Ekspozita e relikteve rreth lepurit në Muzeun e Shangait/ foto nga VCG
Ky i 2023-it është Viti i Lepurit sipas zodiakut kinez, që do të nisë zyrtarisht nga 4 shkurti, me rastin e “Fillimit të Pranverës”, faza e parë ndër 24 fazat stinore bujqësore të vitit. Si një nga kafshët më të hershme të zbutur nga njeriu, lepuri është parapëlqyer nga kinezët për mijëra vjet, duke pasur lidhje komplekse dhe të qëndrueshme me shoqërinë kineze. Pikërisht nga kjo, figura e lepurit është e shumanshme.
Niveli i parë i imazhit kulturor të lepurit në kulturën kineze është “një qenie e fortë që konkurron kafshët e fuqishme pavarësisht trupit të dobët”. Në zinxhirin ushqimor lepuri u përket kafshëve barngrënëse të nivelit relativisht të ulët. Nga karakteristikat e tij natyrore, figura kulturore e lepurit duhet të jetë negative ose e dobët, por fakt nuk është kështu.
Lepujt zgjedhin të ikin shpejt kur ndeshen me armiq, duke zhvilluar kështu një shpejtësi të madhe vrapimi. Në librin “Arti ushtarak i Suncit”, një vepër e lashtë kineze me famë botërore mbi strategjinë dhe taktikën ushtarake, thuhet se në fillim të luftimit, ushtria duhet të qëndrojë e qetë si një vajzë e pamartuar, ndërsa kur zbulohet dobësia e armikut, ushtria duhet të jetë e shpejtë si lepujt. Në kohën e lashtë kinezët kishin zakon që t’i vishnin fëmijëve këpucë me figurën e lepurit me rastin e Festës së Mesvjeshtës, duke u lutur për shëndetin e mirë dhe veprime të shpejta prej tyre.
Lepujt janë gjithashtu mjeshtra në ndërtimin e strofkave. Një idiomë kineze thotë se “Lepuri dinak ka tre strofka”, që tregon në mënyrë metaforike pasjen e më shumë se të një vendi fshehjeje dhe shkathtësinë për shmangien e fatkeqësive. Lepujt kanë shumë armiq natyralë. Krahas ikjes dhe fshehjes, metoda e tretë për ruajtjen e racës së tyre është shumëzimi. Pikërisht për shkak të pjellorisë së lartë lepuri nënkupton lulëzimin e familjes në kulturën tradicionale kineze.
Piktura mëndafshi e nxjerrë nga Varrezat Mawangdui të Dinastisë Han Perëndimore në Changsha të Kinës Jugore/ foto nga VCG
Figura e lepurit në pikturën mëndafshi të nxjerrë nga Varrezat Mawangdui të Dinastisë Han Perëndimore në Changsha të Kinës Jugore
Imazhi i dytë kulturor në kulturën kineze është “përfaqësuesi i adhurimit të Hënës dhe i jetëgjatësisë”. Miti i lepurit në Hënë është një fenomen kulturor universal, i cili pasqyrohet në folklorin dhe legjendat e mjaft vendeve dhe kombeve të ndryshme. Por në Kinë, lidhjet midis Hënës, lepurit dhe jetëgjatësisë janë krijuar pas një procesi tepër të gjatë. Imazhi mitik i lepurit në Hënë u pa për herë të parë në Varrezat Mawangdui të Dinastisë Han Perëndimore (202 para erës sonë - 8 i erës sonë) në qytetin Changsha të Kinës Jugore. Në një pikturë mëndafshi në varrin nr.1, tregohet figura e një gjysmëhëne ku në qendër të saj ka lepuj të bardhë dhe zhaba. Nga kjo pikturë hamendësohet se figura e lepurit hënor është formuar të paktën para Dinastisë Qin (që u krijua më 221 para erës sonë).
Në Kinë ka shumë legjenda rreth ndërlidhjes së Hënës me lepurin. Një prej tyre është se lepujt shikojnë Hënën për të mbetur shtatzënë. Sipas kësaj legjende, lepujt shumëzohen duke thithur thelbin e Hënës, prandaj mendohet se lepuri është pjesa më e qenësishme e saj. Në fakt, lepuri është një kafshë nate që e kërkon ushqimin në mëngjes dhe në mbrëmje, dy periudha që përkojnë pikërisht me kohën e shfaqjes së Hënës në qiell. Prandaj këto lidhje të lepurit me Hënën kanë transmetuar brez pas brezi gojëdhënën për “shumëzimin e lepurit pas shikimit të Hënës”. Ndërsa në një tjetër legjendë thuhet se në Hënë jeton lepuri, pasi forma e hijes brenda saj ngjason me atë të një lepuri.
Ekspozita e relikteve rreth lepurit në Muzeun e Shangait/ foto nga VCG
Nga rezultatet arkeologjike, në vitet e para të Dinastisë Han Perëndimore (202 para erës sonë - 8 i erës sonë) , lepuri hënor duket gjithnjë në pozicion vrapimi. Ndërsa në mes të kësaj dinastie, figura e lepurit shndërrohet në shtrirjen përpara Nënës Mbretëreshë të Perëndimit (perëndesha kryesore që zotëron lindjen, martesën dhe jetëgjatësinë), duke mbajtur në gojë ilaçin e përjetësisë (xhinsengu i jugut). Deri në fund të kësaj dinastie, “lepuri që mban në gojë barin magjik”, ishte një figurë fikse gjatë shoqërimit të Nënës Mbretëreshë të Perëndimit. Ndërsa në vitet e fundit të dinastisë Han Lindore (25-220 i erës sonë), imazhi i lepurit hënor dhe ai i lepurit duke shtypur ilaçin e pavdekësisë përzihen së bashku. Më vonë imazhi i lepurit që shtyp Hënën u bë gjithnjë e më i fortë, duke zëvendësuar figurën e lepurit hënor.
Logoja e Muzeut të Mjekësisë Tradicionale Kineze pranë universitetit të Mjekësisë Tradicionale Kineze të Pekinit përbëhet nga një lepur duke shtypur barin brenda një rrethi.
Në Shpellat Mogao të Dunguang-ut, figura e përbashkët e tre lepujve me tre veshë është një nga skicat më përfaqësuese të tavanit. Tre lepujt që vrapojnë në një rreth simbolizojnë qarkullimin e pandalur të jetës në të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen. Figura e tre lepujve është e përhapur gjerësisht në vende e rajone aziatike, evropiane e afrikane, përgjatë Rrugës së Mëndafshit, ndërsa Dunhuang është një nyje shumë e rëndësishme në këtë itenerar.
Figura e përbashkët e tre lepujve me tre veshë është nga skicat më përfaqësuese të tavanit në Shpellat Mogao të Dunhuang-ut
Por nëse ana e parë dhe ajo e dytë e figurës së lepurit vijnë përkatësisht nga karakteri natyror dhe adhurimi ndaj Hënës dhe Nënës Mbretëreshë të Perëndimit, imazhi i tretë kulturor i lepurit mund të përmblidhet si “një simbol i mbarësisë që rrjedh natyrshëm nga kultura popullore”. Kultura e lepurit gjendet kudo në jetën shpirtërore të kinezëve.
Në Festën e Fenerëve në muajin e parë të vitit ndizen fenerët në formë lepuri. Në fazën stinore “Qingming” (Ditën e Përkujtimit), lepujt dhe dallëndyshet varen nëpër trarë, duke simbolizuar kështu tretjen e ushqimit dhe kurimin e sëmundjeve. Në Festën e Varkës së Dragoit (ditën e pestë të muajit të pestë), qëndisen qese të vogla në formë lepujsh, të cilat duke u mbushur me barna të errëta, simbolizojnë largimin e të këqijave. Në Festën e Mesvjeshtës, lutjet për fat të mbarë dhe paqe bëhen pikërisht para figurës mitologjike të “Tuerye”, ose Zotit Lepur.
Figura mitologjike e “Tuerye”, ose Zotit Lepur/ foto nga VCG
Fenerët në formë lepuri gjatë Festës së Fenerëve në muajin e parë të vitit/ foto nga VCG