike dhe prodhuesve vendas, bën të ditur “ATSH”.  

Puna për identifikimin, regjistrimin dhe mbrojtjen e produkteve bujqësore dhe ushqimore ka filluar vite më parë, por miratimi i ligjit dhe akteve nënligjore për skemat e cilësisë së produkteve bujqësore dhe ushqimore i hapën rrugë njohjes dhe certifikimit të tyre me tre sisteme kryesore të përafruara me BE-në, si treguesi gjeografik, emërtimi i origjinës dhe  specialiteti tradicional i garantuar.  

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, u shpreh se certifikimi është garanci për aksesin në treg të prodhuesve të vegjël.  

“Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka zhvilluar rrugën e qartë ku duhet të ecin këta prodhues të vegjël për të rritur vlerën e produkteve të tyre”, tha ajo.  

Deri më sot është bërë identifikimi i mbi 40 produkteve që kanë potencialin për t’u certifikuar shumë shpejt. (Elona)