Dita më e bukur e Ledios …
Komedia “Dita më e bukur” me regji nga Ledio Topalli u rikthye në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” fillimin e këtij viti. Shfaqja flet për realitetin e shoqërisë së kohëve moderne, ku njerëzit janë në kërkim të lumturisë dhe e kërkojnë atë në drejtimin e gabuar. Kjo vepër e autorit David Foenkinos është përkthyer nga Ledio Topalli, i cili është edhe regjisori i shfaqjes. David Foenkinos është një nga romancierët më në zë në Francë, i cili ka shkruar edhe tri vepra teatrale, njëra nga tëcilat komedia “Dita më e bukur”, ku njihet dhe psikologjia e tij e humorit. Një nga komeditë më të bukura të momentit nisi të rishfaqet për publikun kryeqytetas nga data 24 deri më 29 janar, duke ngjitur në skenën e teatrit aktorët, Gentian Zenelaj, Jorida Meta, Klodian Hoxha, Adelina Muça dhe Sheila Haxhiraj, të cilët kanë krijuar të qeshura pafund në publik.
Në intervistë për Radio Ejani regjisori Ledio Topalli tregon rreth vënies në skenë të kësaj vepre, por njëkohësisht edhe për dashurinë e tij mes regjisë së teatrit dhe asaj televizive. “Ledio të lutem”! Kështu e njohin të gjithë regjisorin Ledio Topalli, i cili prej 20 vitesh ka qenë regjisor i programit “Zonë e lirë” në televizionin kombëtar Klan. Një emër i njohur, Ledio ka preferuar ta mbajë të fshehtë imazhin e tij për publikun.
Dita më e bukur (Foto nga instagrami)
CMG: Shfaqja "Dita më e bukur" është vënë në skenë një vit më parë, por pas atij suksesi rivihet në skenë pas një viti. Ti si regjisor çfarë pret këtë herë?
Ledio Topalli: Po, në fakt është e vërtetë "Dita më e bukur" është një shfaqje e cila është vënë në pranverën e vitit 2022. Ka qënë komedia ime e parë pas një rikthimi në skenë pas shumë vitesh, e cila rezultoi që ishte shumë e suksesshme. Duke qenë se në këtë qytet kanë ngelur vetëm dy salla teatri, ngjeshja e kalendarit artistik është shumë e madhe dhe ka praktikisht shfaqje të cilat presin radhën për të ardhur në skenë. Të thuash të vërtetën është e vështirë të gjesh data të lira për sallat, në këto dy ambjente që kanë mbetur, kjo është një nga arsyet.
CMG: A e kishe të vështirë t’i rimblidhje të njëjtët aktorë për të njëjtën vepër?
Ledio Topalli: U bë relativisht një vit që nga koha që është vënë vepra në skenë dhe është e vështirë që t’i mbledhësh aktorët sepse duke qenë se ka shumë vepra që po vihen në skenë dhe aktorët janë të angazhuar në disa projekte njëkohësisht. Janë pesë aktorët të cilën kanë edhe projekte të tjera. E gjithë vështirësia vjen për mungesë të sallave sepse kemi një qytet me dy salla ndërsa produksione ka shumë që presin rradhën, por edhe vështirësia për t’i rimbledhur aktorët.
CMG: Vepra e autorit David Foenkinos, të riktheu në skenën e teatrit, ku kerealizuar përkthimin dhe regjinë e komedisë "Dita më e bukur". Përse zgjodhe pikërisht këtë vepër?
Ledio Topalli: Unë e kam zgjedhur këtë vepër pasi kontakti i parë me këtë vepër ka qenë kur unë studioja frëngjisht dhe e pata si një dashuri me shikim të parë. Ashtu siç u pa edhe në skenë, kjo është një komedi që të përfshin emocionionalisht, nuk rri dot jashtë në atë komedi. Përfshihesh në ngjarjet që ndodhin aq shpejt saqë në fund të shfaqjes, nuk e kupton se si të ikën koha. Pra ky është çelësi i suksesit të kësaj shfaqjeje, si dhe merita e autorit që për mendimin tim është shumë inteligjent. Ka një mënyrë shumë të veçantë të kalimit të filozofisë së tij, nëpërmjet dialogut të shpejtë, nëntekstit dhe kjo nëpërmjet monologjeve të gjata që praktikisht mund të ulë ritmin. Ndërsa ky si autor ka këtë veçanti, që ka një ritëm mjaft të shpejtë dhe dialog të shkurtër.
CMG: Po për ty cila ka qenë dita më e bukur?
Ledio Topalli: Dita ime më e bukur, ka qenë dita kur u bëra baba i një vajze. Dhe në fakt kjo ka dhe një lidhje me këtë shfaqje se këtu ngjarjet zhvillohen në një maternitet dhe një çift sapo është bërë prind për herë të tretë. Gjithsesi është ditë shumë e bukur kur bëhesh prind, një nga ditët më të bukura për secilin nga ne, për çdo njeri është një nga gëzimet më të mëdha.
CMG: Përse duhet ta ndjekë publiku këtë shfaqje?
Ledio Topalli: Në fakt unë e kam ndarë në dy kategori publiku. Meshkujt duhet të vijnë ta shohin këtë shfaqje për të kuptuar se çfarë mund të fshehi një femër (përveç bebes në bark) , siç e thotë dhe populli "çfarë mund të mbajë një femër në bark". Ndërsa femrat duhet të vijnë ta shohin, për të kuptuar se çfarë tjetër mund të lindë në një maternitet përveçse bebeve.
CMG: Për ty Ledio është më e dashur regjia televizive apo ajo teatrale, kinematografike?
Ledio Topalli: Të them të drejtën është pak e vështirë t’i ndash, por unë kam më shumë eksperiencë në regjinë televizive sesa në atë teatrale dhe kinematografike. Regjia televizive është diçka më rutinore, pasi e ndërton një format dhe vazhdon të punosh çdo ditë për të. Ndërsa ajo teatrale është më emocionale sepse tekstet ndryshojnë, shfaqjet ndryshojnë, ke të bësh me aktorë të ndryshëm, me sjellje të ndryshme. Regjinë kinematografike do ta përcaktoja si një nga punët artistike më sfiduese që ekzistojnë. Unë përdor shpesh një shprehje; "Të jesh një regjisor filmi për popullin mund të duket e thjeshtë, por është një punë më e vështirë se puna e një minatori.” Kur mbaron një film, atëherë e kupton se çfarë procesi ka ndodhur tek ti dhe brenda teje çfarë ezaurimi emocional, fizik e psiqik ke pasur gjatë gjjthë kësaj kohe. Jam i bindur se pas realizimit të një filmi, një regjisori i duhet patjetër një kohë që ai të fillojë të rikuperojë veten. Kështu do ta përkufizoja unë punën e regjisë së kinemasë.
CMG: Faleminderit për intervistën Ledio dhe shumë suksese!
Ledio Topalli: Faleminderit! Ju pres të gjithëve në teatër!
Një dialog i shpejtë, me shumë humor, keqkuptime dhe personazhe që e kanë zili jetën e njëri- tjetrit. Skenografia është realizuar nga Redi Preni, kostumografia nga Sofi Kara dhe ndriçimi nga Taulant Kotori.
Një tjetër fenomen që prek shfaqja “Dita më e bukur” është edhe përballja me të vërtetën. Njerëz që kanë frikë të përballen me të vërtetën e tyre dhe si pasojë, krijohen shumë keqkuptime, por me plot humor brënda. Një komedi që nuk duhet humbur, e vendosur aty ku lind jeta në maternitet, ku për çdo prind është vendi që shënon dhe “Ditën më të bukur!
Intervistoi: Sava Lena