e-Transport vlerësohet si “Platforma e vitit”
2023-01-28 19:42:46


Platforma e-Transport u vlerësua nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës si “Platforma e vitit”, në eventin “CCIT Awards”, i cili vlerëson sipërmarrjet më të suksesshme në fusha të ndryshme të të gjithë trevave shqipfolëse.

e-Transport (Foto Atsh)

e-Transport (Foto Atsh)

Kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor, Bledi Gonxhja, deklaroi se, kjo platformë nisi një epokë të re digjitalizimi të menaxhimit të shërbimeve në mbështetje të sektorit të transportit ndërqytetës, për përmirësimin rrënjësor të eksperiencës së udhëtimit e si një urë e re komunikimi për udhëtarët drejt destinacioneve të tyre të preferuara dhe eventeve më të dashura të Shqipërisë turistike, në përfundim të implementimit të biletës elektronike gjatë vitit 2023, shkruan “ATSH”.

DPSHTRR, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, po implementojnë për herë të parë platformën elektronike e-Transport, si një platformë bashkëveprimi midis udhëtarit, shoqërive të transportit, agjencive të transportit dhe terminaleve e stacioneve të tranzitit.

“Çmimi për e-Transport, na motivon për të vijuar më tej me revolucionin digjital drejt përmirësimit të shërbimeve për qytetarët”,- deklaroi Gonxhja. (Irma)