Prezantohen katër produktet e para “Made in Albania”
2023-01-26 14:02:13

Ministrja e Bujqesise Frida Krifca (Foto Atsh)

Ministrja e Bujqesise Frida Krifca (Foto Atsh)

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, prezantoi certifikimin e katër produkteve të para të prodhimeve të origjinës, që sipas saj rrit e mbron markën “Made in Albania”.

“Sot kemi kënaqësinë të prezantojmë rezultatin më se të kënaqshëm të një pune të gjatë për të identifikuar, regjistruar, mbrojtur në treg dhe ofruar te konsumatori katër produktet e para të certifikuara për treguesit gjeografikë, emërtimin e origjinës dhe specialitetin tradicional të garantuar”, - tha ajo.

Ministrja tha se vitet e fundit në Shqipëri, produktet tradicionale kanë filluar të njihen gjithnjë e më shumë nga konsumatorët. Për më tepër, zhvillimi i agroturizmit si një trend i qëndrueshëm ka ndikuar në zhvillimin dhe promovimin e produkteve tradicionale, duke krijuar një lidhje natyrore midis agroturizmit, fermave turistike dhe prodhuesve vendas, citon “ATSH”.

“Studimet e thelluara kanë treguar se diferenca e çmimit, që një konsumator është i gatshëm të paguajë për produkte  të cilat vijnë nga një territor i caktuar apo që janë produkt i një mënyre tradicionale prodhimi, është në vendet e Bashkimit Evropian në nivelet e 10% deri në 30% më shumë sesa produktet e prodhuara në mënyrë konvencionale”,- theksoi Krifca.

Ministrja tha se analizat ekonomike në Shqipëri tregojnë se konsumatorët janë të gatshëm që të paguajnë 30-50% më shumë për produktet që vijnë nga një zonë e identifikuar për cilësinë e veçantë të prodhimeve. Për produkte specifike si mjalti, p.sh., kjo diferencë në çmim është edhe më e lartë.

Krifca u shpreh se këto produkte përfaqësojnë një pjesë të traditës dhe identitetit kombëtar, gjë që e bën një komb apo shtet të njohur në botë.

“Ato kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit, promovojnë ofertën turistike, mundësojnë punësim më të lartë direkt dhe indirekt, kontribuojnë në zhvillimin më të barabartë rajonal dhe rural, parandalojnë migrimet e popullsisë, si dhe mundësojnë mbrojtjen e njohurive tradicionale”, - tha ajo. (Elona)