Kina dhe vendet e Amerikës Latine dhe Karaibeve përqafojnë epokën e re të bashkëpunimit
2023-01-27 16:06:20

Në vitin 2022, vlera totale e tregtisë midis Kinës dhe vendeve të Amerikës Latine dhe Karaibeve tejkaloi 450 miliardë dollarë amerikanë për të dytin vit radhazi. Veç tregtisë, Kina dhe këto vende kanë ngritur një bashkëpunim në një sërë fushash, nga infrastruktura, te teknologjia dhe mjekësia dhe synojnë forcimin e këtij bashkëpunimi në të ardhmen për të promovuar zhvillimin botëror dhe për të hapur një të ardhme edhe më të ndritshme për botën.

Kina dhe vendet e Amerikës Latine dhe Karaibeve përqafojnë epokën e re të bashkëpunimit

Për dekada, argjentinasit kanë ëndërruar të kenë një hidrocentral në lumin Santa Cruz, një nga lumenjtë e fundit të mëdhenj në rajonin e Patagonisë, që përfshin skajin jugor të Amerikës së Jugut, në mënyrë që të mund të jenë më pak të varur nga importet e energjisë.

Por plani për të ndërtuar një të tillë ishte pezull në një moment për shkak të sfidave inxhinierike dhe kushteve të pafavorshme të motit, si ngricat dhe erërat, si dhe ndikimet mjedisore, duke pasur parasysh afërsinë e lumit me një akullnajë.

Tani, falë vendosmërisë së Argjentinës dhe ekspertizës kineze, argjentinasit janë gati të shohin realizimin e ëndrrës së tyre.

Në ditën e parë të Vitit të Lepurit, kur shumica e kinezëve anembanë botës ishin ende duke shijuar pushimet e tyre të Festivalit të Pranverës, inxhinieri kinez Xiong Yongfeng shkoi për të punuar në kantierin e ndërtimit të hidrocentralit Nestor Kirchner-Jorge Cepernic në Santa Cruz. Pas mbërritjes, Xiong nxori disa plane ndërtimi dhe filloi një diskutim të nxehtë me inxhinierët argjentinas në vend.

Xiong ishte një nga 50 anëtarët e stafit kinez që mbetën në detyrë gjatë pushimeve të festivalit. Së bashku me stafin argjentinas, ata siguruan që ndërtimi të ecte pa probleme, në mënyrë që argjentinasit e zakonshëm të mund të jenë një hap më afër "ëndrrës së tyre energjetike".

Përveç rritjes së mjaftueshmërisë së energjisë në Argjentinë, projekti ka përmirësuar kushtet e jetesës së shumë njerëzve, duke krijuar vende pune dhe duke ndërtuar rrugë për komunitetet lokale. Duke përballuar sfidat e shumta, inxhinierët kinezë dhe argjentinas kanë garantuar gjithashtu qëndrueshmërinë mjedisore të projektit, pasi është projektuar me kalime dhe puse ekologjike fundore.

Argjentina nuk është i vetmi vend i Amerikës Latine që punon me Kinën në ndërtimin e infrastrukturës në kuadrin e bashkëpunimit në nismën “Një brez, një rrugë”. Rindërtimi i Aeroportit Ndërkombëtar “Eloy Alfaro” në qytetin ekuadorian Manta, i cili u godit rëndë nga një tërmet i fuqishëm në vitin 2016, ka përmirësuar lidhjet tregtare, turizmin dhe biznesin e vendit me pjesën tjetër të botës; një linjë transmetimi e energjisë UHV që shtrihet nga veriu në jug në Brazil, një vend me energji të bollshme, por i kufizuar nga shpërndarja e pabarabartë, ka sjellë përfitime për 22 milionë brazilianë ose 10 për qind të popullsisë së vendit.

Eduardo Regalado, një studiues në Qendrën Ndërkombëtare të Kërkimit të Politikave të Kubës, tha se nisma “Një brez, një rrugë” i ka dhënë një shtysë të fortë zhvillimit të marrëdhënieve midis Kinës dhe Amerikës Latine dhe vendeve të Karaibeve (LAC).

Kina ka luajtur një rol kyç në promovimin e ndërtimit të infrastrukturës në Amerikën Latine, ndërsa zhvillimi ekonomik dhe social në rajon ka injektuar një shtysë të re në marrëdhëniet Kinë-LAC, tha Regalado.

Siç tha presidenti kinez, Xi Jinping, në një fjalim video të mbajtur në Samitin e shtatë të Komunitetit të Shteteve të Amerikës Latine dhe Karaibeve (CELAC) të martën në Buenos Aires, gjithnjë e më shumë vende në rajon janë angazhuar në bashkëpunim me cilësi të lartë në kuadër të nismës “Një brez, një rrugë", kanë mbështetur dhe marrë  pjesë në Iniciativën e Zhvillimit Global dhe Iniciativën e Sigurisë Globale dhe po punojnë me Kinën në ndërtimin e një komuniteti me një të ardhme të përbashkët.

TREGTIA DYPALËSHE NË LULËZIM

Porti Dalian në Kinën verilindore ka hapur një rrugë të drejtpërdrejtë të transportit për të importuar qershi nga Kili.

Më herët gjatë muajit, anija “GSL Tinos”, e ngarkuar me qershie kiliane, u ankorua në terminalin e kontejnerëve në Dalian pas një udhëtimi 22-ditor.

Qershitë kiliane favorizohen gjithnjë e më shumë nga konsumatorët kinezë dhe kërkesa e tregut vazhdon të rritet. "Kina është bërë tregu ynë kryesor dhe partneri strategjik",- tha Victor Maroto, një përfaqësues i transportuesve kilianë.

Përveç qershive kiliane, boronicat nga Peruja dhe mishi i viçit nga Uruguai janë gjithashtu ndër produktet më të shitura në Kinë, veçanërisht gjatë Festivalit të Pranverës. Në Guangzhou në Kinën jugore, trëndafilat ekuadorianë janë bërë zgjedhje të mira për banorët vendas për të dekoruar shtëpitë e tyre.

Gjatë Ekspozitës së Pestë Ndërkombëtare të Importit të Kinës të mbajtur në nëntor 2022 në Shangai, kompanitë e Amerikës Latine shfaqën produkte të tilla cilësore si vera argjentinase dhe çokollata kolumbiane, duke shpresuar të zënë një pjesë më të madhe në tregun kinez.

Ndërkohë, vendet e Amerikës Latine janë kthyer në tregje të rëndësishme për kompanitë kineze. Në Ekuador, automjetet kineze kryesojnë tregun e automobilave, pasi konsumatorët po tërhiqen gjithnjë e më shumë nga dizajni i tyre, çmimi dhe veçoritë inovative. Makina, furgona, SUV dhe kamionë të më shumë se 40 markave kineze vlerësohet se shiten në Ekuador.

Edhe gjatë pandemisë, tregtia dypalëshe ka treguar vitalitet të fortë. Të dhënat nga Administrata e Përgjithshme e Doganave të Kinës treguan se në vitin 2022, vlera totale e tregtisë midis Kinës dhe vendeve të Amerikës Latine dhe Karaibeve tejkaloi 450 miliardë dollarë amerikanë për të dytin vit radhazi.

BASHKË DREJT NJË TË ARDHMEJE MË TË MIRË

Në Meksikë, bashkëpunimi teknik i Kinës me Qendrën Ndërkombëtare të Përmirësimit të Misrit dhe Grurit (CIMMYT) po bën përparim të qëndrueshëm. Bram Govaerts, drejtor i përgjithshëm i qendrës, tha se bashkëpunimi me Kinën mund të konsiderohet si një nga shembujt reciprokisht të dobishëm të punës së bashku për të mbrojtur sigurinë ushqimore në botë.

"Qendra jonë mund të punojë me Kinën për varietete të reja gruri që mund të luftojnë ndryshimet klimatike, për varietete të reja misri që mund të përballojnë sëmundje të reja",- tha ai.

Kina dhe Amerika Latine kanë dhënë një shembull të mirë të bashkëpunimit Jug-Jug dhe pritet të kryejnë më shumë shkëmbime dhe bashkëpunim përmes platformave të tilla shumëpalëshe si Forumi Kinë-CELAC në të ardhmen, në mënyrë që të përfitojë bashkërisht bota, - tha  sociologu argjentinas Marcelo Rodriguez. Në fjalimin me video të së martës, Xi tha: "Ne i vlerësojmë shumë marrëdhëniet tona me vendet Amerikës Latine dhe Karaibeve... Kjo është arsyeja pse Kina ka punuar me këto vende për të çuar përpara  marrëdhëniet në një epokë të re të karakterizuar nga barazia, përfitimi reciprok, inovacioni, çiltërsia dhe përfitimet për njerëzit".

Në luftën kundër pandemisë Covid 19, bashkëpunimi për vaksinat midis Kinës dhe shumë vendeve të Amerikës Latine ka ndihmuar në mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të njerëzve. Bashkëpunimi Kinë-vendet e Amerikës Latine dhe Karaibeve në inovacionin e shkencës dhe teknologjisë ka dhënë gjithashtu rezultate të frytshme, duke përfshirë bashkëpunimin satelitor të burimeve Kinë-Brazil dhe një qendër kërkimore astronomike të nisur bashkërisht nga Kina dhe Kili.

Siç tha presidenti Xi në fjalimin e videos, Kina është e gatshme të bashkojë forcat me vendet e Amerikës Latine dhe Karaibeve për të promovuar paqen dhe zhvillimin botëror, për të ndërtuar një komunitet me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin dhe për të hapur një të ardhme edhe më të ndritshme për botën.