Shëndeti mendor dhe shëndeti trupor janë dy çështje të ndara. Megjithatë, Organizata Botërore e Shëndetësisë e përkufizon shëndetin si mirëqenie të plotë fizike, mendore dhe sociale. Trupi i njeriut është ai që reagon në mënyrën se si ndiheni, veproni apo mendoni. Prandaj ndodh shpesh që njeriu të ndjehet fizikisht i parehatshëm pas një ngjarjeje të rëndë në familje. Stresi mendor dhe emocional shkakton ndryshime të nivelit të energjisë fizike, por gjithashtu ndikon edhe në marrëdhëniet tona shoqërore. Kur një person i familjes tonë sëmuret fizikisht, apo me një temperaturë të lartë, reagimi i familjarëve është i menjëhershëm për ta drejtuar atë tek mjeku, por e kundërta ndodh me aspektin mendor të tij. Por a është shëndeti ynë mendor po aq i rëndësishëm sa shëndeti fizik? A duhet të bëhet kulturë kjo gjë tek ne, ashtu si në shumë vende të botës? Për të diskutuar mbi këtë temë është me ne në një intervistë për Radio Ejani Psikoterapiste EMDR, bashkëthemeluese e qendrës Be_puzzle, Imo Aliraj.
Imo Aliraj Psikologe Klinike, Psikoterapiste EMDR (Foto nga Instagrami)
CMG: Kur fëmijët kalojnë temperaturë të lartë, prindërit paraqiten menjëherë tek mjeku, por a paraqiten prindërit tek specialisti, nëse fëmija ka vonesë në të folur?
Imo Aliraj: Nëse flasim për problematika të ndryshme të zhvillimit apo nëse flasim edhe vetëm prindërimin, mund të themi se sot ka më shumë informacion dhe ai arrin më lehtë tek shoqëria, në rastin tonë tek prindërit. Çdo vit bëhen studime të ndryshme për marrëdhëniet prindër-fëmijë, si ndikojnë eventet e ndryshme në zhvillimin e kësaj marrëdhënie, si ndikon qasja e prindërimit në zhvillimin e fëmijës, kur them zhvillimin, e kam fjalën për të gjitha fushat e zhvillimit social, emocional, konjitiv, gjuhësor, motor. Në vijimësi të këtyre studimeve ngrihen rekomandime për të ndërtuar politika-sociale, mbështetëse për familjen, por edhe për të orientuar disi prindërit drejt një prindërimi të mirë. Padyshim që sot prindërit kanë më shumë qasje në këto informacione krahasuar me prindërit përpara 10 apo 20 viteve më parë. Nëse nuk kemi të bëjmë me prindër që nuk janë të orientuar drejt librave apo revistave shkencore, patjetër që janë të orientuar drejt rrjeteve sociale. Për fat të mirë apo për fat të keq, sot ka shumë qasje në rrjetet sociale që shkruajnë për një prindërim të mirë, për disiplinat pozitive, për gurët kilometrikë të zhvillimit, për rëndësinë e stimulimit, etj, dhe prindërit kanë qasje në këto informacione. E përmenda më sipër për fat të keq sepse ky bum informativ, shumë herë nuk është i kontrolluar, jo në të gjitha rastet shpërndahet nga profesionistët, gjë që shpeshherë keqkuptohet, apo keqpërdoret
Foto nga Broken Chalk
nga prindërit. Për ta shpjeguar më mirë këtë, prej vitesh po krijohen faqe të ndryshme për disiplinën pozitive, e cila në thelb është e mbështetur tek shpërblimi pozitiv dhe negativ dhe jo tek ndëshkimi apo dënimi. Kjo gjë jo rrallë herë keqkuptohet nga prindërit, duke lënë fëmijët të bëjnë çfarëdo dhe duke mos i vendosur kufij të qartë në familje. Një rast tjetër, flitet për zhvillimin gjuhësor më të shpejtë tek vajzat sesa tek djemtë dhe kjo i ngatërron prindërit për të kërkuar ndihmën e duhur për fëmijën e tyre djalë kur ai flet me vonesë. Thënë të gjitha këto, patjetër që ndërgjegjësimi është rritur.
CMG: A janë më të ndërgjegjësuar prindërit sot se më parë?
Imo Aliraj: Patjetër që po. Nëse flasim në kontekstin e brezave, le të mendojmë për pak çaste, si na kanë prindëruar ne. Ne këtë gjë po ua përçojmë fëmijëve tanë, traumat ndërbreznore, të mos jenë në kontakt me ndjesitë e tyre, të mos dëgjohen ndjenjat e tyre, të mos dinë të thonë “jo”, të mos vendosin kufij të qartë, të kenë një nevojë të madhe për t’u pëlqyer nga të tjerët, të vetëmohohen, etj. Nëse ndalemi për pak çaste dhe evidentojmë momente përreth që gati- gati janë të normalizuara në shoqërinë tonë. Për shembull, nëse një nënë i thotë fëmijës së saj që qan, se nuk do ta puth teta e panjohur, e kemi nënën që i thotë: “puthe mami tetën, se të ka xhan”, ku është këtu respekti, ku janë kufijtë, çfarë po i mëson fëmijës? Në këtë mënyrë, po i tregojmë se ndjenjat e tij nuk kanë rëndësi dhe se një i rritur ka gjithmonë të drejta mbi ty. E bëra këtë parantezë pak të gjatë për të treguar disi nga realiteti që po jetojmë. Prindërit sot në një pjesë të mirë të tyre nuk i njohin emocionet e veta dhe nuk janë të orientuar drejt këtij vetëdijësimi, kjo gjë çon në një situatë të tillë ku pak rëndësi ka përjetimi emocional i fëmijëve, apo në rastin më të keq, u duket çudi prindërve që fëmijët të kenë përjetime të forta sepse ata mendojnë se fëmijët nuk kuptojnë, nuk ndjejnë, dhe si rrrjedhojë nuk kërkojnë ndihmën e specialistit vetëm për këtë gjë. Më së shumti prindërit orientohen drejt ndihmës nëse fëmijët shfaqin probleme të sjelljes, kur emocionet e fëmijëve ndikojnë në mbarëvajtjen në shkollë, etj.
Foto nga Psikologu online
Emocionet tona apo psiqika jonë, nuk është e ndarë nga trupi ku ato jetojnë. Ka një rëndësi të madhe t’i dëgjojmë emocionet, çfarë po na thonë ato,a kanë një rëndësi të jashtëzakonshme të lexojmë emocionet e fëmijëve dhe t’u japim ndihmën e nevojshme. Vetëm se janë shtatshkurtër, nuk do të thotë që janë më pak.
CMG: Nëse fëmija e ka të vështirë për të menaxhuar emocionet, a është kjo një shenjë për t’u drejtuar tek specialisti?
Imo Aliraj: Ky është realiteti i dhimbshëm i shprehur në këtë pyetje kaq të bukur. Fakt është që shohim rradhë të gjata në një konsultore për një temperaturë të lartë, por nuk shohim rradhë të gjata tek specialist i zhvillimit, për të bërë një vlerësim apo konsultë rutinë. Në praktikën time shtatë vjeçare, mund të numërohen me gishtat e njërës dorë, prindërit që kanë kërkuar një vlerësim rutinë të kësaj natyre. Jam e sigurt që për këtë gjë, ka shumë faktorë që për mua e para dhe më e rëndësishmja është qasja e pediatrit ndaj fëmijëve dhe prindërve të tyre, duke bërë kontrollet rutinë të vitit të parë, apo edhe të vitit të dytë të jetës. Fatkeqësisht pediatrit tanë dhe këtu sigurisht që nuk flas për pjesën më të madhe të tyre, e përdorin shumë mirë peshoren dhe metrin, por dyshoj të kenë një listë me gurët kilometrikë në të gjitha fushat e zhvillimit, ose së paku nuk e përdorin atë.
Duhet të ndryshojë kjo qasje sepse pediatri është aktori i parë profesionist që njeh dhe ndjek ecurinë e fëmijës që nga lindja. Pastaj vjen çerdhja, kopshti dhe specialistët që janë aty. Shoh me gëzim një qasje të ndryshuar në këto institucione dhe një përpjekje të orientohen drejt zhvillimit të fëmijëve, për të ndihmuar edhe në identifikimin e problematikave, por edhe në trajtimin e tyre. E megjithatë edhe edukatoret të vetme, e kanë të vështirë të edukojnë familjet në këtë drejtim. Nëse pediatri do të punonte më shumë për këtë gjë, jam e sigurt që do të ishin më të lehta qoftë për edukatoret por edhe për familjet, do ishin më frytëdhënëse për fëmijët që shfaqin këto problematika sepse në rastin më të mirë vështirësitë do të identifikoheshin që në vitin e parë të jetës dhe kjo është shumë e rëndësishme në prognozën e trajtimeve. Ndërhyrja e hershme është e artë. Kur flasim për ndërjhyrjet e hershme, këmbëngulim shumë tek rëndësia dhe benefitet e ndërhyrjet në moshat 1-3 vjeç dhe jo në një fazë pak më të vonë 3-6 vjeç. Praktika klinike që mesatarisht një fëmijë nis trajtimin e tij në moshën 4 vjeç është relativisht vonë.
-Disa njerëz mendojnë se stresi është i gjithi në mendje, por në fakt preket dhe trupi gjithashtu. Sa herë që jeni të stresuar, trupi reagon. Hapi i parë për të menaxhuar shëndetin tuaj mendor dhe stresin është të dish se përse përjetoni këto ndjenja negative. Gjetja e shkaktarit kryesor ju ndihmon të jeni më të vetëdijshëm se pse ndiheni në atë mënyrë. Por ajo çfarë është më e rëndësishme është që të paraqiteni tek mjeku specialist.