Pei Aimin, tani 49 vjeçe, dikur e fshehu dhuntinë e saj natyrore për të shkruar, duke shpresuar se askush në fshatin e saj bujqësor nuk do ta vinte re dhe do ta akuzonte për mungesën e përkushtimit ndaj punës dhe familjes.
Pei Aimin në dhomën e saj të leximit
Kështu ndodhi kur Pei ishte e re në fshatin Shangxin në qarkun Minqin të Wuwei, në provincën Gansu, dhe në vende të ngjashme në Kinë. Në të kaluarën, vajzat shpesh e linin shkollën në moshë të re për të ndjekur një model të vendosur prej kohësh: ato martoheshin dhe përshtateshin me rutinat e zakonshme të jetës rurale.
Megjithatë, disa, si Pei, kishin dëshirë të madhe për bukurinë dhe hijeshinë e një bote më të gjerë dhe kërkuan mënyra për t'u shprehur. Ajo kërkoi ngushëllim në letërsi dhe në këtë proces zbuloi aftësinë e saj për të shkruar.
Pas martesës, asaj iu desh të krijonte mundësi sekrete. Ndonjëherë ajo ujitte tokë të padobishme vetëm që të mund të lexonte ose të shkruante jashtë pa u vëzhguar. Ndonjëherë ajo ulej nën një pemë, duke hedhur mendimet e saj mbi një letër për ujin e rrjedhshëm dhe zogjtë që këndonin, derisa dikush afrohej dhe ajo fshihte me ngut letrat dhe stilolapsin.
“Pak gra në fshatin tim dinin të lexonin ose shkruanin. Të gjithë anëtarët e familjes sime menduan se ishte një ide e keqe, një humbje kohe. Njerëzit bënin thashetheme, duke thënë se nusja e familjes Chen është e marrë”,- tha Pei.
Pei Aimin
Pasi lexonte dhe shkruante fshehurazi për vite me radhë, Pei i befasoi të gjithë në shtator duke botuar një libër të punës së saj. Ajo preku mijëra njerëz me fjalët dhe vizatimet e saj të thjeshta.
Libri, “Ditari i teto Voles”, është një përmbledhje prej 365 shënimesh të shkurtra ditari që përshkruajnë peizazhin natyror të fshatit veriperëndimor të Kinës gjatë katër stinëve, rutinën e përditshme të banorëve vendas, gjëra interesante që kanë ndodhur në fshat ose se si ka ndryshuar jeta.
Një lexues komentoi në “Sina Weibo”: “Më në fund kemi një libër për jetën e fermerëve të shkruar nga një fermer”.
Një tjetër përdorues i rrjetit, gjithashtu një grua e zonave rurale, komentoi: “Kam shumë mendime, por nuk mund të shkruaj. Ti shkrove atë që doja të thosha dhe që e kam mbajtur vetëm në mendje”.
Pei e quan veten “teto Vole” sepse si fermerët ashtu edhe volat, një lloj brejtësi arrash, janë të zënë duke punuar në fusha për të ushqyer këlyshët e tyre. Ajo lexoi për volat në përralla nga Hans Christian Andersen, një nga librat e paktë që mori në shtëpi. Leximet e tjera të saj përfshijnë Librin e Këngëve (përmbledhja më e vjetër e poezisë kineze), veprat e mbledhura të poetit indian Rabindranath Tagore dhe tekstet shkollore të fëmijëve.
Sa herë që zbulon një libër të ri, ajo konsumohet nga kureshtja deri në atë pikë sa mund të djegë edhe gatimin, të harrojë të gatuajë ose të lagë rrobat e saj kur ujit të mbjellat.
“Një herë pasi kisha ndenjur deri vonë për të lexuar, më zuri gjumi duke pastruar një fushë misri. Vjehrra ime më qortoi ashpër. U ndjeva e trishtuar dhe e turpëruar. Ajo e urrente që lexoja, pasi thoshte se nuk do ta mbushte kurrë tavolinën”,- tha ajo.
“Fjalët e saj ma thyen besimin dhe fillova të flisja më pak. Më vjen keq që e lashë shkollën. Çdo mëngjes dilja për të punuar në arë dhe kthehesha për të gatuar për fëmijët në mbrëmje. Por, në natën e qetë të thellë, duke lexuar, mund të harroja pakënaqësinë e jetës, ndërsa zhytesha në lirinë dhe bukurinë e fjalëve”,- thuhet në një fragment të librit të saj.
Pei Aimin
Pei filloi të shkruante në shkollën e mesme dhe shpesh ua dërgonte me postë tregimet e saj botuesve të mundshëm. Dy prej tyre u botuan, një në një gazetë, tjetra në një revistë. “Isha e emocionuar që mora pagesën time të parë dhe letrat nga lexuesit”,- tha ajo.
Mundësia vinte gjithmonë në befasi. Në vitin 2011, një grup studentësh të kolegjit që mbillnin kultura eksperimentale në fshatin e saj vunë re se Pei po shkruante vetëm. Ata e ndihmuan atë të regjistronte një llogari në “Sina Weibo”, duke thënë se më shumë njerëz do të mund ta lexonin punën e saj.
Ajo i ka përmirësuar ditarët me foto të realizuara me telefonin e saj dhe llogaria e saj është rritur në 79.000 fansa. Në pranverën e vitit 2022, Zhang Hua, një redaktor në “Central China Normal University Press” në Wuhan, në provincën Hubei, i paraqiti Peit një ofertë për të botuar ditarët dhe vizatimet e saj.
Foto nga VCG
Pei tha se shpresonte se libri do t'i ndihmonte lexuesit të kuptojnë se puna në fermë përbëhet nga mundi dhe argëtimi.
Në një fjalim për librin në qarkun Minqin në janar, ajo shprehu mirënjohjen e veçantë për të gjithë librat që kishte lexuar. “Ata më treguan një botë më të gjerë dhe më ndihmuan të shndërrohesha nga një grua e vogël frikacake, në një grua të pavarur dhe dinjitoze fshatare”,- tha ajo.
Tani familja e Peit nuk e kundërshton më hobin e saj. “Megjithëse gratë në fshat ende nuk lexojnë, shumë kanë ndryshuar mendje për këtë. Mësimi, në fund të fundit, është i dobishëm”,- tha Pei.