Foto nga VCG
Kinematë, restorantet, pikat turistike etj. ishin plot me njerëz gjatë pushimeve të Festës së Pranverës të sapopërfundura, duke çuar përsëri në një lulëzim të konsumit. Në kinema, shumë filma tërheqës, si “E kuqja e plotë e lumit”, “Toka endacake II” etj., siguruan gjithsej 6 miliardë e 758 milionë juanë të ardhura prej shitjes së biletave nga 21 deri më 27 janar, shifra e dytë më e madhe e të ardhurave prej biletave të kinemave gjatë Festës së Pranverës.
Një shikuese u shpreh:
“Në ditën e parë të Vitit të Ri Kinez, erdha posaçërisht për të parë film. Ky është një zakon i ri me rastin e Festës së Pranverës.”
Zv.presidenti dhe menaxheri i përgjithshëm i Kompanisë së Filmit të Kinës Fu Ruoqing tha:
“Për të shtuar entuziazmin e dashamirësve të kinemasë gjatë Festës së Pranverës, përzgjodhëm filma të shumëllojshëm, duke plotësuar kërkesat e tregut.”
Edhe tregu turistik me rastin e Festës së Pranverës po gjallërohet përsëri. Sipas raportit përmbledhës mbi turizmin gjatë Festës së Pranverës 2023 të publikuar të premten e kaluar nga uebsajti turistik “Ctrip”, këtë vit gjatë Festës së Pranverës, porositë për turizëm brenda e jashtë vendit arritën kulmin në tre vjetët e fundit, duke u rritur katër herë në krahasim me të njëjtën periudhë të vjetshme.
Ndihmëspresidenti i Kompanisë Turistike “WTown” të Pekinit Bao Long u shpreh:
Pas rregullimit të masave parandaluese e kontrolluese të pandemisë, janë shtuar vazhdimisht turistët nga Pekini dhe nga krahinat e tjera. Gjatë Festës së Pranverës rezervimet turistike u shtuan. Nga vigjilja e Festës së Pranverës deri në ditën e 5-të të Vitit të Ri Kinez, norma e rezervimit të hoteleve të 'WTown'-it arriti në 90 %”.
Pushimet e Festës së Pranverës janë një dritare e rëndësishme për vëzhgimin e prirjes së zhvillimit të tregut të konsumit. Sipas të dhënave të konsumit me rastin e Festës së Pranverës 2023, të publikuara nga uebsajti i konsumit “Meituan”, në gjashtë ditët e para të pushimeve për Festën e Pranverës, konsumi mesatar ditor u rrit 66 % në krahasim me Festën e Pranverës të vitit 2019, dhe sektori i shërbimit ka hyrë në fazën e rimëkëmbjes.
Menaxheri i restorantit “Shoo Loong Kan”, zoti Liu, tha:
“Përmirësimi i masave parandaluese e kontrolluese të pandemisë është një sinjal pozitiv për sektorin ushqimor. Njëkohësisht Viti i Ri dhe Festa e Pranverës kanë forcuar besimin e tregut të konsumit.”
Zv.menaxherja e përgjithshme e Kompanisë së Dyqaneve të Mëdha “SKP” të Chengdu-së Li Xiaochen u shpreh:
“Kanë ardhur shumë klientë dhe është rigjallëruar entuziazmi i tyre për të blerë. Ne po punojmë për të rikthyer besimin e konsumatorëve te tregu dhe besimin e partnerëve të bashkëpunimit, duke shfaqur forcën e sektorit të shitjes me pakicë të qytetit Chengdu.”
Lulëzimi i konsumit me rastin e Festës së Pranverës ka pasqyruar rimëkëmbjen e ekonomisë kineze këtë vit. Në raportin e OKB-së mbi situatën dhe perspektivën e ekonomisë botërore për vitin 2023 parashikohet se në këtë vit rritja e ekonomisë botërore do të ulet nga 3 % që ishte vjet, në 1.9 %. Njëkohësisht, me përmirësimin e masave të parandalimit e të kontrollit të pandemisë dhe me promovimin e rritjes ekonomike nga qeveria kineze, do të shtohet konsumi i brendshëm në Kinë dhe rritja e ekonomisë kineze pritet të arrijë në 4.8 % këtë vit.
Drejtori i Degës së Mbikëqyrjes së Ekonomisë Globale pranë Departamentit të Çështjeve Ekonomike e Sociale të OKB-së Hamid Rashid tha:
“Në ndryshim nga vendet e tjera në zhvillim, Kina ka ruajtur një politikë të fuqishme financiare e monetare, që do të çojë në një rritje ekonomike më të lartë.”