Vida Kunora është këngëtare dhe autore këngësh e njohur në mbarë vendin, e cila ka studiuar gjuhë-letërsi. Ajo është e suksesshme në të gjitha skenat shqiptare brenda dhe jashtë vendit dhe një ndër këngëtaret më të klikuara të muzikës popullore dhe folklorike, duke qenë e preferuar në dasmat shqiptare. Vida ka realizuar shumë hite dhe shumica e këngëve të saj këndohen në dasma. Në një intervistë për Radio Ejani ajo tregon për karrierën e saj artistike, aktivitetet muzikore dhe projektet në të ardhmen.
Kengetarja e muzikes popullore Vida Kunora (Facebook)
CMG: Si ka nisur karriera juaj muzikore?
Vida Kunora: Si çdo këngëtare tjetër që fillimet e veta i ka në shtëpinë e vet, ku në një shkollë shquhet një zë më i bukur së zëri tjetër. Në korin e shkollës unë shquhesha për një zë pak më melodioz se nxënësit e tjerë. Mësuesja kujdestare më zbuloi si zë dhe pastaj kam filluar të angazhohem edhe me programet e tjera që organizonte shkolla derisa fillova të ndërgjegjësohem dhe ta kuptoj se me të vërtetë e kam një zë dhe një talent dhe duhet ta ushtroja. Unë e kam ushtruar talentin me mjaft dashuri.
CMG: Fillimet tuaja kanë qenë me muzikën popullore?
Vida Kunora: Normalisht unë shquhem edhe kësaj dite për këngëtare të muzikës popullore, por kjo nuk do të thotë që këndoj vetëm muzikën popullore. Unë këndoj dhe këngë të muzikës së lehtë, se kam jetuar me këngët e festivaleve. Kam filluar të këndoj dhe këngë të muzikës së lehtë, por talentin e kam më shumë për këngëtare të muzikës popullore.
CMG: Keni marrë pjesë në ndonjë nga festivalet folklorike të Gjirokastrës?
Vida Kunora: Unë kam marrë pjesë në vitin 1988 në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës me një këngë të bukur folklorike, pastaj jam angazhuar vetëm me koncerte private, dasma dhe gëzime të tjera familjare. Gjithashtu jam e angazhuar dhe me shkollën sepse kam mbaruar për degën gjuhë-letërsi, pra e kam ushtruar muzikën por primar ka qenë profesioni.
Vida Kunora (Facebook)
CMG: Si i keni bërë bashkë profesionin dhe pasionin për muzikën?
Vida Kunora: Të them të drejtën gjuhë-letërsia është një komponent shumë i rëndësishëm që ndihmon çdo këngëtar. Të jesh këngëtare dhe e realizuar deri në njëfarë mase duhet të kesh shumë komponentë, nuk është vetëm të këndosh si artiste dy-tre këngë, por duhet dhe të artikulohesh sepse për mua është një komponent shumë i rëndësishëm të dish të flasësh dhe të prezantohesh bukur. Kjo për mua ka qenë një armë shumë e fuqishme, ka qenë një mbështetje shumë e madhe gjuhë-letërsia që të jem shumë e suksesshme.
CMG: Tekstet e këngëve tuaja i shkruani vetë?
Vida Kunora: Në shumicën e këngëve të mia tekstet i kam bërë vetë, pavarësisht se në disa raste unë nuk e shkruaj. Edhe nëse unë marr ndonjë tekstshkrues, sigurisht që do të fus dorë vetë për ta rregulluar, pra e kam pasion që të shkruaj tekstet vetë. Kam disa këngë që i kam shkruar tekstet vetë, jo vetëm për vete por dhe për kolegët e mi.
Vida Kunora gjate nje emisioni televiziv (Facebook)
CMG: Kush ju ka mbështetur më shumë në rrugëtimin tuaj muzikor?
Vida Kunora: Fillimisht më ka mbështetur familja, sidomos nëna ime sepse unë jam malësore dhe e them gjithmonë që jam rritur në fshat dhe atëhere një vajzë e re të dilte të këndonte ka qenë një tjetër opinion. Kështu që kam pasur mbështetjen e nënës, jo se kam qenë shumë e angazhuar pasi kam pasur shkollën dhe punën në familje, por kam pasur fatin e mirë që të martohem me një njeri që ka mbaruar Institutin e Arteve dhe kam ardhur fiks tek profesioni. Kështu që kam pasur mbështetjen e familjes, por mbështetjen e bashkëshortit e kam pasur dhe vazhdoj ta kem edhe tani.
CMG: Cilët janë bashkëpunëtorët tuaj në realizimin e materialeve muzikore?
Vida Kunora: Unë kam të paktën 13 vjet që kam bashkëpunuar me të njëjtin kompozitor me Genti Lakon, kam qenë këngëtarja e studios së Gentit me mbështetjen e muzikantit që vazhdoj ta kem prej 24 viteve në evente të ndryshme dhe dasma Altin Toma, i cili është një mjeshtër mjaft i mirë në fizarmonikë. Ai është student i Agim Krajkës ndër më të mirët që ka Shqipëria. Altini është muzikanti me të cilin unë punoj në gëzime familjare dhe evente të ndryshme. Pastaj jo vetëm në studion e Genti Lakos, por kam punuar dhe në Kosovë ku kam pasur bashkëpunime dhe me studio të tjera si të Alban Fortunës dhe Edmond Zhulalit. Tani kam një material të Edmond Zhulalit dhe pres që ta nxjerr sa më shpejt. Gjithashtu kam bashkëpunuar dhe me Edi Balilin, por baza ka qenë Genti Lako.
CMG: Me cilët këngëtarë të këngës popullore bashkëpunoni më shumë, qoftë në evente por dhe duete?
Vida Kunora: Unë kam shumë bashkëpunime me Arben Geloshin, Zef Bekën, me Indrit Mlikën kam tani një këngë shumë të bukur që do të shfaqet së shpejti. Bashkëpunimi më i suksesshëm ka qenë dueti me Arben Gjeloshin dhe Zef Bekën.
Vida Kunora me kengetaren Artiola Toska (Facebook)
CMG: Do kishit dëshirë që të kishit ndonjë duet me këngëtarë të trevës së Shqipërisë së mesme ose të jugut?
Vida Kunora: Kam pasur shumë oferta, por fakti që jam midis Shqipërisë dhe SHBA-së kohën e kam të limituar dhe vij e iki shpejt. Sigurisht që kam planet e mia dhe besoj se këtë vit do të kem një bashkëpunim me një këngëtar të jugut.
CMG: Sa rëndësi i jepni veshjes, kur jeni në skenë apo gëzime familjare?
Vida Kunora: Unë jam një këngëtare mjaft e profilizuar në dasmat e shqiptarëve dhe në momentin që kam një dasëm, ditëlindje, pagëzim apo gjithçka tjetër kam një përgjegjësi shumë të madhe. Nuk është vetëm të këndosh, por janë disa komponentë që të jesh një menaxhere e mirë e kohës dhe repertorit.
CMG: Çfarë emocioni përjetoni kur vishni kostumin tradicional popullor?
Vida Kunora: Unë jam malësore dhe tani që xhubleta u pranua në UNESCO kam pasur një gëzim shumë të madh, një emocion shumë i madh sepse është veshja që kanë veshur gjyshet dhe nënat tona, por do ta trashëgojmë dhe në brazat e ardhshëm sepse është një gjë e mrekullueshme. Unë veshjen popullore e kam lëvruar shumë dhe e kam praktikuar në repertorin tim veshjen e malësorëve që për mua është goxha emocion.
Vida Kunora me kengetaren Fatmira Brecani (Facebook)
CMG: Flasim për eksperiencën tuaj në eventet muzikore jashtë vendit.
Vida Kunora: Unë e them gjithmonë që zëra të bukur Shqipëria ka mjaft, unë nuk mendoj se jam një nga zërat më të bukur që ka Shqipëria, por një gjë e kam të sigurtë që jam një nga këngëtaret më të dashura që ka Shqipëria. Unë ndjehem shumë e privilegjuar kur marr mikrofonin në dorë dhe prezantoj një dasëm apo një koncert kur të gjithë njerëzit më duan shumë si në veri ashtu dhe në jug. Dua të them dhe një gjë, që fakti që unë kam vite në Tiranë kam qenë e pranishme në koncerte jashtë shtetit, në jug dhe veri duke e pasuruar repertorin. Ndoshta nuk e këndoj si këngëtarët e jugut, por besoj se i zotëroj mirë.
CMG: Në repertorin tuaj muzikor vihet re dhe publikimi i disa kolazheve muzikore të veriut. Pse janë kaq të preferuara kolazhet sot
Vida Kunora: Fakti që unë jam këngëtare e dasmave dhe njerëzit i duan kolazhet popullore sepse nuk mund të këndosh një këngë në një dasëm pastaj të ndalosh dhe të fillosh një tjetër. Kështu që kolazhet janë shumë të preferuara sepse shkojnë në një ritëm ose dhe kur ka thyerje ritmi njerëzit i pëlqejnë. Kolazhet janë të gjata dhe i dëgjojnë në makinë dhe besoj se tani kolazhet janë shumë të pëlqyera dhe unë i kam shumë përzemër sepse me një kolazh mund të prezantosh katër këngë të bukura.
CMG: Cilat janë projektet tuaja muzikore për këtë vit?
Vida Kunora: Në muajin prill unë largohem në SHBA dhe kthehem në Shqipëri vetëm në sezonin e dasmave. Kam në plan një duet me këngëtarin shkodran Indrit Mlika, kënga ka përfunduar në studion e Zhulalit dhe presim të realizojmë videoklipin. Gjithashtu kam dhe një duet tjetër me një këngëtare të Kosovës që do ta le surprizë se ashtu ka qenë dëshira e saj dhe kam dy këngë shumë të bukura jo të reja, janë cover, por jam rritur me ato këngë dhe do t’i sjellë pak në kohë.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe adhuruesit tuaj.
Vida Kunora: Unë ju uroj të gjithëve një vit shumë me fat dhe të mbarë, me paqe, dashuri dhe lek për të gjithë shqiptarët.
Intervistoi: Gazmend Agaj