Valbona Sulçe: Njerëzit duhet ta përdorin informacionin për të përmirësuar veten e tyre
Valbona Sulçe është gazetare në profesion të lirë në Tiranë, me një eksperiencë të gjatë në fushën e medias dhe kërkimit. Jeta e saj ka qenë dhe vijon të jetë tepër dinamike. Një nga angazhimet e saj vijon të jetë komunikimi si një mjet për të zhdukur shumë barriera në fusha të ndryshme të jetës.
Valbona deri para pak kohësh ka pasur edhe autorësinë e mjaft programeve edukative televizive, të cilat jo vetëm e kanë informuar publikun por edhe argëtuar. Ajo është një zë i fortë i gruas shqiptare, duke folur dhe analizuar problemet që hasin sot gratë në Shqipëri dhe duke ofruar mënyra dhe forma për të tejkalaur çdo situtë të vështirë.
Në vitin 1997 Valbona Sulçe nisi punën si gazetare në televizionin Arbëria e më pas u shkëput përgjithnjë në vitin 2001, për t’iu dedikuar aktivizmit. Aktualisht ajo është një nga aktivistet e të drejtave të njeriut më të njohura në Shqipëri.
Valbona Sulce ( burimi foto personale)
Për Radio Ejani Valbona Sulçe tregon për jetën dhe vitet më të bukura të karrierës.
CMG: Si i kujtoni vitet e bukura të fëmijërisë?
Valbona Sulçe: Kanë qenë vite të bukura. Ka qenë shumë e patrazuar nga gjëra të tjera të mëdha që mund të na rëndonin psikologjikisht. Fati më i madh i fëmijërisë së viteve të mia ka qenë se ne e kemi jetuar, përpiqeshim të gjenim në çdo formë një mënyrë për të jetuar bukur, qoftë nëpërmjet lojrave apo formave të ndryshme të të argëtuarit. Nuk mund të them që ne dinim gjithçka, përkundrazi shumë gjëra nuk kishim dijeni, por e shijonim për formën që vinte çdo gjë.
CMG: Cilat janë këshillat që njerëzit më të afërt ju kanë dhënë, ndërsa vitet kalonin dhe ju rriteshit?
Valbona Sulçe: Gjithçka ka të bëjë me shembullin, nuk kishte diçka të drejtpërdrejtë për formën se si duhet të sillesha, por vetëm nëpërmjet shembullit të tyre na mësuan se si duhet të silleshim. Unë kam marrë prej prindërve të mi një këshillë të vyer që është “Të jem e drejtë”. Gjithashtu e kam kuptuar vonë se ata gjithnjë janë përpjekur të na tregojnë se në jetë duhet të punojmë fort për ëndrrat tona.
Valbona Sulce ( burimi foto personale)
CMG: Cilat kanë qenë vendimet më të vështira të jetës suaj?
Valbona Sulçe: Ka qenë momenti kur unë u largova përgjithmonë nga ekrani dhe nuk u futa më në botën televizive. Pata një program shumë të suksesshëm asokohe, madje kemi marrë çmim si emisioni më i mirë, pranë Arbëria Tv. Por, unë u shkëputa. Ky ka qenë një vendim në jetën time. Vendimi për t’u larguar mendoj që më ka bërë mirë sepse unë kuptova që televizionin unë nuk e bëj thjesht për të qenë aty, por për t’i treguar të tjerëve që më duhet hapësira ime për të thënë të vërtetat.
Ishte një moment i mirë sepse kuptova që gazetarinë mund ta bësh edhe jashtë botës së televizionit. Unë kam punuar për shumë vite në shoqërinë civile. Pas shkëputjes sime nga televizioni jam marrë me studimin e medias për ta parë nga një tjetër këndvështrim. E gjithe përvoja ime në gazetari ka shërbyer për t’ua përcjellë gazetarëvë të rinj dhe për të ofruar edukim për median.
Valbona Sulce ( burimi foto personale)
CMG: Kush është pika juaj më e fortë?
Valbona Sulçe: Pika ime më e fortë është të sjell në fokus historitë njerëzore. Mua më përmbush procesi i shkrimit të një artikulli, mbledhjes së informacioneve edhe deri tek publikimi final. Kam synimin për të mobilizuar një grupim të caktuar dhe dua që njerëzit ta përdorin informacionin për të përmirësuar veten e tyre.
CMG: Puna në grup apo individuale është më mirë në gjykimin tuaj?
Valbona Sulçe: Unë jam një njeri që merrem me rrjetëzim dhe besoj fort që puna në grup është më mirë se vetëm. Është shumë e rëndësishme të punojmë me njëri-tjetrin për ta suportuar, sepse në fund arrijmë shumë gjëra pozitive.
Valbona Sulce ( burimi foto personale)
CMG: Cila është rrugica që ju sjell më tepër kujtime në Tiranë?
Valbona Sulçe: Rrugica që më dërgonte në shkollë. Ishte një rrugë e dashur për mua dhe vijon ende edhe sot sepse unë shkoja çdo ditë në shkollë me një atmosferë të bukur shoqërore dhe gjithashtu një tjetër rrugë ka qenë dhe vijon të jetë ajo që më dërgonte në punë.
CMG: A jeni ju e realizuar dhe çfarë ju bën të tillë?
Valbona Sulçe: Jam e realizuar sepse kam gjithçka që dua. Kam punën që dua, familjen, fëmijët, bashkëshortin dhe në fund të ditës ëndrrat e mia.