Ermonela Jaho pas shfaqeje ne Pekin 2018 (Foto personale)
“Unë kam qenë në Pekin para katër vitesh në operan “Thais” në rolin kryesor, ku kam qenë bashkë me këngëtarin klasik legjendar Palçido Domingo dhe ka qenë një eksperiencë fantastike. Të jem shumë e sinqertë jam habitur që kur kemi dhënë intervista në konferencë shqypi për publikimin e kësaj opera, kam mbetur pa fjalë sepse nga gazetarët që ishin në këtë konferencë shtypi ishin gazetarë nga Radio e Jashtme e Kinës, por kishte dhe kinezë që flisnin aq bukur shqip. Një moment që mbaj mend dhe nuk kam për ta harruar, thashë në rregull që pashë bashkëatdhetarin tim që fliste gjuhën time, por të shikoje dikë tjetër që fliste gjuhën shqipe më ka lënë pa fjalë dhe me sa dashuri dhe mirësi kam qenë e mirëpritur nga populli kinez, gjithashtu dhe nga bashkëatdhetarët e mi në Kinë”, u shpreh sopranoja me fame botërore Ermonela Jaho në intervistën ekskluzive për Grupin Mediatik të Kinës.
Sopranoja me famë botërore Ermonela Jaho me një aktivitet të vlerësuar ndërkombëtar u shpall “Artistja e vitit 2023” nga “International Classical Music Awards - ICMA”. Çmimi i delegohet sopranos së shquar të operës botërore, Ermonela Jaho me motivacionin: "Me bukurinë unike të zërit të saj madhështor, të udhëhequr me vendosmëri drejt shkëlqimit të lavdishëm, Ermonela Jaho mahnit me estetikën e saj të pastër vokale. Por kjo nuk është vetëm njëra anë e artit të madh të këngëtares, tjetra është prezenca elektrizuese teatrale. Pak këngëtarë arrijnë një shkallë kaq të lartë të identifikimit me rolet e tyre, me një vërtetësi absolute dhe me një emocion prekës. Me të dalë në skenë Ermonela Jaho e hedh tej personalitetin e vet si një mantel dhe mishëron plotësisht personazhin që duhet të interpretojë”.
Karriera e ka kthyer Ermonelën në një ikonë arti botërore. Ajo fitoi shpejt sukses nëpër botë, me vlerësime të shumta nga kritikët. Vetëm pak ditë më parë ajo pati suksesin e radhës në Metropolitan Opera të New Yorkut, me rolin e Violetës. Në një intervistë ekskluzive për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) Ermonela tregon për karrierën e saj artistike, sukseset në skenat botërore si dhe projektet për vitin 2023.
Ermonela Jaho fituese e çmimit të madh operistik
CMG: Ermonela, së pari faleminderit që gjetët kohë në kalendarin tuaj të ngjeshur për këtë intervistë në Radio Ejani.
Ermonela Jaho: Ju falemiderit juve për ftesën dhe përfitoj nga rasti që nëpërmjet radios të përshëndes të gjithë shqiptarët kudo që janë dhe na dëgjojnë, sidomos ata që janë në Kinë.
CMG: Para pak ditësh jeni vlerësuar si artistja e vitit nga Çmimet Ndërkombëtare të Muzikës Klasike. Si ndjeheni pas këtij vlerësimi të rëndësishëm?
Ermonela Jaho: Së pari ju falenderoj për urimet dhe për vëmendjen, por si profesioniste ka qenë një rrugëtim 30 vjeçar si këngëtare operistike në gjithë botën dhe kur janë vlerësime të tilla nuk diskutohet që ndjehesh shumë mirë, sidomos një kurorëzim i një pune kolosale i bërë për shumë vite. Janë frytet e një pune dhe të një rrugëtimi të gjatë. Unë ndjehem shumë e lumtur dhe e nderuar sepse vlerësimi është bërë nga profesionistë të muzikës klasike ndërkombëtare, por më bën t’i them vetes që Ermonela ke ecur në rrugën e drejtë, gjithë ajo sakrificë dhe luftë se të jesh artist duket e lehtë, por nuk është e lehtë. Është një lloj kurorëzimi i fryteve të punës kolosale të këtyre 30 viteve dhe ndjehem shumë mirë.
CMG: Si është kjo periudhë e këtij fillim viti për ju në karrierën artistike?
Ermonele Jaho: Fillimi i këtij viti si gjithmonë në këto 30 vjet nuk e di kur është Viti i Ri, kur janë festat sepse për mua çdo ditë është nëpër festa fillimi i një viti të ri më ka gjetur gjithmonë duke qenë në produksione dhe në skenë. Edhe fillimi i këtij viti më ka gjetur pikërisht duke performuar në Teatrin Metropolitan në New York. Unë kam filluar provat që gjatë festave të Krishtlindjes, kështu që është një rrugëtim që i harron festat, i harron gjërat e tjera që mund të ketë jeta e përditëshme, por shkon kështu në mënyrë paralele me karrierën time. Ky vit ka filluar shumë bukur dhe fillimi nis me këtë çmim që është diçka që ndjehem krenare për punën time dhe më gjen akoma në skenë, sepse unë jam në mes të një produksioni këtu në Metropolitan në New York. Kështu që ka filluar mbarë dhe jam shumë e lumtur për këtë gjë.
Ermonela Jaho (Foto personale)
CMG: Sot që keni arritur të jeni në majë të karrierës operistike, cili është emocioni që përjetoni në këto arritje të mëdha në shumë vende të botës?
Ermonela Jaho: Emocioni është i madh se janë ëndrra të realizuara totalisht dhe e them me një lloj krenarie, një lloj shprese apo mesazhi që mund të jetë për të rinjtë sepse karriera ime, ëndrra ime filloi në Shqipërinë e vogël, në Teatrin e Operas dhe Baletit ku unë pashë operën e parë që ka qenë “Traviata” që 14 vjeç. Nga ai moment në atë sallë në TOB në Tiranë vendosa dhe thashë që unë do të bëhem këngëtare operistike dhe nga ai moment deri sot mund të them që ëndrra ime u realizua. Unë ndjehem shumë mirë dhe e lumtur, e realizuar në çdo drejtim dhe ëndrra të tjera nuk kam, të jem shumë e sinqertë. Tani kjo etapë e jetës dhe e karrierës sime është të qëndroj në skenë me qëllimin për të dhënë diçka të re, për të dhënë një emocion, se artisti po nuk dha një emocion që të lidhet me publikun është më mirë të tërhiqet. Ajo që është kryesore që të jap eksperiencën time si artiste, dhe sa punë e madhe dhe sa luftë duhet për të arritur në ato ëndrrat që mund të jenë fantastike, por ka një punë kolosale dhe për t’i treguar këtë rrugëtim dhe brezit të ri sepse tani është shumë e vështirë që të besosh. Ëndrra është e vështirë që të besosh se gjërat e bukura ndodhin dhe unë jam një shembull i nisur nga ajo Shqipëri e vogël me të gjitha ngjyrat si çdo vend tjetër, më vështirësi por që bën një bagazh human që të bëjnë ty një qenie humane më të mirë dhe ke se çfarë tregon si artiste. Në skenë janë ndjenjat humane universale që ne i këndojmë dashurisë, sakrificës, vuajtjes, punës kolosale janë të gjitha ndjenjat humane që sillen në skenë. Një që mund ta quaj ëndërr është t’i jap eksperiencën time brezit të ri. Duhet një ëndërr dhe të dish të fillosh nga diku, por që ta përqafosh dhe jetosh atë ëndërr duhet një punë kolosale sepse edhe talenti pa punën mbetet diçka e pakultivuar. Sidomos në kohën që jetojmë konkurrenca është e jashtëzakonshme dhe çdo vit ke talente të reja nga vende të ndryshme të botës, ndaj duhet të gjesh hapësirën tënde në këtë hapësirë kaq të madhe, ku ka artistë nga gjitha vendet e botës dhe janë shumë të mirë. Ti duhet t’i bësh vend vetes dhe kjo bëhet me një punë të palodhur. Unë e quaj nganjëherë që duhet një pasion patologjik që të të shtyjë të punosh dhe mos të tërhiqesh. Sidomos në fushën e artit jo gjithmonë do pëlqehesh, do kesh mospranime dhe mosbesime, por duhet të kesh ti besimin tënd, ai zjarr që ti ke brenda dhe që nuk të le të tërhiqesh nga ajo që do të bësh. Talenti duhet, por duhet më shumë punë dhe po të vendosim në një peshore duhet 80 përqind punë dhe 20 përqind talent.
CMG: Ju shkëlqyet dhe me rolin e Violetës ne Operan Metropolitan të New Yorkut. Çfarë mund të na thoni për këtë sukses tuajin?
Ermonela Jaho: Opera “Traviata” është e lidhur me fillimin e ëndrrës time. “Traviata” ka qenë opera që kam parë në Shqipëri kur kam qenë 14 vjeç dhe që vendosa të bëhesha një këngëtare lirike dhe me atë pasionin që kemi ne shqiptarët apo ballkanasit unë i bëra një premtim vetes time dhe vëllait me të cilin isha në atë mbrëmje në TOB dhe thashë unë nuk do vdes pa e kënduar njëherë në jetën time Violetën. Nga ajo kohë kthehem tani në Teatrin Metropolitan për të disatën herë po me Violetën pas shumë vitesh dhe “Traviata” është Violeta ime numër 305 sepse e kam kënduar 305 herë në performancat ku kam performuar rolin e Violetës.
Unë ndjehem shumë mirë sepse është ëndrra që është rritur me Ermonelën, ajo ëndrra që vazhdon. Ndjehem mirë dhe ndoshta është pak teknike që mund të them se Violeta është një ndër rolet më të vështira për zërin e sopranos dhe kërkon një përgatitje fizike, pra duhet të jesh e re që ta përballosh sepse është një maratonë që duhet të vraposh për tre orë që të dalësh fitimtare dhe të mbijetosh. T’i rikthehesh këtij roli përsëri pas shumë vitesh sepse nuk jam më 14, 20 apo 30 vjeç, jam afër të pesëdhjetave dhe ndjehem mirë dhe e shoh që puna që kam bërë, ëndrra që filloi pikërisht aty në Tiranë po e përjetoj përsëri në një teatër siç është Metropolitan, i cili është Teatri më i madh i Operas dhe është fantastike.
Gjithashtu u ndjeva e lumtur sepse kisha në publik aq shumë shqiptarë dhe është një lloj mesazhi që nuk ka rëndësi është Ermonela apo është dikush tjetër, është një mesazh pozitiv që i jep popullit tënd, atyre që kanë vuajtur kaq shumë, prindërit, gjyshërit tanë që kanë ardhur këtu në SHBA dhe kanë punuar për një mirëqenie dhe një jetë më të mirë, dhe t’ju tregosh fëmijëve tuaj të jesh krenar për vendin tënd që një bashkëatdhetare e jona është aty, në majë. Pra janë disa mesazhe që u bashkuan me anën time profesionale dhe me bashkëatdhetarizmit. Ky ka qenë emocioni më i fortë që kam provuar në këtë periudhë dhe të festojmë së bashku duke mbështetur njëri-tjetrin sepse kjo është ajo që na mungon ne shqiptarëve, të mbështesim njëri-tjetrin, të respektojmë njëri-tjetrin sepse secili prej nesh është unik në atë që bën, por kur e respekton, vlerësojmë dhe duam njëri-tjetrin bëhemi qenie humane më të mira dhe një popull më i mirë. Kjo ka qenë gjëja më e bukur dhe më emocionuese për mua në Teatrin Metropolitan me një rol që filloi pikërisht në teatrin e vogël të TOB-it në Shqipëri, kështu që është një lloj cikli.
Ermonela Jaho ne rolin e Thais ne Pekin (Foto personale)
CMG: Fama ndërkombëtare çfarë ka ndryshuar në jetën e Ermonelës?
Ermonela Jaho: Fama nuk ka ndryshuar ndonjë gjë të madhe, jam ajo Ermonela që kam qenë shumë kërkuese me veten, Ermonela që bën gjëra si të gjitha qeniet humane në jetën e përditëshme. Kam pakëz më shumë përgjegjësi si artiste sepse kur bën më tepër emër dhe përgjegjësia është më e madhe. Nuk ka ndryshuar asgjë sinqerisht dhe e vetmja gjë është që e ndjej përgjegjësinë që kam, që të jem një lloj shembulli pozitiv për brezin e ri, sidomos për brezin e ri në Shqipëri që siç arrita unë çdokush mund t’i arrijë vetëm nëpërmjet një pune kolosale dhe pasionit. Kur ke një lloj emri dhe përgjegjësi për mesazhet që mund ti japësh të rinjëve sot sepse çdo gjë është bërë kaq sipërfaqësore, çdo gjë është bërë virtuale që ndoshta dhe ajo duhet sepse nuk mund të mohosh realitetin në të cilin jetojmë, por është një detyrim i imi moral dhe human për të dhënë këtë lloj mesazhi.
Unë shkoj çdo vit në Shqipëri. Kjo është fama që më ka ndryshuar, që dëgjohem më shumë, shkoj çdo vit në Shqipëri për të dhënë eksperiencën time dhe kur shoh talentet shqiptare që spikasin t’ ju jepet një mundësi me njohuritë që kam unë dhe njerëzit që njoh në botën e operas është që t’i marrësh përdore këta të rinj dhe t’u tregosh në njëfarë mënyre rrugën për të realizuar ëndrrat e tyre për rrugëtimin e vështirë që kërkon ky zanat.
CMG: A keni dhënë shfaqje në Kinë për publikun kinez?
Ermonela Jaho: Unë kam qenë në Pekin para katër vitesh në operan “Thais” në rolin kryesor, ku kam qenë bashkë me këngëtarin klasik legjendar Palçido Domingo dhe ka qenë një eksperiencë fantastike. Të jem shumë e sinqertë jam habitur që kur kemi dhënë intervista në konferencë shqypi për publikimin e kësaj opera, kam mbetur pa fjalë sepse nga gazetarët që ishin në këtë konferencë shtypi ishin gazetarë nga Radio e Jashtme e Kinës, por kishte dhe kinezë që flisnin aq bukur shqip. Një moment që mbaj mend dhe nuk kam për ta harruar, thashë në rregull që pashë bashkëatdhetarin tim që fliste gjuhën time, por të shikoje dikë tjetër që fliste gjuhën shqipe më ka lënë pa fjalë dhe me sa dashuri dhe mirësi kam qenë e mirëpritur nga populli kinez, gjithashtu dhe nga bashkëatdhetarët e mi në Kinë. Ka qenë një moment shumë i bukur dhe aty e kupton që arti nuk ka nacionalitet kur flet me gjuhën e zemrës. Nuk ka rëndësi nga cili vend vjen, por që je i sinqertë ti si artist për të prekur zemrat e çdo vendi ku je dhe kjo ka qenë eksperienca ime në Kinë. Ka qenë një mikëpritje e jashtëzakonshme dhe u ndjeva në shtëpi që nuk e prisja se jemi kaq larg, por dhe aq larg nuk jemi kur i thonë.
Ka qenë një kujtim shumë i bukur dhe një opera fantastike “Thais”, që vihej për herë të parë në atë teatër dhe publiku ishte shumë entuziast.
CMG: Cilat janë projektet tuaja për vitin 2023, nëse e dini kalendarin artistik?
Ermonela Jaho: Do habiteni por shfaqjet i di sepse jam e programuar këtu e pesë vitet që vijnë, që edhe pse janë aq të gjata të bëjnë të ndjehesh mirë ty si artist. Unë e jetoj çdo moment sikur të jetë momenti i fundit i jetës, jetoj çdo moment 100 përqind, sepse jetës nuk i dihet. Përsa i përket vitit 2023 kam filluar në Metropolitan me “Traviatën”, menjëherë mbas “Traviatës” shkoj në operan australiane në Sidnei për të kënduar një produksion të Adriana Lecouvreur, ku jam në rolin e Adrianës, mbas Sidneit kam dy recitale, një në Belgjikë dhe një në Spanjë. Pastaj në Londër me operan “Turandot”, mbas Londrës në Mynih dhe “La Rondine” në Zyrih, Turandot përsëri në Paris, plus dhe koncerte. Por kalendarit nuk i mungon edhe vajtja në Shqipëri, dy herë do shkoj për të dhënë eksperiencën time masterclass për këngëtarët e rinj. Ky është kalendari artistik i vitit 2023, pra jemi të mbushur.
CMG: Faleminderit shumë per këtë intervistë ekskluzive dhe ishte privilegj që ju kishim të ftuar. Ju uroj suksese gjithmonë.
Ermonela Jaho: Unë ju falenderoj nga zemra, ju përshëndes dhe përqafoj edhe pse nga larg të gjithë ju stafin e Radio Ejani, dhe uroj të takohemi personalisht në studio. Faleminderit shumë!
Intervistoi: Gazmend Agaj