Librat më të mirë të mbijetesës njerëzore
2023-01-30 11:04:47

Kujtimet e Holokaustit, të shkruara nga të mbijetuarit, janë një dëshmi e rëndësishme e drejtpërdrejtë e jetës së njerëzve të përfshirë në persekutimin nazist. Disa libra u shkruan menjëherë pas çlirimit për të denoncuar krimet që kishin përjetuar e disa të tjerë vite më vonë, ndërkohë që libra të tillë vazhdojnë të shkruhen, duke treguar histori të atyre viteve apo konseguenca të tyre. Me rastin e Ditës Ndërkombëtrae të të Përkujtimit të Holokaustit, kemi përgatitur dhjetë librat më të mirë të mbijetesës njerëzore, të përkthyer në shqip dhe të botuar ndër vite.

Ditari i Ana Frankut - Foto Shtepia e Librit

Ditari i Ana Frankut - Foto Shtepia e Librit

1. “Ditari i Ana Frankut”, nga Ana Frank

Ditari i Ana Frankut u bë një ndër librat më të lexuar në botë dhe u përkthye në dhjetëra gjuhë. Më 1940 Gjermania pushtoi Holandën dhe filloi menjëherë zbatimi i ligjeve antihebraike. Babai i Ana Frankut, i frikësuar për familjen, ra në ujdi me bashkëpunëtorët e biznesit të tij për ta vazhduar punën në një vend të fshehtë, derisa të përfundonte lufta. Disa muaj përpara se familja Frank të fillonte të fshihej, Anës i dhuruan për ditëlindje një ditar. Ajo e quajti ditarin e saj Kiti dhe shkruante në të gjithçka i ndodhte asaj dhe familjes. Askush nuk e di saktësisht se si ndodhi, por dikush tregoi dhe nazistët shkuan në vendin ku gjendeshin Frankët, i morën dhe i dërguan në një kamp përqendrimi. Një mik i familjes Frank, e gjeti ditarin e Anës dhe e fshehu në një vend të sigurt, pasi shpresonte që Ana të kthehej pas përfundimit të luftës. Por nga familja Frank mbijetoi vetëm babai. Gruaja e tij u vra në Aushvic ndërsa Ana dhe motra e saj më e madhe humbën jetën në kampin e përqendrimit. Oto Franku, me sugjerimin e disa miqve, lejoi që ditari i vajzës së tij të botohej, duke u bërë menjëherë i njohur.

2. “A është vallë njeri?” nga Primo Levi

Libri mbështetet te një rrëfim rrëqethës dhe një analizë e thellë mbi historinë e kampeve të përqendrimit, mbi fyerjen, poshtërimin dhe degradimin e njeriut, para se të mbërrihet në shfarosjen e plotë të tij. Në këtë libër, autori rrëfen përvojën e një viti të tërë, nga shkurti 1944 deri më 27 janar 1945, të kaluar në lagerin e Buna-Monovicit. Buna ishte një ndër 44 kampet satelitë të Aushvicit, e pozicionuar në territorin polak. Historia fillon me internimin e autorit në kampin për hebrenj në Fosoli dhe përfundon me çlirimin e kampit të Aushvicit nga ushtria ruse. Levi arriti të mbijetonte falë ushqimit shtesë, që një punëtor italian, Lorencoja, arrinte t’ia kalonte fshehurazi.

Përvoja e Levi-t si një ndër të mbijetuarit e këtij kampi famëkeq shpërfaqet në një prej librave më realistë e të thellë mbi ferrin që përjetuan gjithë bota e sidomos hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Me stilin e zhveshur të një kronike, ai sjell dëshmi tronditëse të asaj mbijetese deri në çnjerëzim.

Tatuisti i Aushvicit - foto Botimet Living

Tatuisti i Aushvicit - foto Botimet Living

3. Lista e Shindlerit”nga Thomas Keneally

Thomas Keneally, romancier dhe dramaturg, lindi në Sydney të Australisë, në vitin 1935. U bë i famshëm në botë mbas botimit të romanit Arka e Shindlerit, që u shpall edhe fitues i Booker Prize, në vitin 1982. Per këtë roman, ai, u bazua në rrefimet tronditëse të një të mbijetuari të Holokaustit. Dhjetë vite më vone, regjisori i famshëm Steven Spielberg me subjekt të këtij romani, realizoi filmin Lista e Shindlerit dhe fitoi çmimin e Akademisë për filmin më të mirë. Thomas Keneally është autor i shumë romaneve dhe është nderuar me shumë çmime.

4. “Tatuisti i Aushvicit” nga Heather Morris

Një roman i bazuar në një histori të vërtetë, nga Heather Morris! Një histori dashurie në një kamp përqendrimi, ajo e Lejli dhe Gita Sokolovit, jo vetëm që do t'i mbijetonte ditëve të vështira, por do të dokumentohej me detaje shumë vite më pas. Një histori e mbetur peng për shtatëdhjetë vjet me radhë, e cila do t'ju bëjë për të qarë, por edhe do t'ju falë optimizëm. Janë shkruar libra pa fund për Holokaustin, por asnjë si ky që keni në dorë.

Rrugetimi i Silkes - foto Bukinist

Rrugetimi i Silkes - foto Bukinist

5. “Rrugetimi i Silkes” nga Heather Morris

Ky roman është vazhdim i romanit bestseller “Tatuisti i Aushvicit”. Bazuar në historinë e vërtetë të Silka Klainit, libri “Rrugëtimi i Silkës” ka shitur miliona kopje në mbarë botën... Kjo është historia e një gruaje që i mbijeton kampit famëkeq të Aushvicit dhe më pas e degdisin sërish në internim... Silka Klain është tetëmbëdhjetë vjeçe kur kampi i përqendrimit Aushvic-Birkenau çlirohet nga ushtria sovjetike dhe ajo u dënua me punë të detyruar, me akuzën se kishte ndihmuar nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Askush nuk i mori parasysh arsyet që e çuan Silkën dhe shumë të tjera si ajo, në atë zgjedhje makabre. Sapo mbërrijnë në gulagun Vorkuta në Siberi, ku Silka duhet të vuajë dënimin 15-vjeçar, e gjendur përballë tmerreve të vjetra e të reja, çdo ditë para një sfide të re. Pasi miqësohet me një mjeke dhe mëson të kujdeset për të sëmurët në kamp, kur duhet të mjekojë një burrë me emrin Aleksandër, ajo zbulon se pavarësisht nga gjithçka, në zemrën e saj ka ende vend për dashurinë...

6. “Biblioteka sekrete e Aushvicit” nga Antonio Iturbe

Dy mësues ngrenë vështrimin të pataksur. Mbajnë në dorë diçka që në Aushvic është rreptësisht e ndaluar, po u zbuluan dënohen me vdekje.Këto sende janë të rrezikshme, nuk mund t'i zotërosh. Nuk qëllojnë, nuk janë me majë, as prerës apo lëndues. Janë thjesht libra: të vjetër, të shkalafitur, me faqet e grisura, thuajse copë e çikë. E megjithatë nazistët i gjuajnë si të zijosur, dhe kur i gjejnë i shkrumbojnë, sepse librat janë shumë të rrezikshëm: të shtyjnë të mendosh. Ishin vetëm tetë libra, disa thuajse të shkatërruar. Por ishin libra. Dhe në atë vend aq të zymtë, ku qeniet njerëzore ishin katandisur në hije të vetvetes, ata libra i jepnin flatra kujtesës dhe e shpinin në kohë më pak të mynxyrshme, më dashamire, kohë kur fjalët kumbonin fort mbi të shtënat e automatikëve. Një epokë e perënduar.

Biblioteka sekrete e Aushvicit - foto Bukininist

Biblioteka sekrete e Aushvicit - foto Bukininist

7. “Fëmijët e urrejtjes dhe të dashurisë” nga Daša Drndić

Ky roman është cilësuar nga kritika si vepër e jashtëzakonshme e letërsisë bashkëkohore mbi temën e holokaustit. Përmes një rrëfimi që trajton në mënyrë të pamëshirshme masakrën ndaj hebrenjve italianë, në kampet e përqendrimit të Triestes, Haya reflekton mbi përvojat e saj dhe të familjes së saj hebreje, konvertuar në katolikë. Kërkimet e Haya Tedeschinit e sjellin historinë e romanit edhe në Vlorë, Sarandë, Tiranë, në Hotel Dajti, në zemër të kryeqytetit shqiptar. Kërkimet e ngulmëta për djalin, sjellin në duart e Haya-s fotografi, harta dhe fragmente poezish, të dëshmive nga gjyqet e Nurembergut. Këtu janë edhe intervistat me hebrenjtë e brezit të dytë, fakte nga dëshmitarët okularë të mizorive që ndodhën në dyert e kampeve. Prej këtij kolazhi të gjerë materialesh dhe kujtimesh lind kronika tronditëse e pushtimit nazist në Italinë veriore.

 8. “Agim” nga Eli Vizel

Libri "Agimi" është një meditim mbi kompromisin, justifikimin dhe sakrificat që bën një njeri kur i merr jetën një tjetër njeriu. I pushtuar nga horrori i të kaluarës dhe dilemat shqetësuese të së tashmes, Elisha - një burrë i ri hebre, i mbijetuar i Holokaustit - lufton me fajin, fantazmat dhe Zotin, ndërsa pret orën kur duhet të kryejë ekzekutimin. Autori I librit, Eli Vizel, është fituesi I cmimit Nobel për Paqen në vitin 1986.

Femijet e urrejtjes dhe te dashurise - foto Bukinist

Femijet e urrejtjes dhe te dashurise - foto Bukinist

9. “Motrat e Aushvicit” nga Roxane Van Iperen

Ky është nje tjetër roman i shkëlqyer mbi dramën e Holokaustit, për kampin famëkeq të Aushvicit. Gjatë një nate të ftohtë shkurti të vitit 1943, familja Brilleslajper arriti në Folenë e Lartë, një shtëpi e fshehur në pyll, në periferi të Amsterdamit. Brenda mureve të kësaj shtëpie, motrat e reja Lina dhe Jani, organizojnë një operacion shpëtimi, ndër më të guximshmit në historinë e Vendeve të Ulëta gjatë pushtimit nazist, pikërisht nën hundën e udhëheqësve të Lëvizjes Nacional-socialiste, që banojnë pak qindra metra larg shtëpisë së tyre. Por në qershor 1944, Lina dhe Jani u arrestuan dhe u dërguan në kampin e përqendrimit ku atje takuan edhe Ana Frankun dhe motrën e saj Margonë, për të cilat u kujdesen deri në ditët e tyre të fundit të jetës. Motrat  Brilleslajper, janë ndër të paktët njerëz që i mbijetuan ferrit të kampeve dhe që u kthyen në Amsterdam.

Nazisti dhe berberi - foto Bukinist

Nazisti dhe berberi - foto Bukinist

10. “Nazisti dhe berberi” nga Edgar Hilsenrat

Romani Nazisti dhe Berberi i autorit gjermano-hebre Edgar Hilsenrath është një novelë groteske për holokaustin gjatë periudhës së nazizmit në Gjermani. Romani tregon biografinë e Maks Shulc vrasësit të shumëfishtë në SS, i cili pas Luftës së Dytë Botërore, duke u paraqitur si hebre arrin të emigrojë në Izrael për ti shpëtuar përndjekjes në Gjermani. Përshkak të të parit të romanit nga ana e vrasësit, autori ka hasur shumë vështirësi në publikimin e librit në Gjermani. Dorëshkrimi origjinal është shkruar në gjuhën gjermane.

Neritana Kraja